Fitorja në kohën shtesë ndaj Kroacisë ka rritur moralin te Portugalia. Përfaqësuesja luzitane prej disa ditësh ka nisur përgatitjet për duelin ndaj Polonisë, një sfidë që do të përcaktojë skuadrën e parë gjysmëfinaliste të Euro 2016-të. Polonia e Robert Lewandowskit nuk është një skuadër e lehtë për t’u mposhtur, diçka të tillë e di shumë mirë Luis Nani që gjithsesi beson te fitorja e të tijëve ndaj polakëve.
“Polonia është një skuadër shumë e fortë. Të gjithë e panë ndeshjen që ata zhvilluan ndaj Gjermanisë. Ne i njohim polakët dhe e dimë që ata janë një ekip me shumë lojtarë me eksperiencë brenda. Do të jetë e vështirë ndaj tyre, por jemi të përqendruar maksimalisht. Kemi besim, jemi të ndërgjegjshëm që do të vuajmë, por në fund do të fitojmë dhe do të kualifikohemi për më tej”, u shpreh Nani.
Në vijim, Nani vlerësoi shpirtin luftarak të Portugalisë, duke shtuar se kjo kombëtare i ka të gjitha mundësitë për t’i shkuar deri në fund europianit francez. “Shpirti i këtij ekipi është me të vërtetë fantastik. Motivimi nuk na mungon dhe kemi shumë besim në aftësitë tona. Shanset tona për të arritur gjëra të mëdha në këtë Europian u rritën ndjeshëm pas fitores ndaj Kroacisë. Ai sukses ishte shumë i rëndësishëm për të mbajtur gjallë ëndrrën tonë”, përfundoi Nani.