Napoli i Hysajt ndalet nga Palermo

Napoli ka hedhur një hap të gabuar mbrëmjen e djeshme në Serinë A teksa ka barazuar në shtëpi me rezultatin 1-1 përballë Palermos. Skuadra ku luan dhe futbollisti shqiptar Elseid Hysaj, i cili edhe dje u aktivizua për 90 minuta të plota, nuk arriti të shfrytëzonte hapin e gabuar të Romës në drekë për ta barazuar me pikë në vendin e dytë. Palermo kaloi e para në avantazh me anë të golit të Nestorovskit në minutën e 6, ndërsa napoletanët barazuan me anë të Mertensit në minutën e 66. Në minutën e 90, Palermo mbeti me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të marrë nga Goldaniga. Me këtë rezultat, Napoli mbetet në vendin e tretë me 45 pikë pas 22 javësh, ndërkohë që ndjen t’i afrohet ndjeshëm Interi, i cili në vendin e 4-t është vetëm 3 pikë pas.
Lucas Biglia i thotë “po” Lazios. Kapiteni bardhekaltër ka gjetur gjuhën e përbashkët me presidentin Claudio Lotito për rinovimin e kontratës deri në vitin 2021. Argjentinasi që u bë protagonist edhe në një përplasje verbale me një tifoz në përfundim të ndeshjes kundër Chievos, nuk ka ndryshuar mendje, ai pranon ofertën e klubit kryeqytetas për të arkëtuar 2.8 milionë euro në sezon plus bonuset. Tashmë mungon vetëm forma, por sipas mediave italiane bëhet fjalë për një formalitet sepse mesfushori bardhekaltër ka vendosur ta vazhdojë karrierën në Romë. Në këtë mënyrë, lojtari ka vendosur t’i përkushtohet klubit aktual, duke kthyer pas edhe disa oferta të rëndësishme si ajo e Manchester United disa muaj më parë. Vendimtar në këtë proces ka rezultuar drejtori sportiv, Igli Tare, i cili po punonte prej muajsh për të blinduar mesfushorin e kombëtares së Argjentinës pasi Biglia mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të projektit aktual.

Artikulli paraprakDe Biasi në Hamburg dhe Zyrih për kuqezinjtë
Artikulli tjetërBuzëqesh Zidane