Nazizmi, Fashizmi dhe Komunizmi: Lufta e bijve për babain e përbashkët

Po sikur dy prej ideologjive më famëkeqe të historisë – nazizmi dhe fashizmi – të kishin në themel më shumë të përbashkëta me komunizmin sesa dimë zakonisht? Kohët e fundit, kryetarja e një partie politike gjermane hodhi pretendimin e diskutueshëm se Hitleri ishte komunist. Ndërsa ky pohim është i pasaktë, pjesa më e madhe e kritikave ndaj këtij pohimi u përqendrua vetëm në dallimet e dukshme midis Hitlerit dhe komunistëve, pa shqyrtuar ngjashmëritë e tyre më të thella ideologjike. Duke iu rikthyer fjalëve të Hitlerit dhe Musolinit, bëhet e qartë se rivaliteti i tyre me komunizmin nuk kishte të bënte dhe aq me hedhjen poshtë të parimeve të tij, por më shumë me mbështetjen që jepnin për vizionet e ndryshme mbi kolektivizmin.

Sot është detyra e liberalëve klasikë, të cilët në thelb ndryshojnë si nga komunistët edhe nga fashistët, të shfrytëzojnë rastin dhe të zbulojnë rrënjët e përbashkëta kolektiviste të këtyre ideologjive. Duke qenë një liberal klasik, kam qenë gjithmonë skeptik që ideologjia ime të grupohej në të njëjtën “anë” me nazistët, duke pasur parasysh dallimet e mprehta filozofike. Vëmendja joproporcionale kushtuar kundërshtive midis formave të ndryshme të kolektivizmit pengon ligjërimin e plotë politik dhe e lë të patrajtuar mjaftueshëm çështjen thelbësore atë të individualizmit në raport me kolektivizmin.

Musolini: Nga marksist në kolektivist nacionalist

“Nëse shekulli i 19-të ishte shekulli i individit, ne kemi lirinë të besojmë se ky është shekulli i ‘kolektivit’”, shkruante Benito Musolini. Ai e filloi karrierën e tij si një marksist i flaktë, madje ishte redaktor në një revistë socialiste. Megjithatë, Lufta e Parë Botërore dhe perceptimi se internacionalizmi komunist nuk arriti të nxiste punëtorët e shtynë atë të rishqyrtonte qëndrimin e vet. Në vend që të braktiste kolektivizmin, ai kërkoi për një forcë bashkuese që të ishte më e fortë se klasa: nacionalizmin. Në librin “Doktrina e Fashizmit”, ai argumentoi se “kombi nuk është zhdukur”, duke theksuar se dallimet klasore pengojnë unitetin e vërtetë: “Klasa nuk mund ta shkatërrojë kombin. Klasa shfaqet si një grumbull interesash, por kombi është një histori ndjenjash, traditash, gjuhe, kulture dhe race; është një bashkësi shpirtërore.”
Musolini e kritikoi socializmin, jo për natyrën e tij kolektiviste, por për paaftësinë e tij për të unifikuar të gjitha segmentet e shoqërisë. Ai e përshkroi fashizmin si një ideologji që e brendashkruante individin në shtet: Liberalizmi mohoi shtetin në emër të individit; Fashizmi rivendos shtetin.
Të drejtat e shtetit që shprehin thelbin real të individit…. Koncepti fashist i shtetit është gjithëpërfshirës; jashtë tij nuk mund të ekzistojnë vlera njerëzore apo shpirtërore, aq më pak të kenë vlerë.
Për Musolinin, individi kishte kuptim vetëm si pjesë e kolektivit, i lidhur nga traditat, kultura dhe detyra:
Fashizmi sheh në botë jo vetëm ato aspekte sipërfaqësore, materiale në të cilat njeriu shfaqet si individ, duke qëndruar në këmbë… por kombin dhe vendin; individë dhe breza të lidhur së bashku nga një ligj moral… i ngritur mbi detyrën.

Vizioni i Hitlerit: Sakrifikimi i individit për racën

Nazistët hartuan një slogan që mund të lexohet në titullin e një artikulli të New York Times të 1 majit 1934: “E mira e përbashkët përpara së mirës së individit”. Ky slogan nazist përmbledh karakterin kolektivist të Hitlerit. Ndërsa në praktikë ai u largua nga socializmi, ai e pranoi tiparin kolektivist të qëllimeve të tij. Në “Mein Kampf”, ai shprehet: “Nuk kisha asnjë ndjenjë antipatie ndaj politikës aktuale të socialdemokratëve. Që qëllimi i shpallur ishte të ngrinte nivelin e klasave punëtore…” Megjithatë, shkëputja e Hitlerit me socializmin buroi nga perceptimi se ai nuk arrin të ruajë unitetin dhe identitetin kombëtar. Ai e shihte internacionalizmin e socializmit si një kërcënim për identitetin gjerman: “Por tiparet që kontribuan më shumë për të më larguar nga lëvizja Socialdemokrate ishte qëndrimi i saj armiqësor ndaj luftës për ruajtjen e gjermanizmit në Austri…”.
Ajo që e veçonte Hitlerin ishte theksi i tij mbi racën. Koncepti i tij thelbësor i epërsisë racore ishte i rrënjosur thelbësisht në kolektivizëm, duke e parë racën ariane si mishërim të idealit të vetëflijimit për komunitetin:
Madhështia e individit të racës ariane nuk bazohet në fuqitë e tij intelektuale, por më tepër në gatishmërinë e tij për t’ia kushtuar të gjitha aftësitë e tij në shërbim të bashkësisë, sepse individi i racës ariane ia nënshtron me dëshirë egon e tij pasurisë së përbashkët dhe kur e kërkon nevoja ai do të sakrifikojë edhe jetën e tij për bashkësinë.
Krahasoni këtë me pohimin e Marksit se “të gjitha lëvizjet e mëparshme historike ishin lëvizje të pakicave ose në interes të pakicave. Lëvizja proletare është një lëvizje e vetëdijshme, e pavarur e shumicës dërrmuese, në interes të kësaj shumice dërrmuese.” Të dyja filozofitë mbështetën dhe reklamuan vizione të së mirës kolektive, të ndryshme vetëm në identitetin e asaj që shërben si forca bashkuese – klasa apo raca.
Për Hitlerin, individi ekzistonte për t’i shërbyer kolektivit, ku shteti është zbatues i këtij vizioni: “…Shteti shihet vetëm si një mjet për qëllimin dhe ky qëllim është ruajtja e karakteristikave racore të njerëzimit”. Ndërsa ai kundërshtonte internacionalizmin e marksizmit, ai e pa atë më shumë si një rival sesa një filozofi thelbësisht të ndryshme:
Vetëm kur ideja ndërkombëtare, e organizuar politikisht nga marksizmi, përballet me idenë popullore, po aq mirë e organizuar në mënyrë sistematike dhe po aq mirë e udhëhequr – vetëm atëherë energjia luftarake në njërin kamp do të jetë në gjendje të përballet me atë të tjetrit në kushte të barabarta; dhe fitorja do të gjendet në anën e së vërtetës së përjetshme.

Çështjet e gjuhës

Megjithëse kërkimi i sofistikuar i këtyre temave në literaturë është i rëndësishëm, çfarë përfitimi sjell nëse këto ide nuk arrijnë te masat? Si mund t’i shërbejmë pasionit tonë për lirinë nëse nuk arrijmë ta pohojmë atë çdo ditë nëpërmjet mjetit të tij më të fuqishëm – gjuhës? A duhet të tolerojmë perceptimin se ideologjia jonë është vetëm çështje titujsh nga nazizmi dhe fashizmi? Ndërkohë, ironia më me ndikim është se këto ideologji shpesh klasifikohen si ideologji të “djathta!”
A jemi të pavetëdijshëm për ndikimet që ka kjo lloj neglizhence? Apo, nëse jemi të vetëdijshëm, a kemi qenë mjaftueshëm me pasion për ta trajtuar atë? Ajo që na nevojitet është ligjërimi i përditshëm dhe i bollshëm që përzien faktet me thjeshtësinë – pra një ligjërim që përforcon vazhdimisht ndikimet që ka ai përmes gjuhës derisa të bëhet i pranuar gjerësisht.

Përfundimi

Debati nëse Hitleri dhe nazizmi i përkasin të majtës errëson një të vërtetë më të thellë: rrënjët e tyre kolektiviste i rendisin më pranë me komunizmin sesa me individualizmin, liberalizmin klasik ose libertarianizmin. Cilësitë e Hitlerit dhe Musolinit ishin mjaft të ndryshme; mohimi i tyre i individualizmit ishte filozofik, ndërsa pakënaqësia e tyre ndaj komunizmit ishte më shumë një kundërshti pasionantde. Duke nxjerrë në pah themelet e përbashkëta të këtyre ideologjive përmes promovimit të kategorizimeve alternative politike, këto fakte duhet t’i përfshijmë në ligjërimin e përditshëm politik dhe të rivendosim rëndësinë e tyre si e vetmja ideologji vërtet dalluese.
Njohja e këtyre tipareve të përbashkëta më pak të eksploruara, por themelore, do t’i ndihmonte shoqëritë të kenë një perspektivë më të gjerë ndaj marrëdhënieve politike dhe të shmangin rënien pas lëvizjeve kolektiviste të arratisura thjesht sepse ato ofrojnë një identitet të ri udhëheqës –si i përcaktuar nga klasa, kombi, raca apo gjinia. Liberalizmi klasik ka luajtur një rol novator në formësimin e botës moderne – një botë që, pavarësisht nga të metat e saj, është shumë larg vështirësive të kohëve të mëparshme. Tani duhet të bëhet misioni i liberalëve klasikë për të zbuluar të vërtetën.

https://mises.org/mises-wire/nazism-fascism-and-communism-warring-sons-common-father?utm_source=MI+Subscriptions&utm_campaign=c1c74f20e5-EMAIL_CAMPAIGN_2024_02_29_06_22_COPY_01&utm_medium=email&utm_term=0_-0aec14e5f3-230529100

Artikulli paraprakKandidatja e Koalicionit Euroatlantik, Marinela Ziu: SPAK nuk është thjesht një institucion – është një revolucion që po trondit themelet e sistemit politik!
Artikulli tjetërNë arrati prej 5 vitesh, misteri i shefit operativ të Wirecard që solli rrotull shërbimet sekrete për llogari të Moskës