Pep Guardiola ka folur për kundërshtarin e të martës në mbrëmje, në Champions, kryesuesit e Serisë A, Napolin. Trajneri spanjoll ka vlerësuar lojën e tyre dhe idetë e trajnerit Sarri, teksa është shprehur se ka admirim për këtë të fundit. “Ata luajnë futboll të njëjtë me ne, presing të lartë, me pasime të shpejta dhe vertikale. Më pëlqejnë shumë idetë e Sarrit, është nga të paktët trajnerë që e adhuroj”, tha spanjolli.
Guardiola vlerësoi edhe paraqitjet e Lorenzo Insignes, duke i cilësuar atë si futbollistin më të mirë të italianëve. “Insigne është një lojtar shumë i shpejtë, teknik, i aftë të futet në hapësira të ngushta dhe me një nuhatje të shkëlqyer për portën. Gjithsesi, është edhe loja e skuadrës ajo që ia lehtëson punën”, tha Guardiola.
Trajneri spanjoll, thurri elozhe edhe për Napolin e Maurizio Sarrit. “Napoli më pëlqen shumë kur e shikoj se si luan. Ka lojtarë të mrekullueshëm si Mertens, që po bën mirë edhe rolin e Higuainit në qendër të sulmit. Nuk i them këto fjalë thjesht për ta respektuar si kundërshtar. Ata luajnë në një mënyrë ndryshe nga Premier League dhe ne duhet të përshtatemi kundër tyre”, tha ai.
Dihet debulesa e Pep Guardiolës për Lionel Mesin, të cilin e ka patur nën urdhrat e tij te Barcelona. Trajneri i Manchester City-t, kur u pyet për nivelin e Kevin De Bruyne, duke e krahasuar me “yllin” e Barcës, dha një përgjigje të drejtpërdrejtë:
“Çdo trajner e ka ëndërr të rrisë nivelin e lojtarëve të tij, që të krahasohen me Lionel Mesin. Kevin është një futbollist fantastik, por nuk mund ta krahasojmë me një kampion si Lionel Mesi, i aftë për të shënuar 60 gola në sezon. De Bruyne mund të përmirësohet më shumë dhe të shndërrohet ndër më të mirët në botë”, u shpreh Guardiola.
Napoli i tij po ecën me një ritëm të frikshëm, pasi ka regjistruar 8 fitore në 8 ndeshjet e para të Serisë A dhe kryeson me pikë të plota kampionatin. Por edhe pse ky mund të jetë sezoni i duhur për të fituar një tjetër titull kampion pas atyre të viteve 1987 dhe 1990, presidenti i të kaltërve Aurelio De Laurentis është supersticioz dhe nuk e përmend kurrsesi fjalën “Scudetto”.
Në një intervistë i pyetur nëse Napoli mund të fitojë titullin, numri 1 i klubit jugor theksoi se është supersticioz dhe atë fjalë nuk e përmend, pasi mund t’i ndjellë ters skuadrës së tij, duke u kërkuar gazetarëve të ndryshojnë temë. De Laurentis nënvizoi gjithashtu se, te Napoli do të përpiqen të bindin sulmuesin polak Milik të huazohet te Chievo në janar për të rifituar formën e tij optimale pas dëmtimit që po e mban jashtë fushave gjatë kësaj periudhe.