Nga Naim Meta
Është shqetësuese dhe njëkohësisht e dhimbshme të konstatosh se, pas më shumë se tri dekadash pluralizëm, skena politike shqiptare vazhdon të dominohet nga të njëjtat figura: kryeministra e ish-kryeministra, presidentë e ish-presidentë, të cilët me papërgjegjshmëri dhe amoralitet politik kanë kontribuar në rrënimin e shoqërisë dhe shtetit shqiptar. Për 34 vite me radhë, mashtrimi dhe zhgënjimi kanë qenë të përhershme, ndërsa në 12 vitet e fundit, dëmet kanë qenë veçanërisht të thella e të paimagjinueshme. Institucionet janë degraduar, shteti ka krijuar struktura paralele të kontrolluara nga interesa të ngushta, dhe drejtimi i vendit është përdorur për përfitime personale dhe klienteliste.
Në këtë kontekst, 11 Maji përfaqëson një mundësi të rrallë për qytetarët shqiptarë, e veçanërisht për ata të qarkut të Elbasanit, që të marrin në dorë fatin e tyre përmes votës. Është koha të thyhet frika dhe të zgjidhen drejtpërdrejt, përmes listës së hapur, përfaqësuesit që burojnë nga vetë populli – individë të ndershëm, me integritet dhe histori të pastër, që kanë jetuar njësoj si shumica e qytetarëve, që vijnë nga sakrifica dhe jo nga privilegji.
Ky proces nuk është vetëm një akt zgjedhjeje, por një akt vetëdijësimi dhe përgjegjësie. Më 11 maj, shqiptarët duhet të votojnë jo thjesht për një emër, por për një ndryshim të vërtetë, për të thënë “mjaft” lojës së vjetër politike. Duke votuar me kujdes dhe vetëdije, ne mund të hapim një kapitull të ri, më të drejtë dhe më të ndershëm për vendin tonë.