Juventusi pëson humbjen e parë pas 26 takimeve, duke rënë në transfertën e Veronës edhe pse tashmë me titullin në xhep. Bardhezinjtë e Masimiliano Alegrit u dorëzuan në “Bentegodi” 2-1 ku Luca Toni shënoi në ndeshjen e fundit të karrierës përballë publikut të tij. Dukshëm të pamotivuar, bardhezinjtë, zbritën në fushë me një pjesë të madhe të lojtarëve që kanë numëruar më pak ndeshje gjatë këtij sezoni. Alegri kurseu një pjesë të titullarëve dhe kjo u pa në sjelljen e skuadrës që tregoi pak dëshirë për të arritur te fitorja. Verona e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 43, pasi Toni transformoi në gol 11 metërshin.
Ishte Viviani që në të 55-ën dyfishoi shifrat për të shtruar rrugën drejt një suksesi që skuadrës vendase nuk i shërben për asgjë. Në sekondat e fundit, Dybala ngushtoi diferencën.
Një tjetër skuadër torineze u mund në mbrëmjen e së dielës, pasi Torino nuk arriti t’i bënte ballë Napolit. Skuadra e kaltër u imponua 2-1 në “Olimpico”, duke ruajtur pozitat në vendin e dytë të klasifikimit me 2 pikë më shumë se Roma. I përhershmi Gonzalo Higuain shënoi golin e parë në minutën e 12.
8 minuta më pas Callejon siguroi qetësinë e nevojshme për skuadrën e Sarrit me një tjetër rrjetë që e çoi sfidën drejt një rruge pa kthim, pavarësisht golit të shënuar Bruno Peres në minutën e 66.