Napoli-Juve, Hysaj drejt rikuperimit

Lajme të mira për Maurizio Sarrin që lidhen drejtpërdrejtë me mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Me rikthimin e lojtarëve që u aktivizuan me kombëtaret e tyre, problematika e Hysajt e shqetësoi trajnerin e Napolit në prag të dy ndeshjeve shumë të rëndësishme kundër Juventusit. Hysaj pësoi një dëmtim të lehtë gjatë ndeshjes kundër Bosnje-Hercegovinës. Sipas mediave italiane, ai i është nënshtruar menjëherë masazheve të stafit të Napolit për të qenë në dispozicion të trajnerit dhe sinjalet janë pozitive. Mbrojtësi kuqezi mori një goditje në kavilje, por sipas mjekëve, ai nuk iu nënshtrua analizave të detajuara. Të dielën vetëm pak orë përpara sfidës, Sarri do të marrë një përgjigje përfundimtare që me shumë mundësi do të jetë pozitive për mbrojtësin e krahut të djathtë. Sfida që do të luhet në “San Paolo” të Napolit është jetike për Napolin që kërkon të mos humbasë zonën Champions, por edhe të synojë vendin e dytë që siguron një biletë direkte për në grupet e këtij kompeticioni. 3 ditë më pas të njëjtat skuadra do të përballen për gjysmëfinalen e dytë të Kupës së Italisë pas suksesit 3-1 të Juventusit në aktin e parë.

Exit mobile version