Naftëtarët e Ballshit paralajmërojnë Ramën: Mbaj fjalën, ver në punë Uzinën, përndryshe rifillojmë protestat

Sindikata e naftëtarëve të Ballshit i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama që të mbajë fjalën për të rifilluar punën në Uzinën e Përpunimit të Naftës në Ballsh, ashtu siç u premtoi para një viti, pasi në tetor përfundon kontrata për pagat që 850 naftëtarët kanë me qeverinë dhe pas kësaj, ata mbeten pa asgjë.

Sokol Dautaj, kryetari i sindikatës doli sot para medieve duke thënë se, presim që të nisë puna ashtu si premtoi kryeministri Rama.

“Uzina e Përpunimit të Naftës në Ballsh është nën sekuestro, një vendim që e disponon sindikata e përpunuesve të naftës e kësaj uzine. Sot, 850 naftëtarë po marrin pagë nga qeveria Rama prej afro një viti.

Pra, uzina, siç është borxhlie ndaj naftëtarëve, është borxhlie dhe ndaj nënkontraktorëve të ndryshëm ndaj ne vijmë çdo ditë para saj dhe presim që të nisë puna ashtu si premtoi Kryeministri Rama.

Ne nuk veprojmë si disa kompani nënkontraktore që vijnë me skrepa e trailerë që të marrin nënprodukte të kësaj uzine apo çfarë të mundin”, u shpreh kreu i Sindikatës.

Dautaj tha se, meqë tetori është muaji i fundit nga kontrata që patën me qeverinë Rama 2, tashmë nuk e dinë fatin e uzinës dhe as të punonjësve të saj.

“Duke u bazuar tek çfarë deklaroi Kryeministri Rama në një media disa ditë më parë se UPN e Ballshit do të nisë nga puna pasi janë në bisedime me kompani serioze, zgjidhje ka, palët të ulen të tavolinë e uzina të fillojë nga puna dhe ne të punojmë e të marrë zgjidhje problemi”, përfundoi kreu i Sindikatës.

Artikulli paraprakArrestohet xhaxhai i autorit të vrasjes së oficerit të policisë
Artikulli tjetërSkandal! SPAK mbyll dosjen e patronazhistëve: “Nuk ka korrupsion aktiv në zgjedhjet e 25 prillit”!