Polonia dhe më shumë se 20 vende anëtare të Aleancës së Atlantikut filluan sot, një stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë, si pjesë e përpjekjeve për të siguruar vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, të cilat janë të shqetësuara nga veprimet e Rusisë në Ukrainën fqinje.
NATO filloi sot manovrat ushtarake, më të mëdhatë ndonjëherë në Poloni, ndërsa vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore po kërkojnë garanci për sigurinë e tyre, mes shqetësimeve që vijnë nga Rusia. Gjenerali Mark Milley është Shef i Shtabit të Ushtrisë amerikane:
“Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka një qëllim të vetëm në Operacionin Anakonda dhe ky është uniteti i të gjithëve për të demonstruar se jemi krah për krah me popullin e Polonisë, jemi krah për krah me ushtrinë polake dhe krah për krah me NATO-n për të siguruar se të gjitha vendet e aleancës të mbeten të lira dhe të pavarura”.
Kremlini tha se, veprimet ushtarake pranë kufijve të Rusisë nuk kontribojnë për atmosferën e besimit dhe sigurisë në kontinent.
“Rusia ka të drejtën sovrane dhe fuqinë për të ruajtur sigurinë e saj përmes metodave që janë të arsyeshme për rreziqet e sotme”, u shpreh shefi i politikës së jashtme ruse, Sergey Lavrov, një ditë para fillimit të manovrave.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë më të lartat që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Edhe pse Rusia e kundërshton zgjerimin e NATO-s në ish-shtetet sovjetike, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Jens Stoltenberg, ka theksuar se “Lufta e Ftohtë i përket historisë dhe ashtu duam të mbetet”.
Ushtria ruse po shqyrton mundësinë e dërgimit të raketave të teknologjisë së lartë, Iskander, në bazën e saj ushtarake më perëndimore të Baltikut, në Kaliningrad, që kufizohet me Poloninë dhe Lituaninë. NATO thotë se, prania e saj ushtarake ka natyrë mbrojtëse dhe parandaluese dhe është e përqendruar ndaj kërcënimeve që vijnë nga Lindja e Mesme.
Manovrat ushtarake të koduara “Anakonda-16” që po zhvillohen në Poloni do të zgjasin 10 ditë. Në to marrin pjesë 31 mijë trupave, 3 mijë automjete, 105 aeroplanë dhe helikopterë dhe 12 anije luftarake, tha ministri polak i Mbrojtjes, Antoni Macierewicz.
“Stërvitja ushtarake Anakonda synon të vërë në provë aftësitë e vendeve anëtare për të mbrojtur krahun lindor të aleancës”.
Në programin e stërvitjeve ushtarake përfshihen edhe operacione si ato të sulmeve natën me helikopterë, ndërtimi i urave dhe mbrojtja ajrore.