Këshilltari tregtar i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro tha të dielën se, Presidenti Donald Trump nuk po planifikon të përjashtojë asnjë vend nga rritja e tarifave për çelikun dhe aluminin e importuar. Navarro i tha CNN-së se, detajet përfundimtare mbi tarifën prej 25 për qind të importeve të çelikut dhe prej 10 për qind mbi importet e aluminit duhet të jenë gati më vonë gjatë kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme. Tarifat e reja të Presidentit Trump për këto metale kanë tërhequr kritika të gjera nga ligjvënësit republikanë të orientuar drejt biznesit, si dhe nga partnerët kryesorë tregtarë – Kanadaja dhe Bashkimi Evropian. Por zoti Navarro tha se, tarifat janë të nevojshme për të “mbrojtur sigurinë tonë kombëtare dhe ekonomike”. Ai hodhi poshtë shqetësimet e zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes, të cilët shprehën mbështetje për rritjen e tarifave që do të kishin si objektiv vende specifike, por jo rritjen e tyre për të gjitha vendet. Navarro tha se Presidenti Trump “dëgjon të gjitha palët dhe merr vendime të vështira, dhe mendoj se ky është vendimi i duhur”. Ai e quajti “të padrejtë” idenë për të vënë në shënjestër vetëm disa vende dhe për të përjashtuar të tjerët. Në një tjetër intervistë televizive Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross tha se Presidenti Trump ka biseduar me “një numër udhëheqësish botërorë” rreth planeve për tarifat e reja. Zyra e kryministres britanike Theresa May tha se, gjatë një bisede telefonike të dielën me Presidentin Trump, ajo kishte shprehur “shqetësime të thella ndaj njoftimit për tarifat e çelikut dhe aluminit”, duke theksuar se veprimet multilaterale ishin e vetmja rrugë për të zgjidhur problemin e kapacitetit të tepërt global në interes të të gjitha palëve”. Sekretari amerikan i Tregtisë, Ross tha se, vlera totale e tarifave amerikane që do të vendosen, shkon në gati 9 miliardë dollarë në vit, një pjesë e vogël në ekonominë 18.6 trilionë dollarëshe amerikane, më e madhja në botë. “Pra, nocioni se tarifat do të shkatërrojnë shumë vende pune, do të rrisin çmimet dhe do të shkaktojnë humbje, është i gabuar”, tha zoti Ross. Ai minimizoi kërcënimet e Bashkimit Evropian për tarifa hakmarrëse ndaj produkteve amerikane si motoçikletat Harley Davidson, uiskin Burbon dhe xhinset Levi’s. Në përgjigje të shtunën, Presidenti Trump kërcënoi prodhuesit evropianë të automobilëve me një taksë mbi importet, nëse Bashkimi Evropian hakmerret kundër Shteteve të Bashkuara.