Ndaj Realit nuk është hakmarrje!

Diego Simeone nuk e sheh si hakmarrje finalen e Championsit ndaj Realit të Madridit, skuadër që u mohoi Los Colchoneros të fitonin trofenë më të rëndësishëm për klube dy vite më parë në Da Luz. Për argjentinasin është thjesht një tjetër mundësi e dytë që duhet shfrytëzuar. “Në futboll ashtu si në jetën e përditshme, nuk ka hakmarrje, por mundësi të reja. Hakmarrje më duket një fjalë negative, sepse të kujton gjithmonë disfatat momentet e këqija, ndërsa kur thua një tjetër mundësi, flet për optimizëm, për siguri dhe besim”, u shpreh Simeone.
Simeone kujton se skuadra e tij ka eliminuar dy nga tre ekipet më të mira në botë, dhe tani në finalen e Milanons, do të ketë përballë të tretin, Realin e Madridit. “Ndoshta Reali është ndryshe nga Barcelona dhe Bayerni. Është një skuadër më e drejtpërdrejtë dhe shumë e rrezikshme në goditjet standarde, pa harruar dhe qëndrueshmërinë në fazën mbrojtëse me Pepe, Varane dhe Ramos, ndërsa prania e Casemiros i ka dhënë më shumë ekuilibër një ekipi që ka potencial të jashtëzakonshëm ofensiv”, tha ai.
Por cili është ndryshimi mes Atleticos së dy viteve më parë me këtë të sotmen? “Atëherë shkonim në Lisbonë vetëm 6 ditë pas finales së kampionatit me Barcelonën. Dy lojtarët tanë më të rëndësishëm, Arda Turan dhe Diego Costa kishin probleme fizike, pa harruar që sot jemi një skuadër më e pjekur”, përfundoi Simeone.

Exit mobile version