Ndalet Berisha, Melburni humb në garën për titull

Ndalet Besart Berisha. Melburn Viktori, skuadra ku luan sulmuesi prishtinas, është mposhtur 1-0 nga Sidnei në kryendeshjen që hapi javën e 22-të të A-Ligës australiane. Vendasit, që tashmë udhëheqin me 11 pikë kur kanë mbetur edhe pesë ndeshje nga sezoni i rregullt, triumfuan falë golit të Bobos pesë minuta pas pushimit mes pjesëve.
Berisha, i cili udhëheq garën e shënuesve më të mirë me 17 gola, nuk mundi ta ndihmonte skuadrën e tij, pasi u gjend nën markimin e rreptë të mbrojtësit holandez Xhordi Buijs.
Megjithatë, përkundër diferencës së pikëve mes Sidneit kryesues dhe Melburnit ndjekës, gara për titull nuk mund të cilësohet e mbyllur. Pas 27 ndeshjeve në sezonin e rregullt, janë përballjet në “play off” ato që do të përcaktojnë kampionin.

Exit mobile version