‘Nafta e Shpiragut si raki Ballë Kazani’

Nga Lutfi Dervishi

Nëse s’do të ishim dëshmitarë të gjallë të këtyre kohëve, subjekti i këtij shkrimi mbase do dukej si një skenë e trilluar e marrë direkt nga një film komedi.

Gjithçka nis kur nga goja e kryeministrit dëgjuam atë që deri në atë moment e kishim hasur veç në rrëfime sharlatanësh që sytë i kanë shndërruar në dedektorë për gjëra që ekzistojnë veç në mendjen e tyre.

Nuk ishin të paktë ata që u mrekulluan kur dëgjuan lajmin që do ndryshonte jetë të tëra njerëzore: Shpiragu ishte plot me ar të zi. Naftë! E jo naftë dosido, fantazia shkonte më tutje: Naftë cilësia e parë, ballë kazani!

Kryeministri dhe Ministrja dolën me fanfara për të njoftuar se Shqipëria së shpejti do të ishte aq e mbushur me para sa që do të kishte nevojë për një fond sovran për të menaxhuar të gjitha të ardhurat.

Por si në çdo përrallë të bukur vjen një moment kthese kur realiteti të detyron të zgjohesh.

Pas shpenzimit modest të 600 milionë dollarëve në kërkime, Shell njofton se rezultati është… pothuajse i njëjtë me atë që merr kur kërkon monedhën e rënë në “të çarën” e divanit.

Absolutisht, të gjithë do të donin që rezultatet të mos ishin këto dhe njëkohësisht që titullarët mos i trajtonin njerëzit si të ishin laborator ku eksperimentojnë ëndrrat e tyre në kufij me gënjeshtrat.

Në një botë ideale, kjo histori do të shërbente si një mësim i çmuar për qeverinë: Jo çdo gjë që shkëlqen është ar (i zi) dhe… heronjtë e përrallave moderne duhet të jenë pak më të kujdesshëm me premtime parazgjedhore që tingëllojnë si “hapu Sezam”.

Është mirë që shpesh të hapin librin e proverbave dhe të lexojnë: “Peshku në det, tigani në zjarr!”, apo “Më mirë një zog në dorë se 100 që fluturojnë!”.

Kryeministri, i cili kishte paralajmëruar një epokë të re prosperiteti falë Shpiragut, tani do të duhet të jetë gati për një tjetër vëllim rrëfenjash.

Nëse dekada e Sudes dhe e Xhaferrit do vazhdojë të stërzgjatet kaq pafundësisht, atëherë një tjetër “Shpirag” do të shfaqet.

Nuk thonë kot: Zoti me një dorë të hedh dhe me tjetrën të pret. Një zbulim i ri pritet që këtë radhë jo vetëm të ndryshojë fatet e vendit, por edhe të mbarë rajonit dhe botës: Është hidrogjeni në Bulqizë.

Ky qytet mbetet i njohur më shumë për varfërinë dhe viktimat se sa për pasurinë e tij që vetëm vret, ku në një anë të pasurit numërojnë vagonat e kromit, të varfërit numërojnë arkivolet e viktimave.

Megjithatë, pas dështimit në Shpirag, qeveria me lugën bosh në brez i ka gati planet për të shpallur Bulqizën si “Kuwaitin e Ri” të Ballkanit.

“Shihni, nuk ka rëndësi se nuk gjetëm naftë në Shpirag; ne kemi tani – H2 në Bulqizë!” mund të imagjinohet duke thënë Kryeministri me syzet në kokë, duke i dhënë një kthesë të papritur ngjarjeve që çuditërisht ndodhin para zgjedhjeve.

“Hidrogjeni është e ardhmja, dhe Shqipëria do të jetë lideri i këtij revolucioni të gjelbër. Hidrogjeni nuk është vetëm i lehtë, por është i pastër. Aq i pastër saqë njerëzit në këtë vend nuk do të thithin oksigjen (O2), por hidrogjen (H2)”.

Ndërsa skeptikët (që nuk i kanë munguar asnjëherë këtij vendi), thonë se Bulqiza është episodi i radhës në serialin e pafund të “Teatrit të Gaztorëve”, disa janë të bindur se këtë herë qeveria ka të drejtë.

A është Hidrogjeni në Bulqizë shpëtimi që të gjithë kanë pritur, apo thjesht një tjetër iluzion në repertorin e larmishëm të qeverisë?

E sigurt është vetëm një gjë: Në këtë teatër gaztorësh, askush nuk mund të thotë që nuk është argëtuar e do argëtohet, pasi për ta përtypur këtë realitet zgjidhja që ka mbetur është të qeshësh!

Exit mobile version