Naim Meta: Shqipëria nën Peshën e ‘Bashkimit të hienave’

Nga Naim Meta

Shqipëria ka kaluar nëpër transformime të mëdha politike që nga rënia e komunizmit, por thelbi i qeverisjes ka mbetur në thelb i pandryshuar: një elitë politike e njëjtë, e rikonfiguruar sipas interesave të saj, që shpesh ka përdorur simbolikën kombëtare për të mbuluar praktikat klienteliste dhe autoritare. Liderët e së majtës dhe së djathtës nuk kanë ndërtuar një kulturë të konsoliduar demokratike, përkundrazi, në shumë raste kanë kontribuar në zhbërjen e themeleve të saj.

Enver Hoxha ndërtoi një regjim totalitar që zhduku opozitën dhe shkatërroi klasën intelektuale. Pas tij, Fatos Nano, Sali Berisha dhe Ilir Meta, në vend që të ndërtonin institucione të pavarura dhe një ekonomi të shëndetshme tregu, shpesh u përfshinë në praktika klienteliste që krijuan një klasë të re oligarkësh. Nga ana tjetër, përsëri Sali Berisha me një tjetër aktor Edi Rama, pavarësisht retorikave diametralisht të kundërta, kanë ndjekur një model të ngjashëm të kapjes së shtetit, instrumentalizimit të administratës publike dhe kontrollit të institucioneve.

Në vend që të prodhonin një elitë shtetformuese, qeveritë e këtyre liderëve kanë nxjerrë “kuadro të përgatitur” sipas modelit të organizatave mafioze si Camorra apo Cosa Nostra. Ato kanë ngritur rrjete patronazhi dhe klientelizmi që e shndërrojnë pushtetin në një mjet për kontrollin e burimeve dhe të votës qytetare. Sistemi zgjedhor është shpesh më shumë një mjet legjitimimi sesa një reflektim real i vullnetit popullor.

Marrëveshjet e fshehta apo publike mes liderëve kryesorë, si ajo e përfolura ndër vite ndërmjet Berishës dhe Ramës, janë shenjë e një paktit të mos-sulmimit, që synon ruajtjen e një status quo-je të favorshme për të dyja palët. Në këtë kuptim, ata nuk e ndajnë pushtetin përmes konkurrencës demokratike, por përmes parcelizimit të tij, duke ndarë, hambarin e votave, si një plaçkë lufte.

Në një vend ku flamuri kombëtar shpesh valvitet për të mbuluar shkatërrimin institucional, qytetari ndodhet në një pozitë të pasigurt. Megjithatë, siç thotë një fjalë e urtë popullore, i drejti zhytet, por nuk mbytet.

Shpresa për një Shqipëri ndryshe ekziston ende, por kërkon angazhim të thellë qytetar, transparencë, si dhe një elitë të re politike që e sheh shtetin si pronë të përbashkët dhe jo si mjet përfitimi personal.

Artikulli paraprakNuk janë pagesat e deklaruar në facebook problem, por paratë informale që hidhen nga korrupsioni qeveritar
Artikulli tjetërBetejë mafioze për plaçkën publike/ Bashkia e Durrësit refuzon për herë të tretë KPP-në për tenderin 1.7 milionë euro të Rajlit