Nga Naim Meta
Kandidatët që garojnë në Koalicionin Euroatlantik meritojnë respekt dhe besim, sepse ato janë produkte të një investimi 33-vjeçar në Partinë Demokratike, kanë kaluar një rrugëtim plot sakrifica dhe beteja që kanë bërë pa kërkuar asnjë shpërblim për kontributet e tyre. Ata janë individë që nuk janë dorëzuar asnjëherë, por kanë qëndruar të palëkundur në parimet dhe vlerat e tyre, duke u përballur me të keqen, brenda dhe jashtë strukturave të PD-së.
Ata janë kandidatë dinjitozë, sepse nuk janë përkulur para presionit dhe shantazheve, por kanë qëndruar të fortë dhe të ndershëm. Ata nuk kanë bashkëpunuar me ata që ofrojnë imoralitetin dhe manipulimin për interes personal, por janë përpjekur që të sjellin një ndryshim të vërtetë për popullin. Pas 9 shtatorit 2021, ata e kanë treguar më së miri këtë qëndresë, duke e parë se pozitat dhe postet janë të pavlera për ta nëse ato janë të mbushura me pandershmëri dhe fallcitet.
Ata janë kandidatë që dinjitetin e tyre e mbrojnë me çdo çmim si për vete ashtu edhe për çdo familje të ndershme për çdo individ të thjeshtë. Ata e dinë se vlera e një shoqërie matet me respektin dhe dinjitetin që i ofron atyre që kanë kontribuar pa u dorëzuar për interesat personale. Edhe pse janë shantazhuar dhe kërcënuar, ata nuk janë mposhtur. Ata janë mbështetur në vlerat e forta të nderit dhe të drejtat e tyre.
Si një prej këtyre individëve, kam krenarinë të jem pjesë e këtij koalicioni, dhe këtë më bën të ndihem më i fortë dhe më i gatshëm se kurrë për të kërkuar votat e qytetarëve. Për herë të parë pas viteve ’90, mund të kërkojmë vota me kokën lart dhe me ndërgjegjen e pastër, sepse dimë se jemi ata që mund të sjellin ndryshimin e vërtetë.
Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Votuesit duhet të reflektojnë dhe të mendojnë për të ardhmen e tyre, për fëmijët e tyre dhe për dinjitetin që ata e meritojnë. Ata duhet të kujtojnë padrejtësitë që u janë bërë dhe të mos lejojnë që frika, kërcënimet dhe manipulimet t’i ndalin. Dinjiteti i çdo individi është më i vlefshëm se çdo përpjekje për të ricikluar të keqen që po i shfaqet si e mirë.
Koha për të vepruar është tani.
Mirënjohje,
Naim Meta