“Nata e Shën Bartolomeut” në Tiranë

Uran BUTKA

Pas masakrave të shkaktuara nga lufta civile në të gjithë Shqipërinë, i erdhi radha edhe kryeqytetit.
Ishte përgatitur me hollësi një masakër nga forcat komuniste, nën pretektin e asgjësimit të reaksionit dhe spastrimit të vendit. Sipas strategjisë së PKSH dhe skenarit të veçantë për Tiranën, dita e çlirimit duhet ta gjente Shqipërinë dhe sidomos kryeqytetin pa ata nacionalistë e intelektualë properëndimorë, pa figurat e njohura të kulturës dhe të arsimit shqiptar, pa ata oficerë patriotë që nuk u bashkuan me Frontin, nëpunësit e ndershëm, pa pronarët, tregtarët e biznesmenët që gjallonin në ekonominë e tregut të shtetit shqiptar, pa ata atdhetarë e demokratë që kishin luftuar dhe aspiruar për një Shqipëri të pavarur, të bashkuar dhe demokratike. Një nga idhtarët dhe organizatorët më të egër të këtij genocidi, Kristo Themelko, agjent i jugosllavëve me pseudonimin sllav “Shulja”, thotë: “Kjo rruga jonë terroriste ka lindur si vijë…Nga kjo rezulton se të gjithë ata elementë që janë kundër nesh, por që s’ka fakte, të pushkatohen qysh tani…Veçse me i pastrue gjatë luftës, veçse duhej me i pastrue me mënyrën që të mos merren vesh prej popullit… Janë vrarë edhe ata që janë dorëzuar”. Natyrisht, ky genocid nuk ishte sporadik, por i organizuar dhe drejtohej nga kryeterroristi Enver Hoxha, i cili më vonë mundohet të lajë duart si Pilati. “Kur unë kam biseduar me Enverin, – pohon K.Themelko, – ai më ka këshilluar që kur të hynim në qytet, të spastronim elementët e rrezikshëm. Prandaj, kur hyra në Tiranë, kërkova një listë nga organizata për këta elementë”. Për masakrat pohon me gojën e vet sekretari i qarkorit të PK të Tiranës, Gogo Nushi në relacionet e tij drejtuar E. Hoxhës: “Këtë shpirt terrorist e kemi parë ditët e fundit në Tiranë. Kjo tregon vijën tonë. Me hyrjen e forcave tona janë vrarë 60 vetë. Listën e kemi. Unë mendoj që asnjë nga ata nuk e meritonte këtë dënim. Jemi të sigurtë se do të kemi edhe të tjerë. Numri do të ketë kaluar edhe të 100?.
Pra, kemi të bëjmë me një genocid me motive politike dhe me përmasa kombëtare. Në Tiranë u vranë pa gjyq dhe pa faj, pabesisht dhe në mesnatë, në grup apo njëpasnjë prapa krahëve, madje edhe në pragjet e shtëpive, në qoshe rrugicash, në breg të lumit, në Sharrë, Priskë e Sauk, pa dhënë asnjë shpjegim, pa lënë asnjë gjurmë, duke i lënë edhe pa varr, figura të njohura nga e gjithë Shqipëria, nga Kosova e Dibra e Madhe e Çamëria, madje edhe shtetas të huaj, në mënyrë që terrori dhe frika të ndjehej kudo e të përhapej rrathë-rrathë nga Tirana në të gjithë trevat shqiptare. Sepse me terror dhe me gjak do ta merrnin dhe do ta mbanin pushtetin, sepse vetëm kështu mund të ngrihej dhe të funksiononte diktatura më e pashembullt e më e përgjakshme në gjithë vendet e Lindjes komuniste, diktatura e E.Hoxhës.
Vrasja e parë politike ishte ajo e klerikut të shquar tiranas, Selim Brahja, më 31 gusht 1943, pa u tharë ende boja e Marrëveshjes kombëtare të Mukjes. Pas prishjes së saj nga PKSH nën trysninë e PKJ, nisi lufta civile e provokuar nga sllavo-komunistët. Selim Brahja është një nga viktimat e saj. E vranë përpara derës së shtëpisë së Zotit, në pragun e Xhamisë. Shtatë vetë të njësitit ndëshkimor të grupit të Pezës, me shalle të kuq në kokë e qëlluan disa herë dhe u zhdukën për t’u shpëtuar pushkëve të shtëpisë së Selim Brahjes. Kjo vrasje shënon edhe fillesën e terrorit komunist në Tiranë. Përse e vranë këtë njeri që ia kishte kushtuar jetën Zotit dhe Shqipërisë?
Ai vinte nga një familje atdhetare. I ati, Ramazan Brahja, pjesmarrës në ngritjen e flamurit më 26 nëntor 1912 në Tiranë. Selim Brahja, intelektual, i lauruar për teologji në Stamboll, iu përkushtua fesë dhe shqiptarizmit. Ai hap shkollën e parë shqipe në Sauk. Gjatë okupacionit italian ai u dënua me burg nga fashistët nga që në shtëpinë e tij priste edhe nacionalistë, edhe partizanë që luftonin për lirinë. Ai mori pjesë në Kuvendin e Mukjes bashkë me Ismail Agë Petrelën, Dr. Nroqin e të tjerë nacionalistë tiranas. Prandaj e vranë njerëzit me yll e shami të kuqe në kokë.
Më 29 tetor 1943 njësiti ndëshkimor i Pezës masakroi barbarisht Besnik Çanon (22 vjeç) dhe Qeramudin Sulo (21 vjeç), dy të rinj intelektualë nacionalistë, pjesmarrës në Konferencën e Mukjes që shkonin në jug të Shqipërisë për të përcjellë mesazhin e kësaj marëveshjeje kombëtare.

13 të pushkatuarit pa gjyq nga Mehmet Shehu

Po në tetor të këtij viti, M.Shehu pushkatoi pa gjyq në Priskë 13 xhandarë që u dorëzuan në mirëbesim në Brigatën e Parë për të luftuar bashkë me të kundër gjermanëve, ndërmjet tyre: Preng Marku nga Kaçinara, Zef Ndoc Simoni nga Fishta, Preng Lek Shkreli nga Malësia e Shkodrës, Pjetër Shkalleshi nga Kthella dhe kapter Ali Maksuti nga Margëlliçi i Çamërisë, ish-lulishtar i njohur i Tiranës.
Më vonë vranë edhe profesor-doktor Lorenc Rashën, nga Shkodra, njeriun e dijes. Shkollën e mesme dhe universitetin i kreu në Austri me rezultate të shkëlqyera dhe me një doktoratë për linguistikë. Tre doktorata të tjera shkencore i fitoi me punë dhe aftësi të jashtëzakonshme nëpër universitetet e Europës, si edhe zotërimin e shumë gjuhëve të perëndimit e të lindjes.
Këtë intelektual dhe nacionalist të njohur e pushkatoi pa gjyq më 12 shtator 1944 toga e pushkatimit e batalionit partizan “Dajti”, buzë përroit të Priskës, në vendin e quajtur Paraspur.
Vrasja e një kleriku, e dy studentëve, e një intelektuali dhe e dhjetëra ushtarakëve, ishte prologu i terrorit komunist në periferi të Tiranës, që zbriti mandej në zemrën e kryeqytetit.
Sipari i kësaj tragjedie hapet natën e 28 tetorit 1944, kur forcat komuniste që qëndronin në ilegalitet apo që kishin penetruar ato ditë në Tiranën e pushtuar, në vend që të godisnin pushtuesit gjermanë, futeshin fshehtazi natën si hienat nëpër shtëpitë tiranase dhe arrestonin apo pushkatonin shqiptarët që ishin shënuar nëpër listat e vdekjes nga krerët e tyre. Kështu ia behën në mesnatë tek shtëpia e Ymer Dërhemit dhe arrestuan Akil Sakiqin, Nazmi Uruçin dhe Fahri Dabullën. “Ju kërkojnë për një sqarim”. Por i pushkatuan po atë natë.
Akil Sakiqi ishte nga Dibra e Madhe. Familja e tij atdhetare, e ndjekur nga genocidi serbo-maqedonas u shpërngul në Turqi, mandej u vendos në Tiranë. Akili, pasi mbaroi Liceun e Korçës, kreu Akademinë Ushtarake në Romë, degën e Rojes së Financës. Shërbeu me devotshmëri në Durrës, Shkodër etj., gjithnjë në prapavijë. Më 7 prill 1939 luftoi tok me Myftar Jegenin e mjaft oficerë të tjerë të Ushtrisë Kombëtare kundër agresionit italian.
Edhe Nazmi Uruçi prej Dibrës së Madhe ishte nga një familje patriote. Fahri Dabulla nga Gjirokastra. Adili, Nazmiu dhe Fahriu, të tre oficerë të njohur të karrierës, atdhetarë të flaktë, shqiptarë të ndershëm e të panjollosur, e kishin kryer së bashku me E. Hoxhën Liceun e Korçës. Terroristi Hoxha i futi shokët e liceut në listat e vdekjes. I pangopur me vdekjen e tyre, ai i përmend ata me urrejtje patologjike dhe pa asnjë shenjë pendese edhe pas disa dekadash në librat e tij, kur rreket të falsifikojë historinë.
“Pak para plenumit më vjen S.Malëshova gjithë “alarm”.
– Po bëhet shumë terror, – më thotë gjithë zemërim.
– Terror? – e pyeta i habitur. – Ku ?
– Në Tiranë, – më përgjigjet. – po vriten shumë oficerë të penduar.
– Në Tiranë vazhdon lufta e madhe për çlirimin e kryeqytetit, – i thashë. – Kë quan terror ti? Dhe për cilët oficerë më ankohesh?”
Çfarë hipokrizie! Dihet që në plenumin e Beratit (24-27 nëntor 1944) përpara të dërguarit të PKJ, V.Stoiniç, E.Hoxha pranoi tejet i nënshtruar: “Po vriten në Tiranë me dyzina njerëz dhe oficerë të dorës së dytë të cilët, duke pasur besimin e plotë në drejtësinë dhe në shpalljen tonë, dorëzohen. Një punë e tillë nuk është okazionale, por është tërë toni që i është dhënë punës organizative të partisë dhe të ushtrisë. Shokët tanë mendojnë vetëm të zhdukin çdo njeri që s’është me ne, që s’mendon si ne, të zhdukin bile edhe njerëz të thjeshtë të popullit”.
Nata e 28 tetorit ishte caktuar nga Qarkori i PK për Tiranën si nata e vrasjeve masive të ushtarakëve të karierës. Atë natë u pushkatuan: Hamit Greblleshi, nga një familje autoktone tiranase, mësues dhe më vonë, pasi kreu Akademinë Ushtarake në Stamboll, oficer i Xhandarmarisë të shtetit shqiptar deri në vitin 1939, kur doli në lirim për arsye shëndetësore.
“A mund të vritej një njeri që për tre muaj kishte shërbyer detyrën e oficerit të prapavijës? – pyet Kujtimi, djali i Hamitit. – Kjo pyetje na ka ndjekur tërë jetën qysh nga dita e vrasjes së babait tonë”. Djali tjetër, Mustafai, autori i romanit të famshëm “Gremina e dashurisë” u burgos dhe vuajti në skëterrën e burgjeve komuniste, por qëndroi se kishte genet e të atit, të cilit i kushtoi në qelinë 79 të burgut të Tiranës elegjinë “Qetësi”.
Hamit Greblleshi u arrestua bashkë me oficerët e tjerë që jetonin në rrugën e Tabakëve, Hasan Dinen nga Maqellara e Peshkopisë, me akademi ushtarake të kryer në Itali, atdhetar bir atdhetari, Azis Blloshmin nga familja e njohur e Blloshmëve të Bërzeshtës, që kishte kryer studimet ushtarake në Vienë, Faik Shkupin, shqiptar nga Shkupi, i lauruar për ushtarak në Itali dhe shërbente në Shqipëri, Mehmet Dadon dhe Boris Belevskin, rus i bardhë, oficer në ushtrinë shqiptare, Aleks Mavraqi, Selmam Shtjefni, Bajram Cuka e të tjerë që nuk u dihen as varret.
Genocidi për motive politike vazhdon me intensitet brenda dhe në rrethinat e Tiranës. Më 3 nëntor 1944 forcat komuniste pushkatuan pa gjyq në Sharrë të Tiranës tre deliallisët e shquar të Shijakut: Kapllan Deliallisi, deputet i Shijakut në Parlamentin shqiptar dhe i vëllai, Jakup deliallisi, ish-kryetar i komunës së Shënavlashit dhe të Luzit. Bashkë me ta u pushkatua edhe Shefqet Deliallisi, i biri i atdhetarit të njohur Ymer Deliallisit – sekretar personal i Ismail Qemalit, një oficer i ri, i diplomuar në Akademinë Ushtarake në Romë, por që e priti me indinjatë pushtimin fashist dhe u vetlargua nga detyra, sepse ishte kundër pushtuesve, ashtu siç kanë qenë brez pas brezi deliallisët e Shijakut. Bashkë me këta martirë, u pushkatua edhe Isuf Allamani, nga familja në zë e Allamanëve të Matit. Ç’kishte bërë Isufi që e vranë? Kishte studiuar për agronomi në Universitetin e Firences dhe ishte kthyer në Shqipëri për të dhënë ndihmesën në ripërtëritjen ekonomike të vendit. Ai themeloi Fermën e Xhafzotajt, një ekonomi moderne bujqësore e kapitaliste dhe ishte drejtori i saj, kur u arrestua e u pushkatua pa gjyq, ndonëse nuk ishte përzier fare në çështjet politike.
Po në Sharrë u pushkatuan pa gjyq dhe u hodhën mbi njëri-tjetrin në një përrua, pesë viktima të tjerë: kapiten Bajram Cuka, Selim Kelmendi, Ndue Pali, Minella Toçi dhe Selaudin Korça.
Selim Kelmendi, nga Vuthaj i Gucisë, i kishte ikur me armë në dorë terrorit serbo-malazez tok me dy vëllëzërit e tij, Rustem e Ramë, pjestarë të çetës së Azem Galicës, por nuk i shpëtoi dot terrorit të çetnikëve shqiptarë.
Selaudin Korça, i biri i patriotit të madh, klerikut, filozofit, publicistit, poetit dhe antikomunistit të njohur Hafëz Ali Korça, që vazhdonte studimet e larta në Itali, por që erdhi në Shqipëri për t’u bërë pre e terrorit komunist.
Më 10 nëntor, ra pre e këtij terrori tek Ura e Brrarit, oficeri Subi Topulli nga familja e shquar e Topullenjve të Gjirokastrës. Vrasësit e masakruan dhe zhdukën çdo gjurmë të tij, duke hapur fjalë se ishte arratisur nga Shqipëria.

U goditën familjet e mëdha dhe intelektualët

Vijmë kështu te nata e 12 nëntorit në Tiranë, që është, quajtur edhe “nata e Shën Bartolemeut”. Atë natë u bë masakra më e madhe, një dënin dhe vrasje kolektive pa gjyq e 14 figurave të shquara të kombit e të kulturës shqiptare.
Ismail Agë Petrela është një nga figurat madhore të Shqipërisë, që u pushkatua mesnatën e 12 nëntorit. Pse e kishin futur në listat e vdekjes Ismail Petrelën? Sepse ishte nga një familje e madhe, vetë ishte një nacionalist i shquar, një luftëtar i lirisë, një demokrat i vendosur, një burrë i mençur tiranas, një intelektual i njohur që dinte disa gjuhë perëndimore, një njeri i kulturës, sidomos e asaj muzikore. Kulmet e veprimtarisë atdhetare të Agë Petrelës janë pjesëmarrja aktive në Revolucionin e Qershorit, në Lëvizjen e Fierit, në Konferencën e Pezës, në Kuvendin e Mukjes dhe lufta kundër pushtuesve italianë në krye të çetës së tij, që vepronte në Shqipërinë e Mesme. Ja, përse e vranë komunistët Ismail Agë Petrelën! Në çastin e pushkatimit u tha ekzekutorëve: “Qëlloni, burrat një herë vdesin!”
Terroristët këtë herë zgjodhën për të masakruar familjen e shquar Kokalari nga Gjirokastra. Pushkatuan natën e 12 nëntorit në skutat e hotel “Bristol”-it Muntaz, Vesim dhe Syrja Kokalarin. Muntazi dhe Vesimi, pionierë të arsimit kombëtar, themelues të shtëpisë botuese “Mesagjeritë Shqiptare” që botoi vepra madhore të letërsisë sonë e të huaj, intelektualë të klasit të parë, bashkë me vëllanë e tyre Hamit Kokalarin, i cili shkroi atëbotë librin e famshëm “Kosova – djep i shqiptarizmit” dhe motrën Musine, shkrimtaren e parë shqiptare, nacionalisten dhe demokraten e shquar, që diktatura më pas e burgosi dhe e internoi gjersa vdiq.
Po atë ditë terroristët komunistë pushkatuan edhe Nebil Çikën, filozofin, publicistin, demokratin e madh. Ai ka qenë redaktor dhe kryeredaktor i mjaft organeve të shtypit të lirë shqiptar si “Revista Pedagogjike”, “Reforma”, “Jeta”, “Arbëria”, “Miku i Popullit”, “Minerva”, “Bota e Re” etj. dhe autor i veprës së njohur “Njimendësia shqiptare” që e vendosi atë në elitën e zgjedhur të kombit. Pikërisht këtë elitë vrau komunizmi.
Ai goditi familjet e mëdha që kishin nxjerrë njerëz të shquar, për të ndërprerë traditën, për të tharrë burimin, për të venitur e nënshtruar Shqipërinë. Një nga ato, është edhe familja tiranase Lleshi. Të gjithë burrat e saj u sakrifikuan për një Shqipëri të lirë, të bashkuar në trojet e saj etnike dhe demokratike. Muharrem Lleshi e priti me indinjatë pushtimin italian, ndërsa dy djemtë e tij Sulejmani dhe Islami, nacionalistë, u internuan nga italianët në Itali dhe Porto Romano, më pas ishin luftëtarë të batalianit “Besnik Çano” që luftoi edhe në Kosovë për çlirimin e saj. Sulejmani themeloi gjimnazin e Gjakovës dhe qe drejtori i parë i tij.
Në mesnatën e 12 nëntorit, terroristë të armatosur hynë në oborrin e shtëpisë së Lleshëve, ku ishin strehuar demonstrues antifashistë apo ilegalë dhe thirrën emrin e Muharrem Lleshit. Sa u shfaq ai te pragu i derës, një breshëri automatiku e la të të vdekur e të mbuluar me gjak.
Familja tjetër e njohur tiranase që u godit ishte ajo Stërmasi, që kishte nxjerrë njerëz të dëgjuar si Xhaferr Stërmasin, flamurtar i Pavarësisë. I biri, Reshati, i mëkuar me shqiptarizëm dhe dije, kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali dhe shërben me devotshmëri në Ushtrinë kombëtare Shqiptare. Në prill të vitit 1939, në shenjë proteste ndaj pushtimit italian, dha dorëheqjen, sepse nuk donte t’u shërbente fashistëve. Merr pjesë në protestat dhe demonstratat anti-italiane. Si nacionalist i kulluar, merr pjesë qysh në vitin 1942 në Organizatën e Ballit Kombëtar dhe në vitin 1943 u caktua komandant i Rinisë së Ballit të Tiranës, të cilën e udhëhoqi në luftë kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Ja pse e vranë Reshat Stërmasin!
Gjahut të tyre nuk i shpëtoi as Rifat Tërshana, nga Dibra e Madhe, oficer rekrutimi që shërbeu me përkushtim në Korçë, Fier dhe Durrës. Ndërkohë, ndihmoi edhe Lëvizjen NÇ. Por, nuk e llogaritën, kur e pushkatuan natën e përgjakshme 12 nëntorit.
Terrori masakroi edhe njerëz të thjeshtë e të patrazuar në politikë. Lluka Xhumari, nga qyteti i Durrësit, kishte kryer në Itali shkollën teknike dhe ishte bërë mjeshtër në profesionin e tij. Njeri me inisiativë private, hapi një punishte të vogël të cilën e zgjeroi në shoqërinë automobilistike SAKT. E pushkatuan në rrënojat e hotel “Bristol”, sepse ishte njeriu i biznesit, i inisiativës së lirë, i ekonomisë së tregut, investitor i suksesshëm, bamirës, njeriu i së ardhmes.
Po ashtu, edhe Ali Panariti, nga Korça, tregtar i njohur në Tiranë e Durrës, mandej sipërmarrës për ndërtim rrugësh. Terroristët me në krye sekretarin e celulës komuniste R.Dobrolishti, e morën Aliun nga shtëpia dhe e pushkatuan pa gjyq në breg të lumit të Tiranës, ku e gjetën fëmijët gjysmë të varrosur.
Epilogu i këtij terrori fondamentalist ishte masakrimi i Jorgji Memës, nga një familje patriote e fshatit Shtërmen të Elbasanit. Kishte kryer shkollën Normale, por dëshira e tij ishte t’i shërbente si ushtarak shtetit shqiptar, mandej në funksionin e kryetarit të komunës së Baldushkut e të Mollasit. Jorgji dhe gjithë fisi i Memajve u hodhën në luftën për liri kundër pushtuesve të huaj. Komunistët e arrestuan në Tiranë më 16 nëntor1944 dhe e pushkatuan menjëherë në rrugicën e shkollës “Kristoforidhi”. Tiranasit e mirë e varrosën në oborrin e kësaj shkolle martirin Jorgji Mema.
Kështu u mbyll ky akt i terrorizmit komunist që përgjaku Tiranën, për t’i hapur rrugën terrorizmit shtetëror që përgjaku Shqipërinë dhe kombin për gjysmë shekulli me radhë.

*Lufta civile

Artikulli paraprak15 mijë tonelatat e drogës, rrezik për Sigurinë Kombëtare
Artikulli tjetërBoris Johnson: Britania garanton mbështetje për Kosovën