Ndahemi, por mbetemi miq!

Brendan Simms
Ndarja nuk është asnjëherë e lehtë dhe është akoma më e vështirë kur partnerët nuk e dinë se çfarë kërkojnë. Mbretëria e Bashkuar nuk arrin të bjerë dakord nëse dëshiron të vazhdojë të ketë akses në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian apo siç sugjeron edhe sekretari i Jashtëm, Philip Hammond, të zhytet brenda katrahurës globale të marrëveshjeve të veçanta të tregtisë me pjesën tjetër të botës, ashtu siç dëshiron edhe ministri i Tregtisë Ndërkombëtare të vendit, Liam Fox.
Po kështu, Europa nga ana e saj nuk arrin të vendosë nëse dëshiron ta ndëshkojë Mbretërinë e Bashkuar që kërkon të ndahet apo të mbeten miq të njëri-tjetrit. Nuk është çudi në fakt që divorci i shekullit, i njohur ndryshe si Brexit, nuk pritet të përfundojë përpara fundit të vitit 2019.
Ndarja është akoma më e vështirë kur njëra nga palët keqkupton tjetrën. Teksa Mbretëria e Bashkuar përgatitet për t’u divorcuar nga Bashkimi Europian, shumë njerëz besojnë se vendi do të mbesë në mëshirën e fatit dhe do të bëhet i parëndësishëm, ashtu si kishin parashikuar edhe shumë historianë në një letër që Kancelari i atëhershëm, George Osborne u kishte kërkuar të firmosnin në maj të vitit 2016, një muaj përpara referendumit. Mbretëria e Bashkuar është “larguar nga klubi”, thonë të tjerë dhe nuk mund të pretendojë më të shfrytëzojë facilitetet e Bashkimit Europian apo të mbajë çdo lloj qëndrimi mbi të ardhmen e integrimit europian.
Edhe pse është e vërtetë që Mbretëria e Bashkuar duhet të presë trazira serioze ekonomike afatshkurtra dhe afatmesme, këto pretendime janë të ekzagjeruara dhe shfaqin një keqkuptim të thellë të rrënjëve historike dhe realitetit gjeopolitik të rendit aktual europian. Nëse kërkohet që Brexit të menaxhohet miqësisht, atëherë duhet të qartësohet natyra e marrëdhënies ekzistuese.
Mbretëria e Bashkuar nuk është duke u divorcuar nga Bashkimi Europian, sepse martesa e saj me europianët nuk është kurorëzuar kurrë. Nëse ekziston një marrëdhënie e tillë, është vetëm ndërmjet shteteve që ndodhen brenda Mbretërisë së Bashkuar, ratifikuar nga Akti i Bashkimit në vitin 1707. Më tej, edhe vetë anëtarët e eurozonës nuk janë të bashkuar me njëri-tjetrin në kuptimin e vërtetë të fjalës, duke qenë se nuk janë të lidhur përmes bashkimit politik.
Maksimumi i marrëdhënies që mund të kenë shtetet europiane është ajo e bashkëjetesës dhe si bashkëjetues, nuk janë shumë të sigurt se cilat të drejta i përkasin kujt. Ata duhet të ligjërojnë marrëdhënien e tyre sa më shpejt të jetë e mundur, duke formuar një bashkim politik të plotë, i cili do të mbështesë monedhën e përbashkët dhe strategjinë e përbashkët të mbrojtjes, si dhe do të mundësojë një përfaqësi të përbashkët parlamentare.
Për më tepër, nëse Bashkimi Europian mund të konsiderohet vërtet një “klub”, atëherë anëtarët themelues të tij janë Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, edhe pse në mënyra tërësisht të ndryshme. Klubi kuptohet më mirë si një grup të rinjsh në një zonë problematike të qytetit. Në vitin 1945, grupi u formua me qëllim që të mbante nën kontroll gjermanët dhe mos t’i linte ata të futeshin në telashe. U ideua gjithashtu në mënyrë të tillë që t’i lejonte ata të angazhoheshin në aktivitete konstruktive, siç ishte mbrojtja e Europës Perëndimore nga komunizmi përmes sigurimit të begatisë ekonomike.
Pavarësisht se ka fituar medaljen e sjelljes së mirë nga Komiteti Nobel, Bashkimi Europian nuk arriti ta ruajë paqen. Paqja u vendos vetëm nga Aleanca Madhore e vitit 1945 dhe u mbrojt që atëherë nga NATO, anëtari europian më i rëndësishëm i së cilit ishte pikërisht Mbretëria e Bashkuar. Si pushteti kryesor ushtarak i Bashkimit Europian, anëtare e klubit bërthamor dhe si ekonomia e pestë më e madhe në botë, Britania vazhdon të mbetet rojtarja e rendit të të gjithë kontinentit.
Këtu del në skenë neni 50 i famshëm, i cili duhet të rregullojë rastet e largimeve nga Bashkimi Europian, një nen tërësisht i pavlerë për dy fuqitë kryesore europiane. Përpiquni të imagjinoni Gjermaninë që i bën thirrje nenit 50, duke u larguar kështu nga struktura europiane, e cila u krijua posaçërisht për të mbajtur Gjermaninë nën kontroll.
A mund të ishte ky një diskutim ligjor në të cilin Portugalia dhe Irlanda mund të kishin të drejtë vendimmarrjeje, por jo Britania e larguar nga Bashkimi Europian? Ky do të ishte në fakt një rast tejmase i ndërlikuar nga ana gjeopolitike për të cilin të gjithë aktorët kryesorë dhe veçanërisht Londra, do të duhet të konsultoheshin.
Teksa Brexit shpaloset, Mbretëria e Bashkuar do të ketë disa pyetje serioze për t’i drejtuar anëtarëve të mbetur të klubit europian. Bashkimi Europian nuk ka arritur të sigurojë mirë kufijtë e tij dhe emigrantët nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore vazhojnë të kalojnë përmes Europës me shpresën për të kaluar në Britani. Mbretëria e Bashkuar do t’i kujtojë europianëve se shumica e tyre nuk janë duke i kryer siç duhet detyrat e tyre modeste të sigurisë prej 2 për qind të GDP-së në favor të NATO-s.
Dhe pikërisht atëherë kur Bashkimi Europian të paralajmërojë Britaninë se nuk mund të zgjedhë se cilat të drejta dhe detyrime pranon nga bashkimi, Britania do t’i thotë BE-së se nuk mund të pretendojë që ushtria britanike – forca europiane kryesore që frenon Presidentin rus, Vladimir Putin në vendet baltike – të vazhdojë të bëjë punët e pista të mbrojtjes dhe më pas të mos ta lërë Britaninë të ndajë avantazhet ekonomike që gëzon i gjithë Bashkimi Europian pikërisht falë kësaj mbrojtjeje.
Megjithatë, ekziston një marrëveshje, e cila mund të marrë në konsideratë të gjithë realitetet gjeopolitike. Mbretëria e Bashkuara do të vazhdojë të paguajë për Europën duke kontribuar tek NATO përmes shpenzimeve më të larta të sigurisë. Në këmbim, Mbretëria e Bashkuar do të rifitonte sovranitetin përmes të drejtës për të vendosur vetë mbi çështjen e emigrantëve. Në të njëjtën kohë, Britania do të ruante përsëri njëfarë aksesi në tregun e përbashkët, përfshirë këtu edhe politikat monetare aq të rëndësishme për interesat e Londrës. Brenda apo jashtë Bashkimit Europian, Britania e Madhe vazhdon të jetë një fuqi e madhe europiane dhe duhet të krijohet një arkitekturë e re politike për kontinentin që të reflektojë këtë realitet të ri.
Kjo marrëveshje dhe Brexit në përgjithësi, kërkon vendosjen simultane të një bashkimi politik të plotë të eurozonës. Në rast se Brexit nuk trajtohet në këtë mënyrë, kjo mund të shkaktojë stuhi të vërteta politike dhe ekonomike në të gjithë Europën. Më tej, në çdo referendum të ri për pavarësi, Skocia do të duhet të jetë e qartë se në çfarë lloj Bashkimi Europian mund të anëtarësohet (apo të qëndrojë).
Ndërkohë, në Britani, në rast se pjesa tjetër e Bashkimit Europian nuk kthehet në një bashkim të plotë politik – gjë që kërkohet vetëm nga një pjesë e vogël e vendeve të mbetura – një pjesë e konsiderueshme e elektoratit do të fillojë të kërkojë rinovimin e anëtarësimit britanik.
Kështu, do të mbeten pas shumë mëdyshje. Eurofilët britanikë duhet të kuptojnë se shërbimi më i mirë që mund t’i ofrojnë Bashkimit Europian dhe vetes së tyre është mundësimi i krijimit të bashkimit të plotë politik në të cilin ata vetë nuk do të jenë anëtarë. Mbështetësit e Brexit duhet të pranojnë se nëse duan të largohen nga Bashkimi Europian pa krijuar kaos, duhet në fillim të shpresojnë për rregullimin e situatës në Europë. Me pak fjalë, Kryeministrja britanike, Theresa May duhet të sigurohet që Bashkimi Europian ose të paktën eurozona, të bëhet një lloj klubi në të cilin britanikët nuk do të kërkojnë më të rikthehen dhe me të cilin nuk duhet të ishin bashkuar që në fillim.

Përse Brexit nuk po ndodh akoma?
Për ta reduktuar në një frazë të shkurtër: Sepse askush deri tani nuk i ka bërë thirrje nenit 50 të Traktatit të Lisbonës. Derisa të bëhet një thirrje zyrtare, nuk do të ketë asnjë ndryshim statusi për Mbretërinë e Bashkuar brenda Bashkimit Europian. Neni 50 i Traktatit të Lisbonës të vitit 2007 ndryshoi rregullat për mënyrën se si shtetet anëtare mund të largohen nga bashkimi. Përpara kësaj ishte e paqartë nëse anëtarët e kishin të drejtën të largoheshin.
Sipas “The Guardian”, fjalët e nenit janë të paqarta, madje të jep përshtypjen se, politikanët që kanë krijuar draftin e ligjit as nuk e kanë çuar nëpër mend që neni do të përdorej ndonjëherë. Në vetëm 250 fjalë, neni thotë se shteti që kërkon të largohet duhet të lajmërojë Këshillin Europian për qëllimin e tij, të negociojë një marrëveshje për tërheqjen dhe të krijojë strukturën e marrëdhënies së ardhshme ligjore të tij me Bashkimin Europian. Një shumicë e cilësuar e vendeve mbetëse duhet të pranojë marrëveshjen që kjo e fundit të finalizohet. Vendet që kërkojnë të largohen i jepen 2 vite kohë në dispozicion për të finalizuar marrëveshjen.
Mbështetësit e fushatës së Brexit besojnë se zgjedhësit morën në dorë mundësinë e vetme për të rivendosur sovranitetin e Britanisë. Euroskeptikët mendojnë se institucionet europiane nuk janë demokratike dhe argumentojnë se ligjet që ndikojnë në të ardhmen e Britanisë nuk duhet të vendosen nga burokratët e Brukselit.
Promovuesi i Brexit, Boris Johnson, argumentonte se Bashkimi Europian kishte gërryer aftësinë e popullit për të zgjedhur politikanët e tij apo për të miratuar ligje për të mirën e tij. Gjatë fjalimit të fitores, ish-kryebashkiaku i Londrës tha se, britanikët tani do të jenë të aftë ta zgjedhin vetë fatin e tyre jashtë Bashkimit Europian. “Bëhet fjalë për principet e demokracisë tonë, të drejtat e të gjithëve ne për të zgjedhur dhe rrëzuar njerëzit që marrin vendime për të ardhmen e jetës sonë”.
Por eurofilët argumentojnë se Mbretëria e Bashkuar tashmë do të humbasë pushtetin në arenën ndërkombëtare për shkak se nuk do të ndodhet më në dhomën ku do të merren vendimet e mëdha. Ekziston gjithashtu frika se punëtorët britanikë, të huajt dhe vizitorët do të humbasin të drejtën për të jetuar dhe punuar jashtë vendit, kur Britania të largohet nga BE-ja.
Krerët e Bashkimit Europian vazhdojnë ta mbrojnë integritetin e bllokut europian dhe bëjnë thirrje për një bashkëpunim më të madh për mbrojtjen, me frikën se Brexit mund ta dëmtojë ndjeshëm Europën. Partitë populiste euroskeptike në të gjithë kontinentin e kanë shfrytëzuar me kënaqësi të madhe Brexit për të promovuar më tej fushatat e tyre të pavarësisë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Artikulli paraprakPërse shtetet po shkojnë drejt diktaturave?
Artikulli tjetërDeutsche Bank, po bie perandoria?