Narko-Republika do të shembet, çlirojmë Kavajën

Të dielën, më 7 maj, në orën 11:00, opozita do t’i prijë bashkimit popullor të qytetarëve për të çliruar Kavajën nga kthetrat e krimit. Kreu i PD, Basha paralajmëroi dje nga sheshi i lirisë se, më 7 maj çdo shqiptar do të jetë në Kavajë për të mos lejuar që krimi të drejtojë jetën e qytetarëve të Kavajës.
“Me fatet e shqiptarëve nuk mund të luhet më. Me popullin nuk mund të luhet më. E aq më pak të shpresosh që opozita do të marrë rolin e alibisë së lojërave të teatrit të kukullave në kurriz të shqiptarëve.
Të dielën në orën 11:00, ku do të jeni? (Protestuesit –Në Kavajë).
Ku do të jeni? (Protestuesit – Në Kavajë).
E gjithë Shqipëria me forcën e bashkimit më të madh në historinë e saj, paqësor, por të vendosur deri në fund.
Më 7 maj çlirojmë Kavajën nga krimi, çlirojmë Kavajën nga droga, çlirojmë Kavajën nga pasiguria dhe poshtërimi.
Kavajasit e ndershëm, fisnikët dhe kreshnikët e lirisë dhe demokracisë janë në ballë të kësaj beteje. Por sot dhe më 7 maj nuk do të jenë vetëm me çdo zemër të lirë të qytetarëve të Kavajës, do të rrahin mijëra zemra shqiptarësh.
Të dielën jemi të gjithë banorë të kryeqytetit të lirisë, jemi të gjithë në këmbë për lirinë e Kavajës, për lirinë e Shqipërisë, për lirinë e shqiptarëve.Bashkë në Kavajë, bashkë në Kavajë për fitore, për fitoren e popullit, për fitoren e Shqipërisë demokratike, për zgjedhje të lira e të ndershme”, u shpreh kreu i PD, Basha.
Kreu i PD i bëri thirrje edhe një herë Ramës të tërhiqet nga roli i bllokuesit të krijimit të kushteve për zgjedhje të lira, pa ndikimin e drogës dhe krimit.
“Nga Kavaja sot vijnë lajmet e atmosferës më historike që qyteti ka përjetuar që në vitet e lavdishme kur u kthye dhe mbeti në zemrën e çdo shqiptari si kryeqyteti i lirisë dhe demokracisë. Koha për t’i thirrur mendjes është sot.
Çdo ditë që kalon rrit vendosmërinë dhe bashkimin e shqiptarëve. Çdo ditë që kalon shanset për një kompromis midis dy realiteteve zëvendësohen nga mundësia e padiskutueshme e realitetit që po vjen e do të vijë, Republikës së re të qytetarëve shqiptarë.
Ndaj edhe sot, siç i bëra thirrje në fund të takimit, i përsëris thirrjen t’i thërrasë mendjes, të realizojë se kriza shqiptare e konfirmuar botërisht që ka për bazë drogën, krimin dhe shtetin e njehsuar me pushtetin nuk zgjidhet me dokrra, nuk zgjidhet me fake news, nuk zgjidhet me gënjeshtrat që ke derdhur e derdh nga Brukseli në Uashington, nuk zgjidhet me deklarata të paguara se ato shtrenjtë i paguan, por zgjidhet vetëm në qoftë se shqiptarët e konsiderojnë të zgjidhur, vetëm nëse shqiptarët e konsiderojnë të mjaftueshme për zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Basha.

Qeveria teknike, rruga për të kthyer normalitetin

Krijimi i qeverisë teknike është e vetmja rrugë që do t’i risillte vendit normalitetin përmes mandatit të saj për luftuar drogën, krimin, garantuar kushtet për zgjedhje të lira. “Qeveria teknike me mandate për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për t’i dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike. Kushdo që bashkohet me këtë rrugë është i mirëpritur në një bashkim kombëtar pavarësisht prej përgjegjësive që mund të ketë patur deri më sot për thellimin e të keqes. Kjo lëvizje ka shpirtin e madh, të falë, të mos harrojë, por të ecë përpara. Por nëse forcës së argumentit dëshiron t’i lësh vendin me argumentin e forcës atëherë populli është gati të të mposhtë totalisht”, u shpreh Basha.

Opozita do ndalë inkriminimin e Kavajës

Pasi u detyrua të tërheqë kandidaturën e gruas së trafikantit Gentian Daja, Edi Rama, ka zgjedhur një tjetër person për Bashkinë e Kavajës po aq të implikuar në korrupsionin e kësaj Bashkie, sa paraardhësi i tij. Bëhet fjalë për Klodian Shehin, i cili me firmën e tij që nga dhjetori ka ligjëruar të gjitha pazaret e Rroshit në këtë bashki, lejet e ndërtimit, tenderat e rrugëve e të tjera si këto. Burime nga ky qytet bëjnë me dije se Shehi, ishte pjesë e grupit Rroshi-Daja, dhe qehaja i punëve të ish-kryetarit në qytetin e vogël bregdetar. Por, kjo nuk është e gjitha! Klodian Shehi duhet t’i përgjigjet dhe një pyetjeje që ka të bëjë me ligjin e dekriminalizimit, të cilin duket se e ka fshehur në formularin që plotësohet për këtë qëllim. Klodian Shehi, dyshohet se ka qenë i dënuar me gjashtë muaj arrest shtëpie përpara 10-12 vjetësh në shtetin italian për aktivitete të paligjshme atje. Është detyrë e Prokurorisë të verifikojë, nëse bëhet fjalë për trafik narkotikësh, prostitucion apo ndonjë vepër tjetër penale. Të njëjtat burime bëjnë me dije se njohjet mes Enverit të Kavajës, Klodian Shehit dhe Gentian Dajës janë të hershme, dhe nuk përjashtohet mundësia që të kenë qenë shokë armësh në trafiqet e paligjshme në rininë e hershme të tyre, të cilat për momentin i kanë pezulluar, pasi i kanë hyrë lojërave të pushtetit. Në rast të një verifikimi nga ana e Prokurorisë, ligji për dekriminalizimin e detyron Klodian Shehin të heqë dorë nga kandidimi, por dhe nga funksioni që ka aktualisht si nënkryetar i Bashkisë atje. Por nga ana tjetër, kandidimi në fjalë tregon dhe diçka tjetër, e cila po përcillet me shqetësim nga qytetarët e Kavajës. Nevoja që ka Edi Rama dhe banda e Rroshit për të mbajtur me çdo kusht Bashkinë e Kavajës, i çon në ndërmarrje të tilla, sa të jepet përshtypja se në qytetin që u ngrit i pari për demokraci këtu e 27 vite më parë, nuk mund të gjesh një njeri për të qenë që të administrojë punët e qytetit, por vetëm banditë, kriminelë dhe narkotrafikantë. Klodian Shehi, ka qenë kryetari de jure i Bashkisë së Kavajës, që prej dhjetorit të këtij viti kur KQZ i hoqi mandatin Rroshit me pesë emra. Themi de jure, sepse de fakto këtë bashki ka vijuar ta komandojë Rroshi, i cili ka dhënë miratimin ose jo për tenderat e zhvilluara. Shehi ka dhënë vetëm firmën dhe mesa duket ky është dhe qëllimi. Rroshit dhe Ramës i duhet një kryetar de jure, sepse de fakto do të vazhdojë të qeverisë Rroshi. Aq paranojak është bërë ky i fundit se mos humbasë benefitet që i vijnë nga të qenurit kryetar bashkie, sa burime brenda PS-së së këtij qyteti bëjnë me dije, se pas kandidimit të bashkëshortes së Gentian Dajës, ka kthyer mendje dhe ka ndërhyrë personalisht tek Rama që ajo të mos kandidojë, duke bërë të mundur miratimin e kandidaturës së Shehit, një ish-ushtar i tij i rinisë. Një skenar tipik mafioz, ku personazhet nuk ia kanë besën për punët e pista as miqve të tyre më të ngushtë, siç është rasti Daja-Rroshi. Sot, Gentian Daja në Kavajë, ka mbetur dhe pa bashkinë, por edhe pa Partinë, nga e cila dha dorëhqjen siç ishte marrëveshja paraprake.

Arben Shahini

Exit mobile version