Një vendim i fundit i një gjykate në Gjermani u hapi zyrtarisht rrugën ndalimeve të automjeteve me motor diesel, një masë që më parë mund të jepej vetëm kur gjithçka tjetër dështonte.
Tashmë, pronarët e këtyre makinave kanë filluar në masë t’i shesin jashtë shtetit dhe veçanërisht në Europën Lindore. Sipas statistikave zyrtare të Gjermanisë, numri i eksporteve të makinave me naftë të përdorura u rrit nga 197 mijë në vitin 2016 në 233 mijë në vitin 2017. Kjo përbën një rritje me 18%.
Shqipëria është një nga vendet ku këto shitje janë rritur ndjeshëm, së bashku me Kosovën, Rumaninë, Slloveninë, Sllovakinë, Republikën Çeke dhe Ukrainën. Nga ana tjetër, numri i automjeteve me benzinë të shitura jashtë shtetit ul lehtësisht, çka e justifikon shitjen pikërisht me ndalimin.
Duke analizuar të dhënat e zyrës së statistikave në Gjermani, SCAN zbuloi se shitjet e automjeteve personale në drejtim të Shqipërisë u rritën ndjeshëm me 12.3% nga 43.5 milionë euro në gati 49 milionë euro në fund të vitit 2017.
Ndërkohë, një rritje të ndjeshme ka dhe në automjetet për përdorim të veçantë si furgonat, vinçat, bulodezerët, etj. Tek kjo kategori, rritja kap vlerën e 3.1 milionë eurove, duke arritur në 10.7 milionë euro.
Nëse pas Shtutgartit dhe Dusseldorfit, edhe qytete të tjera do të zgjedhin ta aplikojnë këtë masë, shitjet e automjeteve të përdorura do të rriten në mënyrë të ndjeshme dhe natyrisht që një pjesë e mirë e këtyre automjeteve do të vazhdojë të vijë në Shqipëri.
Megjithatë një masë frenuese për këtë fenomen pritet të përbëjë ndalimi i importeve të automjeteve nën standardin Euro-5, që i takon vitit të prodhimit para 2005-ës.