Napoli ka nisur sulmin frontal për Mauro Icardin. Së fundmi presidenti i të kaltërve De Laurentiis realizoi një takim me ndërmjetësin e Icardit për t’i vënë në pjatë ofertën, një kontratë 5-vjeçare prej 6 milionë eurosh në sezon, përfshirë bonuset dhe gjysmën e të ardhurave nga të drejtat e imazhit, një privilegj ky i lënies së një pjese të të drejtave të imazhit që deri më tani te Napoli ia kishin rezervuar vetëm Gonzalo Higuain. Për sa i përket kartonit, oferta e parë për Interin ka qenë rreth 37 milionë euro bashkë me bonuset. Drejtori sportiv Ausilio i duhet t’i referojë gjithçka pronarëve kinezë edhe pse për momentin për Napolin blerja e sulmuesit duket një mision në kufijtë e së pamundurës, sidomos nëse oferta mbetet në kufirin e 40 milionëve, madje klubi zikaltër në qëndrimin e tij ka theksuar se Icardi nuk largohet as për 60 milionë euro.
Strategjia e Suning në këtë drejtim është e qartë për sa i përket merkatos, natyrisht të kufizuar nga kornizat e fair play-t financiar, të gjithë lojtarët e ashtuquajtur të mëdhenj nuk do të shiten, do të ketë vetëm një blerje të rëndësishme, me shumë mundësi Candreva. Distanca mes ofertës së Interit dhe kërkesës së Lazios për momentin është 5 milionë euro, një hendek që nuk duket i pakapërcyeshëm, ndërsa pjesa tjetër do të jetë vetadministrim i zakonshëm, me shitje të ndryshme që duhen rinvestuar në mënyrën më të mirë të mundshme.