Në Samitin në Varshavë, NATO do të ndjekë një strategji të dyfshtë: trupa shtesë në Lindje dhe njëkohësisht rifillim i dialogut me Moskën. Mikpritësja e Samitit të NATO-s, Polonia kërkon një prani sa më të madhe trupash të NATO-s në vend për shkak të ndjenjës së rrezikut që ka nga Rusia. Edhe vendet baltike duan një prani më të madhe. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u siguroi mbështetje vendeve lindore. Kancelarja gjermane Merkel ia hodhi para Samitit fajin Rusisë dhe ndërhyrjes së saj në Ukrainë për përkeqësimin e gjendjes.
Judy Dempsey, eksperte për NATO-n pranë fondacionit Carnegie tha për “Deutschen Welle”-n se, prania më e madhe e trupave në Poloni dhe vendet baltike është “një masë psikologjike për t’i qetësuar polakët dhe baltët”.
4000 ushtarë shtesë
Udhëheqësit e qeverive dhe të shteteve do të japin në Poloni përfundimisht dritën e gjelbër për vendosjen e nga 1000 ushtarëve shtesë të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni. Përveç kësaj do të përforcohet edhe një brigadë shumëkombëshe në Rumani. Që nga Samiti i fundit në Newport NATO-ja ka krijuar tashmë gjashtë depo me pajisje dhe armatime në shtetet lindore anëtare të NATO-s. Ato janë të destinuara për furnizimin e forcës së reagimit të shpejtë të NATO-s. Kjo trupë e përbërë prej 40 000 vetësh mund të dislokohet brenda pak javësh nga vendet perëndimore të NATO-s në Lindje, në qoftë se Rusia përgatit një sulm. Mbikëqyrja e hapësirës ajrore në kufirin lindor do të zgjerohet. Prania e njësive detare në Detin Baltik dhe në Detin e Zi do të rritet. Në shtetet lindore të NATO-s do të zhvillohen gjithnjë e më shumë manovra më të mëdha.
Dialog me Rusinë – megjithë acarimin e gjendjes
Pavarësisht shtimit të trupave, NATO-ja do të vazhdojë bisedimet me Rusinë. “Ne mbetemi të hapur për dialog”, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Menjëherë pas Samitit në Varshavë do të mbahet një takim tjetër i “Këshillit NATO-Rusi” në nivel ambasadorësh në Shtabin e NATO-s. Këshilli NATO-Rusi qe ngrirë pas aneksimit të Krimesë nga Rusia dhe pas ndërhyrjes ruse në konfliktin në Ukrainën Lindore.
Si shenjë të vullnetit të mirë, Presidenti amerikan, Barak Obama telefonoi pak para Samitit në Varshavë Presidentin rus, Vladimir Putin. Të dy ranë dakord për bashkëpunim të ngushtë në luftën kundër organizatës terroriste të Shtetit Islamik në Siri. Kjo tregon se NATO dhe Rusia kanë interesa të përbashkëta.
Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier (SPD) ka kritikuar se NATO-s tund si tepër jataganin ndaj Rusisë, bën thirrje për luftë dhe lë pas dore dialogun. Për këtë arsye, NATO po përpiqet që përmes ofertës së qartë ndaj Rusisë për “transparencë dhe minimizimin e rrezikut” t’i pakësojë këto frikëra.