Nantes e konfirmon: “Cana nuk kthehet”!

Lorik Cana nuk do të kthehet më te Nanta, pasi është në negociata për kontratën e fundit të karrierës së tij, larg Francës. Konfirmimi vjen nga presidenti i klubit francez, Valdemar Kita, i cili për “butfootballclub.fr” ka shpjeguar se si është në të vërtetë situata e mbrojtësit të kombëtares shqiptare.
Në fakt, Cana pritej të kthehej në stërvitje me klubin e tij që një javë më parë, edhe pse ishte lënë jashtë grupit për fazën përgatitore nga trajneri Rene Zhirar. Parashikohej që mbrojtësi, i cili festoi 33-vjetorin pak ditë më parë, të përgatitej te Nanta para se të transferohej te një ekip i ri, meqë nuk dëshironte të qëndronte në Francë.
Por ky variant i fundit ka rënë poshtë dhe mbrojtësi ka vendosur që të qëndrojë në shtëpi dhe të përgatitet individualisht, duke gjetur ndërkohë gjuhën e përbashkët me klubin për ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve mes palëve, gjithçka në mënyrë miqësore. “Situata është shumë e thjeshtë”, shpjegoi Kita, “Loriku dëshiron që të iki jashtë. Ai është në negociata me disa klube. Ai nuk do të kthehet më këtu, pasi kërkon një kontratë tre apo katërvjeçare.
Ai është duke negociuar, ndaj duhet ta mirëkuptojmë, pasi kjo mund të jetë kontrata e tij e fundit në karrierën si futbollist. Ai ka qenë shumë i sinqertë me ne, na tha se kërkonte një klub tjetër dhe që nuk dëshironte të kthehej për vitin e fundit të kontratës së tij me ne”, shpjegoi Kita, duke mbyllur praktikisht aventurën e Canës në radhët e klubit francez.
Tashmë mbetet të mësohet se cilat janë alternativat që ka përpara Cana, por parashikohet që e ardhmja e tij të jetë larg futbollit europian, në SHBA apo në Azi. Fakti që Kita deklaron se Cana është në kërkim të një kontrate afatgjatë, mund të tregojë se mbrojtësi ka vendosur që të vazhdojë karrierën si futbollist dhe nuk do të tërhiqet nga futbolli i luajtur.
Pas angazhimit me Kombëtaren në finalet e Euro 2016, Cana ka një muaj që nuk paraqitet në radhët e Nantes, ndërsa shpesh herë mediat franceze raportonin se kuqeziu do të respektonte edhe vitin e mbetur në kontratë.
Por, më në fund gjithçka u sqarua nga drejtuesi i klubit. Presidenti Kita deklaroi se, “Lorik Cana dëshiron që të luajë në një tjetër kampionat, jashtë Francës, e nuk do të kthehet për sezonin e ri” dhe konfirmoi se “futbollisti shqiptar është në negociata me disa skuadra”.
Kreu i Nantes vlerësoi “sinqeritetin e mbrojtësit në bisedat që kanë zhvilluar” përsa i takon së ardhmes së tij, ndërsa theksoi se “Cana dëshiron të sigurojë një kontratë afatgjatë, ndoshta edhe trevjeçare” dhe se “klubi e tifozët e Nantes duhet ta kuptojnë, pasi kjo mund të jetë kontrata e fundit në karrierë për Lorikun”.

Exit mobile version