Ndajeni në doni më shumë Berishën apo Shqipërinë?

Nga Gentian Gaba

Sistemi i drejtësisë nuk është perfekt në asnjë vend të botës, e natyrisht as këtu tek ne. Për mos të folur pastaj, për polarizimin e indiktuar nga format e reja të komunikimit, që ka rritur mosbesimin ndaj institucioneve, që është një as në mëngën e autokratëve dhe teknologëve të tyre politikë, për t’u përdorur si levë, për të lëvizur pakënaqësitë e disa segmenteve shoqërore në shërbim të veprimeve politike.

Reforma në drejtësi ka pësuar ndërhyrje nga më të ndryshmet, akuzat për selektivitet dhe anshmëri në vetting kanë qenë të kahershme. Me një mazhorancë si kjo e Ramës, që ka oreks edhe për kapjen e Akademisë së Shkencave, procesi i reformimit të drejtësisë nuk mund të kalonte pa mujsharinë e rilindasve, që ka krijuar xhepa padrejtësie në sistem.
Sidoqoftë, në këtë det të trazuar të drejtësisë, ka një ishull disi të mbrojtur nga tallazet e politikës, ai është SPAK.

Mbrojtja e SPAK-ut, apo perceptimi i mbrojtjes së tij, është produkt i përballjes që ndodhi në garën për kreun e saj, mes Ramës dhe ambasadores amerikane, Kim.
Rama arriti deri aty sa deklaroi përmes Olta Xhaçkës, një subjekt i SPAK-ut, se mandati i ambasadores ishte drejt fundit, me qëllim çuarjen e një mesazhi tek anëtarët e KLP-së: “Përfaqësuesja e SHBA-s, është e përkohëshme, ne (qeveria) mbetemi këtu.”

Por plani për të imponuar një kandidat, që kishte pëlqimin e kryeministrit ra, dhe vijimin e historisë e dimë tashmë të gjithë. Hetime, arrestime politikanësh dhe përfaqësuesish të krimit të organizuar, janë një ndryshim marshi që ka rritur besimin e qytetarëve te SPAK, si mjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në vend.
Dhe ajo që është një aspiratë qytetare, nuk ka si të mos të jetë dhe një platformë politike, ku kërkesa për llogaridhënie ndaj politikanëve që kanë abuzuar me pushtetin të përfaqësohet në veprim dhe diskurs politik, që natyrshëm, duke parë bilancin e punës së SPAK, pritet të vijë nga opozita, e cila kërkon ndryshimin.

Por, fatkeqësisht, në pjesën më të zhurmshme të saj, për shkak të hetimit të nisur ndaj ish-kryeministrit Berisha, kjo pjesë e opozitës është vendosur në llogore kundër SPAK.
E quajnë SKAP, organizatë kriminale në shërbim të Ramës, etj etj.
Madje, si qershia mbi tortë të kësaj strategjie vetëvrasëse për opozitën, por frytdhënëse për ata që duan të vetëshpallen të burgosur politik, të mërkuën që vjen është thirrur një protestë përpara SPAK-ut, në orën në të cilën do t’i komunikohet akuza Berishës.

Kjo nuk është surprizë për të gjithë ata, që e kishin paralajmëruar degradimin e një partie politike në një bunker, për mbrojtjen e kryetarit të saj. Madje në debatet e dala nga mbledhjet e këshillit kombëtar të Foltores, ishte kriteri me të cilin njerëz si, Gjekmarkaj, vlerësoheshin në performancën politike, “mos e kritikoni, se ka mbrojtur Doktorin”.

Por protestat e partive përpara institucioneve të drejtësisë, janë rruga më e mbarë për një opozitë të përjetshme.

Sigurisht, qëndrimi i një partie politike përballë drejtësisë, kur kryetari i saj merret i pandehur është një çështje delikate dhe komplekse, që varet nga disa faktorë, përfshirë kulturën politike të vendit, ligjin, dhe parimet themelore të partisë. Sidoqoftë, në një demokraci të shëndetshme, ka disa parime bazë që duhet të merren parasysh:

Një parti politike duhet të tregojë respekt për pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe proceset ligjore, duke u distancuar nga çdo përpjekje për të ushtruar presion politik mbi gjykatat apo organet hetimore.

Askush, përfshirë kryetarin e partisë, nuk duhet të jetë mbi ligjin. Në këtë kontekst, partia duhet të pranojë se çdo individ ka përgjegjësi ligjore për veprimet e tij/saj, dhe kjo përfshin edhe liderët politikë.

Partia duhet të bëjë thirrje që të respektohen të drejtat e të pandehurit për një proces të drejtë, por pa e penguar punën e drejtësisë. Duhet të bëjë të qartë, që çdo akuzë duhet të shqyrtohet nga gjykatat dhe jo nga opinioni publik, apo forcat politike.

Por këto tingëllojnë si përralla për degradimin që ka pësuar retorika politike në vend, jo vetëm për shkak të interesit të personit të mbyllur në ballkon (e që nuk do të ishte mbyllur aty nëse nuk do të kishte sfiduar drejtësinë), por mbi të gjitha për shkak të dobësisë së politikanëve që iu bashkuan kauzës së tij, duke e ditur se, po merrnin në qafë opozitën dhe mbështetësit e saj, duke i drejtuar në një rrugë pa krye.

Këta persona, pa grimcën e lidershipit, që u dalluan vetëm për piruetat e tyre, kanë hipur në kullën e heshtjes, me shpresën se do të përfitojnë ndonjë mandat për veten.

Nuk iu intereson humbja e pashmangshme, ku po i çon halli i drejtuesit të tyre, ata kapërdinë turpin kur u ulën në të njëjtën seli që u sulmua brutalisht, vetëm për të qenë dhe njëherë deputetë, paçka se po i dhurojnë pushtetin Ramës.
Këtë të mërkurë ata do të kenë provën e zjarrit, në veçanti ata që e kanë pagëzuar veprimin e tyre si të bashkuar në diversitet, i përkthyer me fjalë të tjera, kap ça të kapësh.

A do të shkojnë edhe këta kampionë të heshtjes hipokrite përpara “organizatës kriminale SKAP” për të protestuar për lirimin e liderit të karrigeve të tyre?

Në një situatë normale, do të duhej të ishte Berisha ai që i thoshte mbështetësve: “Unë po merrem me çështjen privatisht, ju vazhdoni betejën me kundërshtarin politik.”
Por kjo është ëndërr në diell. Edhe pse është personi me përvojën më të gjatë politike, i qartë për pasojat me të cilat po rëndon partinë që drejtoi për shumë gjatë, ai e ka thënë që kjo parti nuk meriton të ekzistojë nëse nuk mbron atë.

Prandaj pyetja që shtrohet për deputetët dhe njerëzit me peshë politike, që kanë ambicien të drejtojnë vendin duke e shkëputur nga korrupsioni, klientelizmi dhe shkatërrimi i ndarjes së pushteteve të modelit Rama, është shumë e thjeshtë, doni më shumë Berishën apo Shqipërinë?

Nëse doni Shqipërinë, lëreni Berishën të përballet me drejtësinë si çdo qytetarë i vendit. Ka fuqinë mediatike dhe ekonomike për t’u përballur me çdo akuzë. Ka mundësi ta trajtojë çështjen e tij në çdo shkallë të gjyqësorit, madje deri në Strasburg. Madje, ka të drejtën kushtetuese, për t’u përballur dhe për të fituar përballë akuzave që i ngrihen (Në veçanti kur ato cilësohen si të pabaza nga ai dhe avoketërit e tij).

Ndërsa demokratët dhe opozitarët nuk e kanë këtë luks. Ata duhet t’u flasin shqiptarëve për hallet e tyre, për planet që kanë për vendin, për modelin qeverisës që duan të implementojnë. Këtë nuk e bëjnë dot duke u tërhequr zvarrë nga halli i Berishës me drejtësinë.

Por, nëse doni Berishën më shumë se Shqipërinë, shkoni të mërkurën përpara SPAK, dhe merreni përgjigjen nga zgjedhësit në prill të 2025-ës.
Të jeni të bindur që nuk do jetë masakër zgjedhore, por vetëvrasje kolektive.

Exit mobile version