Napoli 60 milionë euro për Icardin

Interi e konsideron të pashitshëm, por pavarësisht kësaj Napoli nuk heq dorë nga Mauro Icardi. Për të bërë të mundur transferimin e sulmuesit argjentinas në “San Paolo”, Napoli ka gati një ofertë të fundit për Interin prej 60 milionë eurosh plus 2 të tjera në formë bonusesh. Me shumë gjasa klubi zikaltër do ta refuzojë edhe propozimin e fundit të Napolit pasi trajneri i ri Frank de Boer nuk kërkon të privohet në asnjë mënyrë nga shërbimet 23-vjeçarit, pasi e konsideron një futbollist shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Interit. Megjithatë strategjia e Napolit është e qartë, drejtuesit e klubit të kaltër përpara se të dërgojnë në selinë e Interit ofertën e tyre të fundit kërkojnë të bindin Icardin që të zgjedhë ta vazhdojë karrierën te Napoli dhe më pas ky i fundit t’i ushtrojë presion Interit për ta lejuar të largohet.
De Laurentis i ka ofruar Mauritos një kontratë deri në vitin 2021 me një pagë vjetore prej 6,8 milionë eurosh përfshirë këtu edhe të ardhurat që përfiton Icardi nga të drejtat e imazhit. Mbetet për t’u parë se cila do të jetë zgjedhja e Icardit, ndërkohë drejtuesit e Interit jo vetëm që nuk duan të shesin Icardin te Napoli, por po mendojnë t’i shkëputin klubit jugur një futbollist shumë të rëndësishëm. Bëhet fjalë për Lorenzo Insignen, i cili edhe pse është në bisedime për rinovimin e kontratës për momentin nuk ka arritur akordin me Napolin dhe mund të vendosë të largohet nga “San Paolo”. Gjithsesi Insigne mund të transferohet te Interi vetëm në rast se zikaltrit nuk arrijnë të marrin nga Santosi shërbimet e talentit brazilian Gabriel Barbosa. Çfarëdo që të ndodhë e sigurtë është që mes Interit dhe Napolit ka nisur një intrigë e vërtetë në merkato.
Epoka Berlusconi ka përfunduar te Milani dhe bashkë me të edhe epoka Galliani. Drejtuesit e rinj kinezë kanë vendosur që të emërojnë administrator të deleguar ish-CEO-n e Interit, Marco Fassone. Fassone do të mbajë dhe postin e drejtorit të Përgjithshëm të klubit kuqezi, në momentin që pronarët e rinj kinezë do të marrin zyrtarisht drejtimin e klubit. Drejtuesit kinezë e shikojnë Fassonen si njeriun e duhur për të komanduar klubin kuqezi. Më parë, Fassone ka drejuar Juventusin, Napolin dhe Interin.

Exit mobile version