Eksperti i çështjeve të energjisë, Azmer Duleviç, tha në “Mcn Economy” se në Shqipëri ka pasur raste abuzive nga tregtarët në lidhje me çmimin e naftës. Duleviç vë në dukje se kur ka ulje të çmimit në bursë nuk reflektohet në Shqipëri, ndërkohë që e kundërta ndodh kur ka rritje të çmimit të naftës në bursë. Duleviç tha se kontrabanda e naftës është e papranueshme dhe gjobat kanë qenë qesharake.
“E para ndikon drejtpërdrejtë edhe paketa fiskale, por shpesh herë ka edhe raste abuzive nga tregtarët, sepse kur ka ulje në bursë këtu nuk reflektohet, dhe kur ka rritje qoftë edhe të vogël këtu reflektohet. Patjetër duhet të jetë shteti që t’i kontrollojë. Sepse janë qytetarët që preken, dhe shteti është ai që përfiton më tepër. Është e papranueshme që çmimi i naftës të jetë 200 lekë, dhe projeksionet janë që të shkojë më tepër. Shqipëria është në vendin e 5-të për çmimin e naftës, nga ana e shtrenjtësisë, në botë. Ne kemi 7 taksa, për çdo litër qytetarët paguajnë 130 lekë taksa, pjesa tjetër është çmimi real i hidrokarbureve dhe fitimi i llogaritur i tregtarëve. Pastaj kemi edhe pjesën e abuzimit, të mos flasim pastaj për cilësinë e hidrokarbureve. Kontrabanda e karburantëve është e papranueshme. Gjobat janë qesharake. Shumë operatorë e kanë kthyer në monopol. Fusin hidrokarbure kontrabande dhe çmimet i vendosin sipas qejfit. Duhet të jetë një punë shumë më e fortë nga institucionet në mënyrë që mos të jemi përballë këtyre situatave. Duke përfshirë pjesën e taksave nuk duhet të ishim më shumë 150-160 lekë. Bordi i Transparencë nuk bëri asgjë tjetër, veçse legjitimoi çmimet e hidrokarbureve, ku shkoi 260 lekë për litër. Këto thjesht kanë certifikuar abuzimet që kanë bërë 4-5 kompani të mëdha në vendin tonë. Nuk kam parë ndonjë vendim të bordit që t’u diktojë këtyre kompanive të mëdha çmimin. Kur është ulur çmimi në bursë bordi nuk është mbledhur fare”.