NATO dhe çështja e furnizimit me karburant të anijeve ruse

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg shprehu shqetësim se luftanijet ruse në Mesdhe mund të përdoren për të instensifikuar sulmet ajrore kundër Alepos. Ai tha vendet e NATO-s duhet të vendosin individualisht nëse duan t’i furnizojnë me karburant anijet ruse apo jo. Kjo çështje u ngrit pasi Rusia i kërkoi Spanjës që të furnizonte me karburant anijet e saj që udhëtojnë drejt Lindjes së Mesme përmes Detit Mesdhe.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu shqetësimin se, aeroplanmbajtësja ruse “Admirali Kuznetsov” mund të përdoret për të intensifikuar sulmet ruse kundër qytetit të Alepos në Siri.

“Rusia ka rifilluar bombardimet në Alepo, të cilat kanë rënduar katastrofën humanitare. Burra, gra dhe fëmijë po vdesin çdo ditë, po vriten nga sulmet e pahijshme ndaj shtëpive të tyre dhe madje edhe ndaj spitaleve. I bëj thirrje Rusisë që të tregojë se po bën përpjekje reale për ndalimin e luftimeve dhe të lejojë dërgimin e ndihmave humanitare në Alepo. Dislokimi i aeroplanmbajtëses “Admirali Kuznetsov” në Mesdheun Lindor ngre shqetësime për mundësinë e intensifikimit të këtyre sulmeve. Ne duam të shohim një ndërprerje të sulmeve pa dallim”.

Zoti Stoltenberg iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me njoftimet se Spanja, një vend anëtar i NATO-s, po shqyrtonte një kërkesë të Moskës për të furnizuar me karburant forcat detare ruse.

“Vendimi për të furnizuar me karburant anijet ruse varen nga vendet anëtare, por unë u kam dërguar atyre një mesazh shumë të qartë se ne jemi të shqetësuar rreth mundësisë së përdorimit të këtyre anijeve për intensifikimin e sulmeve kundër Alepos”.

Britania dje shprehu shqetësimin e saj në lidhje me mundësinë që një vend anëtar i NATO-s të ndihmojë luftanijet ruse dhe veprimet e tyre në Siri.

Aeroplanmbajtësja ruse, “Admirali Kuznetsov” dhe një grup anijesh që e mbështesin atë kohët e fundit udhëtuan drejt Mesdheut përmes Detit të Veriut dhe Kanalit të Lamanshit.

Spanja tha dje se është duke rishqyrtuar çështjen e furnizimit të flotës së anijeve ruse në territorin e saj, Ceuta, në brigjet e Afrikës së Veriut.

Exit mobile version