Nastradini, gozhda, Rama dhe Fusha!

Dritan KABA

Parlamenti, vetëm me votat e rilindësve, i dha rrugë ligjit të grabitjes së pronës publike për llogari të firmës ‘Fusha’, alias Edi Rama.
Ligji u ndryshua formalisht, nga ai i miratuar në fund të korrikut, sërish me vetëm votat e rilindësve.
Tashmë me ligj, është shpallur garë e “hapur” për të gjithë.
Por kush e vërteta dhe sa është realisht “garë“. Të mos harrojmë kemi të bëjmë me një pronë ku shteti zotëron mbi 90% të sipërfaqes.
Në emisionin ‘Real Story’ Edi Rama, si një fëmijë i lumtur që ka gjetur arsyen për të marrë lodrën e tij të preferuar, në këtë rast tokën publike për të ndërtuar kullat, u shpreh: Ne do hapim garën kush të dojë le të marrë letrat e pronarëve dhe të konkurrojë. Më pas ai vazhdoi në rolin e avokatit të firmës Fusha – se kush do futet në garë dhe të ndërtojë i duhet edhe leja e pronarëve ngjitur me të, d.m.th. të firmës Fusha. As u skuq as u zverdh, që nga
Kryeministër ishte kthyer në avokat.
Fytyra i qeshte se kishte gjetur zgjidhjen. I lumtur, i qeshur dhe hokatar. Arsyetimi i tij me kujtoi historinë e gozhdës së Nastradinit. Rama e kishte ngulur gozhdën e tij, në mars të vitit 2016. Pasi mori tepsinë, ai do të marrë edhe pronën publike. Gozhdën e kishte.
Për ata që nuk e dinë punën e gozhdës së Nastradinit, po ua tregoj.
Nastradini i gjendur në vështirësi për para, vendos të shesë shtëpinë. Problemi ishte se Nastradinit i duhej vendi ku kishte shtëpinë.
I njohur për marifetet e tija e vendos shtëpinë në shitje me një çmim shumë më të lirë se çfarë vlente. Erdhi Hasani që donte të blinte shtëpinë dhe i thotë: “Pse o Nastradin e shet kaq lirë?”,

Nastradini i përgjigjet, “E shes se më duhen para për të paguar ushtrinë e djalit të vetëm, por kam një kusht. E gjithë shtëpia është e jotja, dua vetëm një gozhdë të jetë e imja, një gozhdë që e ka vendosur stërgjyshi që kur e ka ndërtuar shtëpinë.”
Blerësi duke parë çmimin shumë të leverdishëm i thotë, “Hallall o Nastradin të qoftë gozhda.” Shkuan tek kadiu që të bënin letrat e shitjes dhe u shkrua:
“Shtëpia i shitet blerësit Hasan dhe gozhda ngelet pronë e patjetërsueshme Nastradinit. Ai, Nastradini, mund ta përdorë sa herë të dojë.”
Firmosën letrat, Nastradini mori paratë e ikën. Në familjen e Nastradinit filloi i biri, gruaja, vëllezërit dhe miqtë t’i thonin po si e shite kaq lirë o Nastradin, ndërsa ai vetëm qeshte. Kaloi një javë dhe ne një ditë të bukur shkon Nastradini tek shtëpia që kishte shitur, në vakt dreke dhe i thotë Hasanit, “ A ta var pak xhaketën tek gozhda ime?”, po i thotë Hasani, e jotja është.
Vari xhaketën Nastradini dhe ikën.
Pa kaluar një orë shkon sërish Nastradini dhe i kërkon të marrë sërish xhaketën.
“Bujrum”, i thotë Hasani, -do pish ndonjë gjë?”
“Jo, se kam punë”, i thotë Nastradini. Merr xhaketën dhe ikën. Pas kësaj Nastradini filloi te shkonte orë e pa orë, në mes të natës, pa u gdhirë, në drekë, në darkë përditë. Kaluan dy muaj dhe Hasani nuk po gjente qetësi, Nastradini shkonte edhe 20 herë në ditë. Pa ç’pa Hasani i shkretë, një ditë i tha Nastradinit , “O Nastradin mos eja më se më çmende!”
“Po, çfarë sikleti ke” , i tha Nastradini, “unë tek gozhda ime po shkoj. Shtëpia është e jotja.”
“Dëgjo”, i thotë Hasani, “mos eja më.”
“Si të duash, i thotë Nastradini, “por gozhda është e imja.
Një ditë Hasani nuk i hapi më derën. Nastradini e thërret Hasanin para kadiut. E merr vesh e gjithë qabeja. Shkojnë për të ndjekur gjyqin e Nastradinit me Hasanin. Gjatë gjyqit kadiu i thotë Hasanit, “E bleve shtëpinë me vullnetin tënd ?” Po, i thotë Hasani.

“Gozhda është e Nastradinit në karta?”
“Po”, i përgjigjet Hasani.
“Dmth Nastradini shkon në pronën e tij?”
“Po”, thotë i shkreti Hasan.
Pas disa pyetjeve kadiu i tregon dhe aktin e shitjes, i cili ishte nënshkruar para tij.
“Është i vërtetë ky akt”, pyet Kadiu.
“Po”, i thotë Hasani i ngratë, që e kishte zënë edhe sikleti, por edhe inati.
“Atëherë unë vendos”, shprehet kadiu, “Nastradini mund të shkojë sa herë të doje të varë xhaketën në pronën e tij, ndërsa Hasani nuk mund ta pengojë.”
Tërbohet Hasani, po nuk kishte çfarë të bënte. Gjithë qabeja e kishte marrë vesh këtë, sepse gjyqi u bë në mexhlis. Vendosi ta shiste shtëpinë i ziu Hasan, por nuk ia blinte kush. Të gjithë e dinin punën e gozhdës së Nastradinit.
Nastradini vazhdonte të tijën. Orë pa orë shkonte herë varte xhaketën dhe herë e merrte. Pas nja tre muajsh gjendja u bë e padurueshme. Hasani i shkon Nastradinit dhe i thotë, “A ma ble shtëpinë o Nastradin?”
“ Jo?”, i thotë Nastradini, “nuk më duhet.”
“ Aman”, i thotë Hasani me lot ne sy, “merre me çmimin që do ti, vetëm merre.”
“Mirë, i përgjigjet Nastradini, e marr, por me gjysmën e çmimit.”
E çfarë të bënte Hasaniziu, pranoi, se as nuk e shiste dot shtëpinë as nuk po jetonte dot rehat.
Kështu është edhe puna e tokës dhe ligjit të miratuar nga Rama për garën e prishjes së teatrit me ligjin e miratuar sot dhe e tokës së Fushës, si gozhda e Nastradinit. Rama e nguli gozhdën e tij në trupin e truallit pranë teatrit dhe bën sikur shpall gare.
Eh, Ed Nastradi, Gozhda Fusha dhe ligji i Kadijve rilindës të Parlamentit!

Exit mobile version