Naim Meta: Banorët e Krastës kërkojnë kanalizime dhe mbushje gropash, bashkia Elbasan u premton pistë për gara me makina

Kreu i degës të Demokratëve Euroatlantikë Elbasan, Naim Meta, ka marrë pjesë në dëgjesën publike të radhës në zonën së Krastës.

Meta shprehet se premtimet e zyrtarëve të bashkisë nuk kanë asnjë lidhje me shqetësimet reale të banorëve. Sipas tij, ata u munduan të bindin banorët se kjo zonë do të ketë një zhvillim të paparë, sepse po ndërtohet “Automoto -Park” dhe se këto investime do ta bëjnë Krastën si Monza në Itali.

Ndërkohë, këshilltari demokrat thotë se banorët ishin me këmbë në tokë me kërkesat e tyre duke kërkuar që të rehabilitohen kanalizimet dhe të mbushen gropat në rrugët e brendshme të lagjes së Krastës, sepse jeta e përditshme është shumë e vështirë.

Postimi i plotë i Naim Metës:

Në një tjetër dëgjesë publike!
Takimi i radhës ishte me banorët e Krastës, një zonë e bukur me banesa kryesisht të mira dhe mjaft e populluar. Po të shikoje me vëmendje zyrtarët, kjo më shumë i jepte imazhin e një shëtitjeje, sesa dëgjese me publikun: ata u munduan të bindin banorët se kjo zonë do të ketë një zhvillim të paparë, sepse po ndërtohet “Automoto -Park” dhe vazhdimi i segmentit të rrugës për t’u bashkuar në fshatin Mengël me rrugën nacionale Elbasan – Librazhd. Ekspertët e Bashkisë artikuluan me forcë dhe bënë i krahasuan këto investime që do ta bëhen në Krastë, me Monza në Itali.
Edhe unë dëgjova si gjithë banorët pjesëmarrës, dhe isha mjaft i interesuar të përvetësoja çdo fjalë të diskutantëve, të kuptoja kërkesat që ata parashtronin, të futesha në botën reale me të cilën ata përballen dhe të investohesha me gjithë mundësitë e mia për të bërë diçka për ta. U ndjeva i befasuar për kërkesat e tyre modeste e të realizueshme, dhe pse mungon vullneti për t’i plotësuar. Banorët ishin me këmbë në tokë në kërkesat e tyre:
1. Të rehabilitohen kanalizimet dhe të mbushen gropat në rrugët e brendshme të lagjes së Krastës, sepse jeta e përditëshme është shumë e vështirë.
2. Dëmshpërblimi i tokës apo objekteve që janë me certifikatë dhe preken nga investimet publike (kuptohet për ata që e kanë regjistruar, sepse janë të paktë për shkak se prona nuk është kthyer tek i zoti, prej ligjeve grabitqare (njëri 7501) që u vendosën në vitin 1991, e qëllimshëm nuk iu njohën pronat pronarëve të ligjshëm, por i rigrabitën ata duke u vrarë shpresën për të dytën herë me legalizime apo me të ashtuquajturat TOKË- SHTET.
Politika 34-vjeçare me mjaft “besnikëri” mbajti “fjalën e dhënë”, zbatoi me “përpikmëri” udhëzimit që u miratuan nga Ramiz Alia në byronë politike, bazuar në materialin për vendet ish-komuniste (të KATOVICËS).
Pasi dëgjova punonjësit e Bashkisë, bëra 5 pyetje në formën e kërkesës:
1- Banorët a kanë akses për hyrje në rrugë dhe për hyrje në pronat e tyre nga rruga?
2- Sa do jetë vlera e dëmshpërblimit për ato pak metra toke dhe a do t’ua jepni paratë menjëherë?
3- A do të plotësohet kërkesa e banorëve për infrastrukturën e kanalizimeve dhe rrugëve të lagjeve në Krastë?
4- A do të jeni tranparentë duke vendosur një tabelë për fillimin dhe mbarimin e punimeve për objektet e ndërtimit që janë në proces?
5- Pse nuk u paraqit projekti në këtë takim që dhe banorët të dinin mbi segmentin, mbi investimet, mbi gjithë projeksionin e punimeve (apo sepse përfituesit e vërtetë janë njerëzit pranë pushtetit)?
Ajo që më vjen ndërmend në këto 34 vite, është që me ekonominë e tyre të ERRËT investitorët mendojnë vetëm si do të ndërtojnë hotele, parqe, hece, investime strategjike e të zaptojnë çdo hapësirë publike, pra të bëjnë ambiente luksoze për të pritur vizitorët e kamur, që sigurisht nuk janë këta banorë; “përfitimi” i vetëm i këtyre banorëve do jenë zhurma dhe pagjumësia.
Me mirënjohje,
Naim Meta

Artikulli paraprakBashkia e Tiranës nuk ka vende në kopshte e çerdhe për 80% të fëmijëve
Artikulli tjetërDosja e Sterilizimit, shtyhet për herë të tretë seanca