Naftëtarët revoltë ndaj qeverisë, në protestë para Kryeministrisë

Naftëtarët duket se nuk janë gënjyer këtë herë, nga ballafaqimi me korrespondencë me kryeministrin Rama. As Rama dhe as dy ministrat e tij, Gjiknuri dhe Ahmetaj, nuk ju dhanë asnjë përgjigje konkrete naftëtarëve për zgjidhjen e hallit të madh ku kanë rënë, pas kyçjes së Rafinerisë ARMO. Pikërisht kjo situatë i ka revoltuar naftëtarët, që menjëherë pas mbylljes së ekraneve të protestojnë para Kryeministrisë. Në të njëjtën kohë nisi sërish protesta përpara Prefekturës së qytetit të Fierit.
Naftëtarët paralajmëruan se në mungesë të një angazhimi konkret nga qeveria, protestat do të vazhdojnë, pasi nuk morën asnjë përgjigje nga kryeministri për rrogat dhe detyrimet e papaguara nga investitori, i cili dy vite më parë që u prezantua nga vetë Rama, si shpëtimtari i Rafinerisë.
E vetmja kërkesë e naftëtarëve që mori një gjysmë premtim nga ministri Gjiknuri ishte zbatimi i statusit të naftëtarit, i cili nuk zgjidhi problemin e mos pagesës së 29 rrogave të pa marra.
Edhe pse u është premtuar se do të marrin statusin e naftëtarit, naftëtarët janë shprehur të pakënaqur nga mosplotësimi i kushteve të tyre, duke mos u besuar fjalëve të Ramës, Gjiknurit dhe Ahmetajt.
Gjata videokonferencës, Rama nuk iu shmang pyetjeve të naftërarve për rifillimin e punës dhe për marrjen e 29 pagave.
“Përshëndetje z. Kryeministër! Petref Skëndaj, nënkryetar i Sindikatës së Naftës. Kam nja dy pyetje për ju z.kryeministër. Pyetja e parë: A i përmbahesh atij premtimit që bëre gjatë fushatës për ciklin e mbyllur të naftës dhe premtimin që bërë para punonjësve të Uzinës së Ballshit, për ciklin e mbyllur të naftës, që do të thotë: përpunimi, reciklimi në Rafinerinë e Ballshit.
Pyetja e dytë: A i përmbahesh z.Kryeministër atij premtimi që the: Këta punonjës në industrinë e Ballshit do t’u japim lekët e prapambetura, dhe i the atij pronarit, që në varr do t’i marrësh po pate shumë lekë…” ishte një nga ndërhyrjet e naftëtarëve.
Sigurisht që pyetjet nuk morën asnjë përgjigje.
Rama foli për të drejtën e pronës që kanë bankat dhe vështirësitë që kishte pasur në komunikimin me Bankers.
I paqartë u duk se ishte edhe për gjetjen e një investitori tjetër. “Do bëjmë çmos në nxitjen e investitorëve të mundshëm që rafineria të vihet në punë. Problemet e sigurisë aty janë serioze. Duhet të investohet për sigurinë”, ishin fjalët që dëshmojnë se kryeministri nuk ka asnjë ide se si do të shkojë më tej kjo histori.
I qartë Rama ishte vetëm në një pikë; tek meraku se mos naftëtarët dalin në protesta. Për këtë ka investuar edhe në zyrën tek Partia Socialiste, për këtë organizoi edhe video-interpelancën, për këtë edhe e ironizoi disa herë sakrificën e naftëtarëve që e marrin rrugën në këmbë nga Ballshi për në Tiranë. Përgjigjia që i dha shkurt njëri prej tyre, tregon se situata ka arritur aty ku nuk mban më.
Rama: Mos vini e merrni rrugën në këmbë nga Fieri. Se për ça e merrni rrugën në këmbë, kur ne na keni në dispozicion, unë nuk e kuptoj!
Naftëtari: Jemi pa punë e pa bukë, ore!
Rama: E pra, e di, e di! Unë nuk ju ndaloj!
Naftëtari: Jemi pa bukë e pa punë, pse e merrni rrugën në këmbë thotë…
Në verën e vitit 2016, kompania e regjistruar në offshore IRTC u prezantua nga socialistët si shpëtimtarët e ARMO-s. Por “investitori” i ri i prezantuar me bujë nga Arben Ahmetaj dhe Niko Peleshi vazhdoi të shtonte detyrimet e ARMO-s ndaj shtetit dhe borxhet vetëm u shtuan. Ndërkohë, asetet e kompanisë në vitin 2016 i kaluan bankave për shkak të kredive të pashlyera.
Në nëntor të vitit 2016, Rama udhëtoi vetë drejt Ballshit për t’i mburrur investitorët e rinj, si “seriozë” dhe i premtoi naftëtarëve se do të merrnin rrogat e prapambetura dhe se rafineria do të rifillonte nga puna në cikël të plotë. Pikërisht për këto premtime, naftëtarët i kërkuan llogari kryeministrit, për rrogat e prapambetura dhe rifillimin e punës.

Exit mobile version