Kryetari i PD, Basha ka deklaruar se financieri i bandës së habilajve kishte pranuar të bëhej i penduar i Drejtësisë një ditë përpara se të rrëmbehej të çohej drejt Italisë. Basha tha se përpara se të merrte vendimin për të qenë i penduar i drejtësisë, Seiti u konsultua me tre familjarë të tij. Basha ka treguar dokumentin se si ministri i Brendshëm në shërbim të mafiues së drogës gënjen edhe për datën e arrestimit të Seitit. Xhafaj deklaroi se ishte arrestuar me 20 nëntor, ndërsa dokumenti tregon se Seiti është arrestuar me 19 nëntor.
Ishte një skemë e përgatitur nga ju ajo që ndodhi në Parlament?
Basha: Jo. Përkundrazi ishte një skenë e përsëritur nga mozhoranca për t’i hequr opozitës të vetmin mjet që i ka mbetur opozitës, siç është fjala në Parlament. Në mënyrë të përsëritur, sot Edi Rama përmes sejmenit të tij, Gramoz Ruçit dhunoi Rregulloren e Kuvendit. Kryetari i Grupit parlamentar mori fjalën për të kërkuar praninë e kryeministrit në një moment jashtëzakonisht delikat për shtetin ligjor. Në një moment, do të thoja të paprecedentë ku shteti shqiptar, qeveria e Edi Ramës, pesë apo gjashtë institucione të shtetit kanë rrëmbyer dëshmitarin kyç në hetimin Tahiri-Habilaj që ndodhej në Shqipëri, sepse të tjerët janë në Siçili dhe po hetohen nga Antimafia italiane. Kryetari i Grupit parlamentar kërkoi praninë e kryeministrit, praninë e ministres së Drejtësisë, e cila ndërkohë u përcoll me lezet që të mos ndodhej aty. Sepse meraku i vetëm i Edi Ramës, jo vetëm sot, por edhe dje dhe këto ditë ka qenë të zhurmojë këtë megaskandal do të thoja të paprecedentë. Unë do ta cilësoja rrëmbimin e Nazer Seitit më të rëndë sesa zbulimi apo le të themi konfirmimi nga përgjimet e Antimafias, i rolit të ministrit të Brendshëm katërvjeçar të Ramës, Tahirit në trafikun e drogës. E para, nuk fakton diçka që ne na erdhi si habi, sepse ne e kemi denoncuar me fakte, me data, me emra, për katër vite në më shumë se 1200 denoncime. Nuk ishte aspak habi, por ishte e rëndë për vendin të shikojë, të dëgjoje aty se si Saimir Tahiri kishte vënë të gjithë Policinë e Shtetit, Ministrinë e Brendshme në funksion të trafikut të drogës, kryesisht bandës së Habilajve. Ndërsa këtu ke kryeministrin, ministrin e Brendshëm, që gënjeu këtu live, ke ministren e Drejtësisë, Drejtorinë e Marrëdhënieve me Jashtë të Prokurorisë dhe të Ministrisë së Drejtësisë, ke Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Interpol Tiranën dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, pra ke praktikisht gjithë kupolën e shtetit në rrëmbimin e një personi, i cili nuk është një person dosido, por është financier i bandës së Habilajve. Është njeriu që ka mbajtur librat dhe ka thënë për çdo tonelatë drogë, për çdo ngarkesë drogë që çojmë në Itali, për çdo para që marrim, kaq shkojnë tek Saimiri, kaq tek ky e kaq tek ai. Është ekstraduar vetëm 24 orë, pasi përmes avokatit të tij, pas konsultimit me tre familjarë të tij, ka nisur procedurat për t’u kthyer në të penduar të drejtësisë.
Kush janë oligarkët?
Kemi folur dhe denoncuar me emra, Vilma Nushin për Check-upin, Beson e Taivanit për ARMO-n, Carapunin që ka marrë OSHEE, Papulin për makinat e Policisë dhe qeverisë, ALBstarin me stadiumin, koncesionin e Rrugës së Arbrit me Rrok Gjokën, koncesionin e rrugës së Kombit, inceneratorët me Klodian Zoton, Suzerin që e ndalëm për hidrocentralin e Skavicës, Aeroportin e Vlorës, për Alban Eftimin për Atelier 4, të gjithë ne i kemi denoncuar. Streha e fundit e një qeverie autokratike të lidhur me krimin është për të thënë që edhe këta të tjerët janë njësoj si ne dhe më vjen keq, që njerëz që duan të mirën publike bien në këtë grackë. Kur ky solli kriminelët ne luftuam për dekriminalizimin. Kur ky me oligarkët nisi skemat e kapjes së ekonomisë, bregdetin, naftën, infrastrukturën, koncensionet.