NAREA: Vonesa e rivlerësimit po bllokon tregun, të ardhurat nga shitja e banesave të para të përjashtohen nga tatimi

Shoqata Kombëtare e Ndërmjetësve të Pasurive të Paluajtshme të Shqipërisë (NAREA) propozon disa ndryshime në skemën e tatimit mbi të ardhurta nga shitja e pasurive të paluajtshme.

Sipas NAREA, në përpjekje për të ndihmuar vazhdimësinë e kontributit pozitiv që ky sektor jep në ekonominë shqiptare tatimi duhet të përcaktohet në vlerë dhe në kategori të ndryshme, për subjekte tregtare dhe individ, pasi ndryshon momenti i pagesës.

Në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse pasuria në transaksion ka shërbyer si vendbanim i parë për të paktën 5 vite nga momenti i marrjes në pronësi, ose nëse provohet që ka shërbyer si banesë e parë për të paktën 50% të kohës së zotërimit, atëherë transaksioni me këtë pasuri të përjashtohet nga Tatimi mbi Fitimin Kapital të Realizuar. Sipas NAREA, një praktikë e tillë ndiqet në 2/3 e vendeve të OECD.

NAREA propozon që, në momentin e kalimit të titullit të pronësisë, nëse ka fitim Kapital të tatueshëm, baza e tatueshme (çmimi i shitjes – çmimi i blerjes/marrjes në pronësi) të korrigjohet me normën e inflacionit vjetor, për çdo vit nga momenti i blerjes deri në atë të shitjes, si dhe me kostot financiare të gjeneruara në momentin e marrjes në pronësi apo dhe gjatë zotërimit (kostot e financimit të blerjes, interesat e huave bankare hipotekore, ato te restaurimeve etj).

Nëse ka kapital të realizuar, pasi baza e tatueshme është korrigjuar si me sipër, NAREA propozon që e ardhura kapitale të tatohet me jo me tepër se 3%.

Nëse të ardhurat e fituara nga shitja e pasurisë se paluajtshme, ri-investohen në blerje të një pasurie tjetër, brenda 12 muajve nga momenti i shitjes, atëherë tatimi i marrë nëpërmjet kapitalit të realizuar të rimbursohet.

Sipas NAREA, shembujt në shtete si Hungaria, Italia, Gjermania dhe SHBA, tregojnë se ri-investimi brenda 12 muajve i të ardhurave të fituara nga shitja e një pasurie, jo vetëm që nuk tatohen por dhe nxitet për tu përdorur si oksigjen për sektorët e pasurive të paluajtshme dhe ndërtimin, që sot sigurojnë 25-35% të rritjes së GDP në vend.

Kjo incentivë shërben shumë mirë edhe si mjet për ndjekjen e flukseve të parasë, për evidentimin e pjesës së shëndetshme që injektohet në sektorit e pasurive të paluajtshme dhe atë të ndërtimit, si dhe mitigimin e risqeve të lidhura me pastrimin e parave.

Ndërkohë, NAREA vëren se vonesa në trajtimin parlamentar të propozimit ligjor për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut.

Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij.

Mbështetur në të dhënat kombëtare të këtij sektori, NAREA vëren se në krahasim me vitet kur ky tatim mbahet në nivelin 15%, gjatë periudhave të lehtësirave fiskale ku norma e tatimit aplikohet jo më shumë se 3%, sektori jo vetëm që njeh rritje dhe zgjerim por dhe buxheti arkëton të ardhura më tepër, në nivelet 35-40 milionë euro.

Nga krahasimi i 5 viteve te fundit, tregon se në vitet 2020-21-22 ku tatimi ka qenë në nivelet 3%, për buxhetin e shtetit janë realizuar mesatarisht 44 milionë euro të ardhura për çdo vit nëpërmjet këtij tatimi, pra rreth 60% me tepër në krahasim me vitin 2019 ku tatimi ka qenë 15%.

“Në këtë kontekst, si NAREA ne ndajmë qëndrimin se një barrë fiskale kaq e lartë, prej 15% ngadalëson transaksionet, duke ngurtësuar investimet, konsumimin e stokut dhe sjellë tkurrjen në këtë sektor, duke çuar në rënie të tij me 250-300 milionë euro; ndikon negativisht në të ardhurat buxhetore të realizuara, me të paktën 35-40 milionë euro; nxit informalitetin, duke prodhuar mënyra më të sofistikuara për të shmangur barren; neutralizon efektin pozitiv të çdo iniciative për korrigjime të bazës së tatueshme,” thuhet në deklaratën e NAREA.

 

Exit mobile version