Narkoeuro dhe narkodollari përmbysin valutën

Gjatë 20 ditëve të fundit monedha e vendit (Lek) është forcuar në krahasim me monedhën evropiane Euro. Kursi i këmbimit të Euros ka rënë, madje duke shënuar nivele më të ulëta edhe se ato të regjistruara në periudhën e zgjedhjeve të përgjithshme 2017, kur një sasi e madhe eurosh u hodh në treg.
Në qershor të 2017 euro këmbehej me 131,98 lek, ndërsa më 12 mars kursi i këmbimit kapi vlerën e 131, 57 duke shënuar kështu një rekord të ri. Mesa duket rënia e euros e nisur në fillim të vitit nuk do të ndalojë.
Sipas ekspertëve, shkaqet janë:
– sasia e madhe e monedhës së huaj cash e pranishme në tregun, kryesisht euro por edhe dollarë amerikanë;
– niveli i ulët i qarkullimit të lekut në tregun e brendshëm, si pasojë e tkurrjes së konsumit dhe të tregut në përgjithësi;
– niveli i ulët i normave të interesit të depozitave në euro në bankat e nivelit të dytë, i shkaktuar nga politika e de-eurozimit e zbatuar nga Banka Qëndrore, e cila ka rritur kërkesat për rezervat e detyrueshme për depozitat në euro;
– niveli i reduktuar i dividentëve të kompanive të huaja, që normalisht në këtë stinë blejnë euro për të transferuara të ardhurat drejt kompanive të tyre mëmë jashtë vendit.
Duket qartë se ndërtimet e shumta të cilat po shfaqen kudo në Tiranë, me vlerë investimi prej disa dhjetra milionë eurosh dhe pa asnjë kredi, po ndikojnë shumë në gjendjen e lekut dhe monedhës së huaj, duke nxjerr në pah një nga shumë anomali të sistemit ekonomik dhe ligjor shqiptar.

Artikulli paraprakPse po dënohen arkitektët e Ramës?
Artikulli tjetërSi kompania ruse “Gunvor” e lidhur me Putinin ndan me Ramën dhe Beson 75 milionë euro