Pavarësisht dëmtimit të rëndë që pësoi Arkadiuz Milik, Napoli nuk do të afrojë në skuadër një tjetër sulmues të paktën deri në janar. Në ditët e fundit ishte folur shumë për Miroslav Klosen, i cili për momentin është pa kontratë dhe mund të firmosë me çdo skuadër. Por drejtuesit e Napolit kanë hequr dorë nga sulmuesit që janë pa ekip, pasi besojnë verbërisht te aftësitë e Manolo Gabbiadinit.
Në pritje të rikthimit të Milik, por edhe të ndonjë përforcimi të mundshëm në merkaton e janarit, deri në atë periudhë peshën e sulmit të Napolit do ta mbajë mbi shpatulla 24-vjeçari italian. Gabbiadini është duke zhvilluar sezonin e tij të 3-të me të “Kaltërit” teksa deri tani numëron 66 paraqitje dhe 21 gola të shënuar, një mesatare jo e keqe kjo për një sulmues që më së shumti ka hyrë në fushë nga stoli. Klose mund t’i shërbente Napolit gjatë kësaj periudhe, por frika e trajnerit Sarri kishte të bënte me faktin se lojtari nuk ka gjendjen fizike optimale. Në janar alternativa më të vlefshme për sulmin e të “Kaltërve” mund të jenë Pavoletti i Genoas dhe Lapadula i Milanit.