Naftëtarët e Ballshit sërish në protestë

Naftëtarët e Ballshit kanë protestuar sërish ditën e sotme. Të shumtë në numër dhe të mbledhur në ambientet e jashtme të rafinerisë së Ballshit, ata kërkuan zgjidhjen e problematikës së tyre në lidhje me pagat e prapambetura. Krahas kësaj kërkese naftëtarët i bënë thirrje organeve shtetërore që të mos lejojnë demontimin e rafinerisë, pasi ajo është një pasuri që i takon atyre.

Në një moment gjatë protestës pati dhe një konfrontim mes protestuesve dhe rojeve të cilët janë vendosur në shërbim të ruajtjes së uzinës.

Përmes një prononcimi për media, kreu i sindikatës së naftëtarëve Sokol Dautaj, theksoi se kanë informacione se gjatë natës së djeshme kanë mbërritur në uzinë mjete për të bërë demontimin e rafinerisë. Dautaj kërkoi një përgjigje konkrete nga qeveria, nëse rafineria do të vendoset në punë apo do të bëhet demontimi i saj.

“Situata është kjo që shikoni, ne kemi pritur një zgjidhje ligjore. Naftëtarët nuk kanë pse të provokohen në këtë lloj mënyrë. Ne kemi kërkuar që rafineria të vihet në punë dhe ne të punësohemi sërish aty por nëse shteti e vendos ndryshe të paktën të dalë në një njoftim zyrtar dhe të thotë që rafineria nuk do të vihet më në punë dhe të gjejë një zgjidhje mbi problemin e pagave të pamarra. Naftëtarët kanë mbi 8 milionë euro të papaguara. Ne nuk dimë se kush i drejton forcat e policisë, ne kërkojmë vetëm mbrojtjen e rafinerisë duke kërkuar që të vihet në punë. Nuk dimë me cilin njoftim kanë ardhur për ta zgjidhur këtë punë. Kemi kërkuar që ti jepet zgjidhje kësaj loje. Nëse nuk vihet dot në punë kjo rafineri atëherë të dalë një lloj zgjidhje përfundimtare. Nuk kemi asnjë lloj reagimi zyrtar por vetëm në rrugë informale kemi marrë informacione se kanë mbërritur mjete për të bërë çmontimin e rafinerisë”, tha Dautaj.

Artikulli paraprakShkrumbohet banesa, 3 familje në qiell të hapur
Artikulli tjetërDeputetja e Dibrës, Çupi: Rruga e Arbrit nuk ka mbaruar, u hap për propagandë. Qeveria të tregojë për tarifën 8 euro