NATO mirëpret Malin e Zi

Mali i Zi, një shtet i vogël në juglindje të Evropës, nga sot do të ketë ulësen e tij në takimet formale dhe joformale të NATO-s. Nga fillimi i qershorit, ndërkaq, do të jetë edhe zyrtarisht anëtari i 29-të i Aleancës Veriatlantike. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se kryeministri malazez, Dushko Markoviq, do t’iu bashkohet për herë të parë aleatëve në takimin e sotëm në Bruksel. “Parlamentet e të 28 aleatëve dhe Parlamenti i Malit të Zi kanë ratifikuar pranimin e këtij vendi në NATO. Ky është një hap përpara për Malin e Zi, për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor dhe për vizionin tonë për një Evropë të tërë, të lirë dhe në paqe”, tha Stoltenberg. NATO i ka dhënë Malit të Zi planin për anëtarësim qysh në vitin 2009, ndërsa më 2015 i ka bërë ftesë për t’iu bashkuar aleancës. Procesi e ka irrituar Moskën, e cila, për kohë të gjatë, ka menduar se mund ta ketë Malin e Zi në sferën e saj të ndikimit. Qëkur Mali i Zi është ndarë nga Serbia në vitin 2006, Moska ka kultivuar lidhje të ngushta me republikën ish-jugosllave, ndërsa investitorët dhe turistët rusë kanë derdhur para të majme atje. Nga viti 2015, afërsia e tyre është kthyer në rrëmujë. Mali i Zi ka fajësuar Rusinë për një komplot për vrasjen e ish-kryeministrit malazez, Millo Gjukanoviq, në tetor të vitit të kaluar. Rusia, në anën tjetër, ka ndërprerë investimet në Mal të Zi, ka zvogëluar turizmin atje, ndërsa, së voni, ka ndaluar edhe importin e verës malazeze. “Jemi të përgatitur për çdo veprim të Rusisë, por asgjë nuk do të na pengojë në rrugën që kemi vendosur të marrim”, u tha gazetarëve, ditë më parë, kryeministri malazez, Markoviq. “Ballkani, me shekuj, ka qenë skenë e luftës midis Perëndimit dhe Lindjes. Si asnjë vend tjetër në rajon, Mali i Zi ka lidhje të fuqishme me Lindjen, por në vitin 2006 (v.j. kur Mali i Zi ka shpallur pavarësinë), kemi marrë një vendim kyç, për të pranuar standardet dhe vlerat perëndimore”, tha Markoviç

Trump: NATO të fokusohet në shpenzime, terrorizëm, imigrim dhe kërcënimin rus

Presidenti amerikan, Donald Trump, sot ka kërkuar nga liderët e 27 vendeve të tjera të NATO-s, që të bëjnë më tepër në luftimin e terrorizmit, ndërsa imigrimin dhe kërcënimin nga Rusia, t’i vendosin lart në agjendën e tyre. “NATO-ja e së ardhmes duhet të përfshijë fokus të madh në terrorizëm dhe imigrim dhe, po ashtu, në kërcënimet nga Rusia dhe kufijtë lindor dhe jugor të NATO-s”, u tha Trump liderëve të tjerë të vendeve anëtare të NATO-s në selinë e aleancës në Bruksel. Donad Trump, i cili njëherë e kishte karakterizuar NATO-n si “të vjetruar”, po ashtu, e ka përsëritur kërkesën e tij që vendet anëtare të bëjnë “kontribute të tyre të plota dhe komplete” për aleancë, duke i rritur shpenzimet e tyre për mbrojtje. “Kjo nuk është korrekte për njerëzit dhe taksapaguesit e Shteteve të Bashkuara”, tha Presidenti Trump, dhe ka shtuar se “nëse vendet e NATO-s i bëjnë kontributet e tyre të plota dhe komplete, atëherë NATO-ja do të jetë edhe më e fuqishme se sa është sot, veçanërisht nga kërcënimi i terrorizmit”. Vendet anëtare të NATO-s në të kaluarën patën shprehur përkushtim për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes deri në 2% të GDP-së së tyre deri në vitin 2024. Aktualisht, vetëm Britania, Estonia, Greqia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara, e kanë arritur këtë nivel të shpenzimeve. Presidenti Trump nuk e ka përmendur fare Artikullin 5 të marrëveshjes së NATO-s për mbrojtje reciproke, ku theksohet se sulmi kundër një vendi anëtar, paraqet sulm kundër të gjithë anëtarëve. I pyetur për përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për Artikullin 5, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se “ai shkon pa u përmendur” dhe se “prania e Trumpit në këtë ngjarje i thekson përkushtimet tona për obligimet e marrëveshjes”.

Artikulli paraprak“Veliera” rikthehet për gjykim në Gjykatën Administrative
Artikulli tjetërNis edukimi i votuesve të rinj, 35 mijë maturantë votojnë për herë të parë