NATO vendos për hapësirën ajrore të Serbisë

Aleanca Veri Atlantike, NATO, i ka bërë thirrje Serbisë “që të vazhdojë të përmbushë përkushtimin e saj në kuadër të procesit të normalizimit të Hapësirës Ajrore në Ballkan”, nga i cili, siç thuhet, “do të përfitonin praktikisht që të gjithë”.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se, “normalizimi i hapësirës ajrore shënon edhe një hap drejt ndërtimit të bashkëpunimit rajonal”. Deklarata e zyrtarit të NATO-s pasoi kërkesën zyrtare të Serbisë drejtuar NATO-s për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës.
Një kërkesë të ngjashme autoritetet serbe i kanë proceduar në fund të vitit të kaluar edhe Bashkimit Evropian, me synimin që të marrin kontrollin e hapësirës ajrore të Kosovës, pas përfundimit të mandatit prej pesë vjetësh të Hungarisë.
“Përkushtimi i Serbisë për normalizimin e hapësirës ajrore ishte një pjesë e rëndësishme e vendimit të aleatëve të NATO-s që të relaksojë plotësisht zonën e sigurisë ajrore”, tha zyrtari i NATO-s.
Ndërkohë, drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, Dritan Gjonbalaj, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se mundësitë që Serbia ta marrë kontrollin mbi hapësirën ajrore të Kosovës, janë zero.
Mediat në Beograd kanë cituar kryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili ka deklaruar se një delegacion i qeverisë së tij, më 14 dhjetor, do të bisedojë në Bruksel me Aleancën Veri Atlantike që Beogradi të marrë nën kontroll hapësirën e ulët ajrore mbi Kosovën.
Hapësira e ulët ajrore shtrihet në lartësinë deri në 6,500 metra, e cila kontrollohet nga autoritetet e Kosovës. Kjo hapësirë shërben për aterime dhe ngritje nga aeroporti, për kompanitë ajrore që e kanë destinacion Prishtinën apo që nisen nga Prishtina.
Pretendimeve të Serbisë që ta marrë nën kontroll këtë hapësirë, Gjonbalaj u përgjigjet negativisht.
“Kjo pjesë e hapësirës ajrore të Republikës së Kosovës, deri në 6,500 metra, menaxhohet dhe kontrollohet nga Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror të Republikës së Kosovës”.
“Pra, ne kemi një agjenci kompetente, e cila është duke i dhënë të gjitha shërbimet e kontrollit të trafikut ajror dhe shërbimet e tjera përcjellëse në hapësirën e ulët ajrore të Republikës së Kosovës, nën 6,500 metra. Pra, kjo është një pikë e padiskutueshme”, ka thënë Gjonbalaj.
Përveç hapësirës deri në 6,500 metra, ekziston edhe ajo mbi këtë zonë, e njohur si hapësira e lartë ajrore, e cila me vendim të NATO-s, i është deleguar Hungarisë, përkatësisht Hungaro Control-it.
“NATO ka një kontratë me Hungarinë që shërbimet për avionët me mbikalim, transit në hapësirën e lartë ajrore të Republikës së Kosovës, t’i marrë Hunagro Control nga Hungaria. Ne jemi duke u përgatitur në aspektin teknik dhe të burimeve njerëzore që nga viti 2019 të marrim përgjegjësinë e plotë edhe për hapësirën e lartë ajrore mbi 6,500 metra”, ka thënë Gjonbalaj.

Exit mobile version