Naftëtarët e Ballshit pas paralajmërimit, janë futur sot në grevë urie brenda ambienteve të uzinës së përpunimit të naftës.
Pas protestës së sotme ata kanë marrë një vendim të tillë pas shumë tentativave që problemet e tyre të marrin zgjidhje por që kanë hasur në vëshin e shurdhër të qeverisë
Kreu i sindikatës së naftëtarëve, Sokol Dautaj u shpreh për mediat se kjo është mënyra e vetme e reagimit pasi institucionet i kanë injoruar.
“Ne jemi përpjekur me të gjitha mënyrat, greva e parë e urisë, protesta të vazhduezhme përpara rafinerisë, bashkisë e prefekturës. Ditët e fundit shkuam dhe në kryeministri. Indiferenca e këtyre është tallëse dhe fyese. Ne kemi dhënë dy opsionet tona, të fillojë puna me njerëzit e duhur në mënyrë që pas 6 muajsh mos dalim sërish në rrugë. Opsioni i dytë është që të mbyllet rafineria dhe të na jepen paratë prapa. Greva e urisë nuk është politike, është vetëm ekonomike. Këta janë tallur rëndë me ne. Ne madje nënshkruam dhe kontratat përpara dy javësh dhe ajo ishte tallja më e madhe”, tha Dautaj.
Naftëtarët e Ballshit kanë disa muaj që protestojnë për të marrë pagat e tyre, por zëri i tyre nuk është dëgjuar dhe kështu morën aktin ekstrem. Pas mbylljes së rafinerisë që administrohet nga “Tosk Energji”, janë më shumë se 800 punëtorë që kanë mbetur pa punë. Bankers në një reagim pas mbylljes së rafinerisë, e ka hedhur fajin tek ‘Tosk Energji’, ku u shpreh se kjo kompani ka shkelur disa herë kontratat çka e ka vënë atë në pozitë të vështirë për sasinë e naftës gjendje e cila ka kaluar më pas për eksport. Kompania “Tosk Energji” është futur në negociata me naftëtarët, por ata janë shprehur se kërkesa e tyre është të marrin të gjitha pagat e prapambetura.