Qemal Çejku
Pas dështimeve me provimet e maturës dhe të klasës nëntëvjeçare, shfaqjet e radhës së qeverisë në fushën e arsimit vazhdojnë. Ndërkohë që treguesit shumë të dobët të njohurive dhe injorancës së lartë tek nxënësit, evidentohen në mënyrë flagrante tek testimet përfundimtare, ministrja Kushi nuk shqetësohet aspak me fenomenin, por ajo vijon me spektaklin e radhës në performancën mediatike. Kësaj radhe aktorët nuk janë nxënësit, por arsimtarët të cilët, pas një procesi të gjatë e sfidues të mësimdhënies online, do i duhet të përballojnë dhe këtë sfidë fiktive. Po pse fiktive? Sepse testi në fakt nuk është aspak një praktikë e rregullt ligjore, por një mundësi për të penguar të aftët dhe për të promovuar militantët që mbështetën manipulimet e zgjedhjeve të 25 Prillit.
Dhe për të mbështetur këtë tezë të abuzimit në masë me figurën e nderuar të mësuesit, nga ministria e militantëve të Rilindjes po rendis disa pyetje lidhur me procedurat e testimit:
A është testimi i mësuesve një metodë jo ligjore, antiprofesionale dhe shfuqizuese e diplomës universitare për mësuesi??
Cilat janë prerogativat e një institucioni burokrat militant që teston mësuesit pasi ky i fundit u është nënshtruar provimeve dhe diplomuar nga profesorë të universitetit? Me këtë logjikë diletanteske dhe pa asnjë referencë evropiane që ndiqni prej 8 vitesh pse nuk testoni dhe profesorët e Universitetit që kanë arsimuar dhe diplomuar breza të tërë mësuesish?
134 mësues që mbetën në testim dhe 4% që rezultuan me tregues të dobët, a i janë nënshtruar një strategjie trajnimi të mirëfilltë apo janë përdorur për lojë shahu të selektimit partiak të drejtorëve?
Pse Ministria e Arsimit nuk shpenzon asnjë fond për trajnime, kurse për ngritje kapacitetesh, inovacion teknologji, dhe si pasojë e pandemisë, mundësi për ringritje psikologjike dhe metodologji antistres ndaj mësuesve?
A verifikohen akademikisht institucionet që lëshojnë kredite për mësuesit dhe këta të fundit a pajisen në mënyrë korrekte dhe sipas meritës me kredite?
Për mësuesit mbetës që kanë dhënë mësim deri para testimit, a janë përgjegjës Ministria dhe eskpertët e drejtorisë Arsimore, për pasojat e mësimdhënies së dobët, tek nxënësit?
Zotërinj nëpunës, burokratët e teknicienë të Ministrisë. I vetmi institucion që duhet të zhvillojë, të trajnojë dhe të ngrejë kapacitetet e mësuesve, është dhe duhet të jetë, UNIVERSITETI.
Çdo show në llogari të propagandës së qeverisë, në kurrizin e mësuesve, të cilët mbajtën barrën e madhe të edukimit dhe përcjelljes së njohurive tek nxënësit në kohë pandemie, duke punuar me tre turne, duke rrezikuar shëndetin dhe që nuk u tërhoqën apo braktisën vendin e punës me shumicën e rasteve pa paguar, do jetë një poshtërim i pafalshëm i militantëve mediokër ndaj mësuesve të sakrificës dhe përkushtimit ndaj nxënësve. Me testimin partiak dhe aspak profesional dhe akademik do të jeni shkaktarë e pafalshëm të pandemisë së injorancës tek brezat e ardhshëm të nxënësve.