Ndalet Juventusi

Përfundoi 1-1 supersfida në “San Paolo” ndërmjet Napolit dhe Juventusit. Një barazim që i shërbeu më tepër bardhezinjve, që e shohin titullin më pranë. Juventusi zhbllokoi shifrat vetëm pas 7 minutave lojë, me Khediran që finalizoi një aksion të nisur nga ai vetë. Pas këtij momenti, Napoli mori kontrollin e lojës, por bardhezinjtë rezistuan deri kur kronometri tregonte një orë lojë.
Marek Hamsik barazoi shifrat me një gol mjaft të bukur, ndërsa skuadra e Elseid Hysajt, që ishte një ndër më të mirët në fushë, mund të kishte shënuar edhe golin e dytë me Mertens, tentativa e të cilit u përplas në shtyllë. Me barazimin e arritur, Juventusi është 6 pikë larg Romës së vendit të dytë, ndërsa Napoli i vendit të tretë tashmë rrezikohet seriozisht nga Lazio.
Elseid Hysaj ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme ndeshjen e tij të 100 në Serinë A, duke dhuruar një paraqitje thuajse perfekte në duelin kundër Juventusit në këtë sfidë jubilare. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare ka merituar duartrokitjet e publikut ditën e diel për atë paraqitje në të cilën u kthye në nivelet e tij të zakonshme, pas një periudhe me luhatje.
Ndaj Juventusit u pa Hysaj në versionin e tij më të mirë, jo vetëm falë sigurisë që dha në mbrojtje, por edhe për mbështetjen që i dha Kajehon në fazën sulmuese, e cila zakonisht shihet si pika e dobët e mbrojtësit shqiptar.
Për këtë paraqitje, “Eurosport” i vendosi Hysajt notën 6,5. “Nuk vuan thuajse asnjëherë Manxhukiç, përkundrazi ka mundësinë të sulmojë me vazhdimësi duke vënë në vështirësi të mëdha Asamoah”, shkruhet në përshkrimin për të në notat e ndeshjes.
Kjo paraqitje e mbrojtësit shqiptar ka ndikuar direkt edhe te notat e bardhezinjve me Asamoah që është vlerësuar me 5 se, “nuk arrinte të mbante hapin e Kajehon dhe Hysajt”. Ndërsa kundërshtari i tij direkt në fushë, Manxhukiç, është vlerësuar me 5,5 pikërisht për sakrificën që bëri për t’u kthyer në mbrojtje.
“Është i detyruar të bëjë një detyrë më mbrojtëse se zakonisht dhe vuan në duelin me Hysajn. Nga pikëpamja sulmuese ishte inekzistent”, shkruhet për sulmuesin kroat, fjalë të cilat tregojnë qartësisht atë që ka dhuruar Hysaj në këtë sfidë.

Exit mobile version