Pas 205 prezencash në total me Inter-in (i dyti në këtë skuadër pas Samir Handanoviç në kuotën 216), është lojtari i pesëdhjetë më jetëgjatë i të gjitha kohërave te zikaltrit. Sipas “Gazzetta dello Sport” rreth moshës 30-vjeçare Yuto duket se gjeti rrugën për të nisur një rritje konstante dhe me shumë kuptim (në 12 shtator mbushi 31 vjeç). Merita është edhe mbi të gjitha e Luciano Spalletti-t. Ndoshta nuk do të bëhet mbrojtësi i majtë më i fortë në botë, por tani mund të garantojë rezultate vendimtare për skuadrën në pozicionin e tij.
Karriera e japonezit tek Inter-i (kontrata i skadon në 2019-ën), ka qenë shpesh afër ndërprerjes. Një herë kur refuzoi Manchester United, dhe disa të tjera kur është folur për të ristrukturuar repartin e mbrojtjes. Rritja e Yuto-s ka kaluar edhe përmes gabimeve trashanike si ai kundër Napoli-t në fund të kampionatit të kaluar. “Jam trajtuar si një kriminel”, kishte shfryrë në Twitter më herët.
Tani atmosfera duket se ka ndryshuar totalisht. Dhe këtë ndjesi e përcjell vetë lojtari: “Ndaj Samp mendoj se kam bërë ndeshjen time më të mirë që kur kam ardhur tek Interi. Jam gjithmonë krenar kur zbres në fushë me këtë fanellë, ngjyrat zikaltër janë në zemrën time. Dhe jam krenar për shokët e mi”.