Namir Lapardhaja: Shënime për romanin “Të çmendur në Parajsë” të shkrimtarit Virion Graçi

Motivin e nënës që vret fëmijën e ndeshim që në antikitet, ku Euripidi, duke aktivizuar në tragjedinë e tij Mitin e Argonautëve, na njeh me Medean, e cila, pasi ka tradhëtuar popullin dhe familjen, vret fëmijët për t’u hakmarrë në këtë mënyrë ndaj Jasonit, bashkëshortit të saj.

Të njëjtën gjë bën edhe Lora, e cila, për t’u hakmarrë ndaj burrit, vret të birin, Torin.

Është ky motivi që thur nëpërmjet fijesh të dukshme apo të padukshme të gjithë ngjarjet e tjera.

I botuar për herë të parë në vitin 1995, romani “Të çmendur në Parajsë” u ribotua sërish këtë vit, duke treguar se mund të lexohet me të njëjtën freski dhe kërshëri si herën e parë, çka është një ogur i mirë se kjo vepër do të rezistojë gjatë.

“E përdorur si dokument shoqëror, letërsia mund të hyjë në punë për të krijuar një tablo të përgjithshme të shoqërisë…” shprehen Wellek dhe Warren tek “Teoria e letërsisë”.

Romani i Virion Graçit është një rrëfim i dhimbshëm dhe tragjik për historinë e shqiptarëve në dekadën e fundit të shekullit të njëzetë.

Personazhi-rrëfimtar që tregon ngjarjet nuk ka emër. Shumicën e kohës ai është emigrant në Greqi dhe si të gjithë “kinezët” e tjerë ai ka zgjedhur të quhet Spiro, edhe pse nuk është emri i tij i vërtetë. Kemi përgjithësim të fatit dhe të dhimbjes.

“Spiro” i romanit mund të jetë kushdo. Ngjarjet, vuajtjet dhe dhimbjet e tij mund të jenë të kujtdo.

Letërsia nuk mund të shihet e veçuar nga një kontekst i caktuar shoqëror, si pjesë e një kulture dhe mjedisi të caktuar, ndaj edhe romani “Të çmendur në Parajsë”, veç të tjerash, na rrëfen për vuajtjet dhe vështirësitë e jetës së emigrantëve shqiptarë në fillimet e demokracisë, të cilat, parë nga sot, nuk mund të imagjinohen apo të perceptohen nga lexuesi i ri.

I ndërtuar si një rrëfim i thellë psikologjik, pas trembëdhjetë muajsh si emigrant në Greqi, “në një vend ku lashtësia e ngurtë ushqente modernizimin e lëngshëm vulgar”, babai sheh në ëndërr Torin, të birin 8-vjeçar, i cili i shfaqet i gëzuar dhe i veshur bukur, por lepurushi i tij ka të ngulur në putërëzën e poshtme një gjilpërë çeliku, të gjatë, të mprehtë, të fortë.

Parandjen diçka jo të këndshme.

Siç del më tej në roman, është e njëjta ëndërr që ka parë edhe e shoqja, Lora:

“- Një ëndërr e keqe. Një lepurush i kaltër.

E ndërpres:

– Një lepurush i kaltër barkpushbardhë?!

– Po. Dhe atë…gjilpërën…në këmbë.

– Po. Pikërisht gjilpërën. Ti ia nxorre me pincë, Lora. Unë të pashë…”

Si në tragjeditë shekspiriane, personazhet e romanit e zbërthejnë realitetin nëpërmjet vegimit të ëndrrave. Jo vetëm kaq, por ndodh pa kuptuar edhe pikëtakim i të njëjtave ngjarje të to.

Vrasje e djalit 8-vjeçar ka ndodhur në gjumë, ku një gjilpërë e nxehtë i ka tejshpuar kafkën, çka i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Ndonëse krimi i rëndë trondit gjithçka, nëpërmjet një rrëfimi të paanshëm, një karakteri të thellë psikologjik, ku personazhi kryesor më tepër kërkon të ndahet nga e shkuara se sa të jetojë të tashmen, në roman nuk ekzistojnë ndjenja si hakmarrja apo vuajtja e dënimit për krimin e kryer.

Vuajtja dhe vdekja janë bashkudhëtare të personazheve, ashtu siç janë shoqëruese të natyrës njerëzore.

Personazhet e romanit duken si njerëz të zakonshëm, të udhëhequr nga ndjenja dhe instikte, me virtyte dhe të meta, siç është njeriu në përgjithësi.

Por shkrimtari ka zgjedhur që rrëfimin t’ia lërë në gojë protagonistit kryesor, i cili, i ndërtuar si një karakter psikologjik kompleks, ndërton në tokë parajsën e të çmendurve, anormalëve, mbivendosjen e ngjarjeve, herë të vërteta dhe herë në jerm, ku është e vështirë të kuptosh se çfarë po ndodh në realitet dhe çfarë është vegim.

Nëpërmjet një gjuhe të thjeshtë dhe pa ndërlikime, rrëfimi shoqërohet nga një tension i brendshëm, i cili i shoqëron të gjitha ngjarjet.

Edhe kur personazhi ka hapur një kapitull të ri në jetën e tij, është e shkuara ajo që nuk e lë të shkëputet, duke i ardhur e duke iu futur në dhomën e gjumit, madje duke i shkatërruar jetën dhe duke e mbajtur peng të së kaluarës.

Romani “Të çmendur në Parajsë” të mban mbërthyer nga faqja e parë deri në të fundit. Ai të trondit me ngjarjen e rrëfyer në të, të njeh me vuajtjen dhe peripecitë e natyrës njerëzore, njëkohësisht ai është ndërtuar me një mjeshtëri dhe kujdes kirurgjikal duke mos pasur asgjë mangët./ExLibris

Artikulli paraprakEdhe pas liberalizimit të vizave, kosovarët mbeten besnikë ndaj Shqipërisë për turizmin
Artikulli tjetër“Teksa i dërgonin në Mal të Zi i vrisnin në masë rrugës”- Raporti për ‘Masakrën e Tivarit’: Kërkuan mëshirë, por Koçi Xoxe na urdhëroi që kosovarët t’i dorëzoheshin jugosllavëve! Ja çfarë ndodhi me ta