Për Kosovën do të reagojmë si Komb

Rama, mercenar politik që përdoret nga Soros

– Zoti Berisha përshëndetje, të falënderoj sërish që jeni në “Fakt”.
Kënaqësia është e imja, ju përshëndes përzemërsisht.

– Ju falënderoj. Po e fillojmë me atë që konsiderohet si lajmi i vitit. Në fakt e gjithë bota është tronditur nga fitorja e Donald Trump. Po le të flasim për atë që na shqetëson ne. Këto ditë pas inaugurimit dhe marrjes së detyrës, ka një shqetësim në mënyrë të veçantë nga mediat kosovare mbi një afrimitet të mundshëm të tij me presidentin rus Putin. A ndihen shqiptarët të rrezikuar në gjykimin tuaj?
Së pari, dua të theksoj se nuk është lajmi i vitit, por është lajmi i shekullit. Inaugurimi i tij është inaugurimi i shekullit. Për një sërë arsyesh. Së pari, i kundërshtuar në mënyrë të fuqishme nga të gjitha shtyllat e tjera të pushtetit, të vendit më të fuqishëm në botë dhe jashtë çdo parashikimi ai u ul më 20 janar në karrigen e njeriut më të fuqishëm të globit dhe planetit. Në këtë kontekst nuk ka dyshim që ai arriti këtu si udhëheqës, si lider i lëvizjes më të fuqishme revolucionare paqësore ndoshta të historisë së njerëzimit, aq sa janë të mëdha dhe të rëndësishme Shtetet e Bashkuara. Donald Trump u bë president si frymëzues dhe nuk u bë president si shtetar, si njeri i eksperiencës shtetare. Nuk u bë president si një hero i kësaj apo asaj lufte. Donald Trump u bë president si frymëzues i lëvizjes më të fuqishme që ka njohur SHBA-ja dhe bota. Kjo lëvizje, e cila ka segmentet e saj të fuqishme në Europë, është ajo që nxori Britaninë nga BE, është kjo lëvizje që dërgoi Matteo Renzin në shtëpi.

– Gjykata Kushtetuese sapo ka marrë një vendim që zgjedhjet mund të mbahen që në këtë moment.
Nuk arrij t’i kuptoj miqtë e mi në Itali që sa herë do të shkojnë në zgjedhje do të ndryshojnë ligjin. Atë ligj të mirë e kanë, vend demokratik Italia, bën zgjedhje. Pra, është kjo lëvizja që solli Donald Trump.

– Pasojat e kësaj lëvizjeje për shqiptarët zoti Berisha?
Dakord, po vetëm në një moment dua të ndalem, kundrejt përpjekjes së gjithanshme për demonizimin e saj. Unë nuk besoj se vlerat janë të kërcënuara. E kërcënuar në mënyrë serioze është status kuoja e establishmentit të sotëm. A besoj unë se ka një dëmtim, do të ketë një dëmtim, një rënie të interesave amerikane për shqiptarët? Jo. Trump tha: America the firts! Amerika e para! Ç’ka do të thotë interesi amerikan i pari. Kam bindjen më të madhe se një komb pro amerikan si shqiptarët, nuk mund të mos jetë një interes i presidencës së Trump. Nëse Trump, deklaron se unë do t’iu zgjidh një sërë problemesh me Putin, qëndrimet e mia ndaj Putin unë i kam të shprehura dhe nuk i lëviz. Më kujtohet vite më parë kur u zgjodh George Bush, europianët me një lloj zhvlerësimi filluan të flasin për presidentin kaubojs dhe jo vetëm kaq, por pak më keq. Filluan të kundërshtojnë Amerikën me pretekstin se kështu nuk do Putin apo këtu na zemërohet Putin, apo nuk kemi pse të irritojmë Putin. George Bush bëri një lëvizje, i lëshoi të gjithë përtokë, në një takim në Lubjanë me Putin. Pasi u takua me Vladimir Putin, filluan të kuptojnë se ky president, ka vlerat e lirisë si axhendën e tij kryesore dhe nuk e kanë këta kritikë, lirinë më çmuese se ai që drejtonte SHBA dhe nuk besoj unë që liria do të vuajë nga Donald Trump. Ka një gjë, një moment. Cili do të ishte në vlerësimin tim misioni i të gjitha misioneve të Donald Trump? Bllokimi i deindustrializimit të botës perëndimore. Cili është zhvillimi më negativ që po e bren sot Perëndimin dhe botën perëndimore? Është fenomeni i deindustrializimit i pranuar universalisht nga të gjithë, por që deri sot asnjë nuk guxon t’i dalë në ballë e as ta ndalojë. Unë për informacion, 7 vjet më parë në Samitin e Partive Popullore Evropiane, Silvio Berluskoni, në një fjalim do ta quaja nga më të rëndësishmit që kam dëgjuar, kërkon që të krijohet një komision për të studiuar si të përballemi me Kinën. I tha audiencës se disbalanca tregtare mes Italisë dhe Kinës ka arritur në 80%. Tani, nga ajo ditë e deri më sot, lider i botës që të ketë lëvizur një gjë për të frenuar këtë, nuk ka. Po ju kujtoj një moment. Në kulmin e krizës së suprimeve kam qenë në Dallas dhe po ju them një gjë. Meqenëse amerikanët ishin shkaku, nga establishmenti nuk erdhi njeri direkt, por erdhi Bill Clinton. Ai i tha audiencës: Amerika është shkaku i krizës. Se Amerika ishte shkaku i krizës financiare. Bëri një analizë: Ku u katandisëm me këtë politikë tha. Sot ekonomia amerikane ka vetëm 3 shtylla: ndërtimi që falimentoi nga suprimet, financat që janë të sëmura dhe shërbimet. Sepse u deindustrializua. Për fat të keq, miku im i madh nuk e kishte ilaçin që duhej. Ai i bëri thirrje Kinës, që mund të ishte një nga shkaqet. Na bli më shumë bono thesari që të blejmë më shumë mallra. Kjo ishte deindustrializim. Ndaj të presim dhe të shohim.

– Për ju Donald Trump është një frymëzues. Tashmë është e qartë se fitoi kundër establishmentit. Nuk ka ndodhur në një ceremoni inaugurimi që presidenti i SHBA-së, që presidenti i zgjedhur të mbajë një fjalim kundër të gjithë atyre që kishte ftuar dhe pro popullit.
Sepse ai nuk ishte njëri prej tyre.

– Në 25 vite, figura kryesore në Shqipëri është Sali Berisha që konsiderohet establishment. Si ka mundësi që figura kryesore e establishmentit në Shqipëri, frymëzohet nga Donald Trump dhe është kundër establishmentit të shtyllave politike të SHBA-së?
Jo unë nuk jam, por unë të them absolutisht nuk jam kundër, por çfarë kam patur? Unë e kam ndjekur me shumë keqardhje reagimin ndaj fitores së tij. Ne i kemi miq ata, por një reagim jo i drejtë. Fitoi, tani të përpiqesh dhe të shtrigëzosh një fitore që e dha populli yt, atëherë del jashtë dimensionit. Del jashtë dimensionit tënd, mendon se je shumë më tepër nga ç’je. Me këtë unë nuk kam qenë absolutisht dakord. Dhe po të më pyesësh mua se cili do të jetë rezultati i presidentit Trump, unë nuk mund të them. Unë thashë, nëse Trump arrin atë guxim, se për deindustrializim kanë folur të gjithë. Po hapa, çfarë po bën ky? Po ecën si luan, si lider.

– Zoti Berisha, në qoftë se kanë pasur aleatë shqiptarët, kanë pasur SHBA-në. Pak më parë thatë se Donald Trump frymëzoi dhe fitoi kundër të gjithë shtyllave të politikës amerikane. Por aleatë të shqiptarëve deri tani kanë qenë shtyllat e politikës amerikane. Personi që fitoi kundër shtyllave, a mund ta rrezikojë mbështetjen që shqiptarët kanë patur pa kufi nga ky komb, nga këto shtylla?
Unë mendoj se tek shtylla Trump, shqiptarët kanë miq të shkëlqyer. Shiko si jemi ne. Ne jemi shumë interesant si popull. Nuk jemi një vend i rëndësishëm, nuk kemi ndonjë peshë të madhe. Por një gjë e kemi: Nuk besoj të ketë vend tjetër me miq të shumtë për frymë dhe për kokë saç kemi ne shqiptarët. Në administratën aktuale ne kemi miq të shkëlqyer.

– A keni ju miq në administratën aktuale?
Pa diskutim, miq edhe të shkëlqyer, por jo vetëm unë, ka Shqipëria. Të themi një gjë: Ekipin që ka ky, ta themi në thonjëza, i panjohur për politikën, se në botën e tij ky ka qenë star dhe superstar. Ekipin që ky solli është ekipi i gjigantëve, në të gjitha aspektet. Unë besoj që në Shtëpinë e Bardhë të jetë ulur një ekip kolosësh, kolosë suksesi, i përbërë nga një, gjenerali që mori Pentagonin është gjenerali më i respektuar në historinë e pasluftës së SHBA, Matis e të tjerë me radhë. Kongresmeni Pompeu, që mori CIA, nuk është gjeneral, por është Ëestpoint, është Harvard, është Kongres. Ky ka sjellë me vete në grup gjigantësh suksesi, me të cilët nuk besoj kurrë që do të preken vlerat, do të zgjerojnë dhe do të lartësojnë vlera.

– A ka patur Sali Berisha, komunikim apo mesazh me ndonjë anëtar të administratës së Trump, pas fitores?
Kam patur. Unë kam miq në të gjitha anët, natyrisht më shumë republikanë. Nuk shkova sepse kam qenë një herë. Eksperienca është e jashtëzakonshme. Ata që s’e kanë ndjekur është humbje, por për të dytën, nuk përbën një risi. Ne kemi miq aty, në administratë, do të kemi dhe miq të tjerë se janë duke u plotësuar vendet.

– Zoti Berisha, opozita e djathtë shqiptare mund të ketë dhe gjasat janë se ka shumë miq në administratën e Trump, por kombi shqiptar a ka miq në administratën e Trump? Kombi shqiptar, se interesat e shqiptarëve, aleatë më të mëdhenj dhe lobimin më të madh prej amerikanëve e ka patur.
Edhe do ta ketë. Jam shumë i sigurtë. Nuk është rastësore, është mbi bazën e një qëndrimi.

– Analistë të njohur jo vetëm në Amerikë, por edhe në Europë, po flasin për takimin Trump-Putin, madje po aludohet edhe për vendin që është i njëjtë me atë ku është takuar Regan me Gorbaçov. Po aludohet se Trump është prej atyre personazheve politike që e ndan botën në tavolinë. Lëvizjet e fundit në Kosovë janë shqetësuese, për të mos thënë të frikshme. A mendoni se Kosova është e kërcënuar nga Trump?
Absolutisht jo. Kosova nuk është e kërcënuar nga Trump. Ai është personi që ka mbështetur formën më eficente të ndërhyrjes në Kosovë, ndërhyrjen e armatosur. Trump ka mbështetur në pozicionin që ka qenë ndërhyrjen me forca të armatosura. Forca tokësore. Kjo ishte mbështetja më ekstreme që mund t’i jepej Kosovës. Dhe nuk ka, nuk besoj në këtë jaltë të re, sepse ajo ishte një zhvillim pas një lufte me lumenj gjaku dhe miliona viktima. Kjo është një situatë krejtësisht tjetër. Ajo çka është e vërtetë është se, Trump mund të ketë një qëllim pak të veçantë ndaj BE. Duhet të jemi të hapur se, qëndrimin më të papërshtatshëm ndaj BE e kanë vetë anëtarët e BE. Çfarë mund t’i thonë Trump, kur ta zëmë e tha që është shndërruar në një klub gjerman kur ka vite që europianët, bërtasin jo një Europë gjermane. Angela Merkel para 4 vitesh u tha evropianëve të saj: nuk ekziston identiteti evropian, më thoni cili është? Ka identitet gjerman, anglez, francez, italian dhe tani thonë duhet luftuar për një Gjermani evropiane. Të nxjerrim Gjermaninë nga karakteri i saj gjermanik. Po pse do ta nxjerrësh Gjermaninë nga karakteri i saj? Energjia e saj po ndërton. Energjia e saj as në Europën e pasluftës, energjia gjermane jo vetëm rindërtoi Gjermaninë, por kontribuoi në ndërtimin e Evropës ish-komuniste e me radhë. Nëse e bën një temë të përditshme, Gjermani europiane dhe jo Europë gjermane, ka të drejtë ai, ky është një klub gjerman.

– Të kthehemi tek halli jonë, Kosova. Ngjarjet e javëve të fundit janë vërtet shqetësuese dhe ngjarjet që lidhen pak ditë para inaugurimit të Trump. Serbët morën guxim, pak nga perceptimi i asaj se çfarë po thuhej mbi raportet Trump-Putin, serbët morën guxim dhe de fakto tentuan ta aneksojnë Mitrovicën sepse treni ishte motiv. A mendoni se ky rrezik kapërceu?
Jo nuk ka kapërcyer dhe ky rrezik ekziston. Mendoj se në këtë rrezik përgjegjësia e parë dhe kryesore u përket shqiptarëve. Po marr Tiranën zyrtare. Po flas për të dyja. Është shumë kollaj se ne e kemi këtë në Ballkan, që çdo gjë do t’ua hedhë të tjerëve. Vetë janë të larë dhe të pafajshëm për asgjë, çka nuk është kurrë e vërtetë. Përgjegjësitë kryesore janë gjithmonë të prekshme. Politika e Tiranës: Një ndryshim thelbësor në favor të Beogradit. Në dëm thelbësor të udhëheqjes politike të Prishtinës.

– Ku e shikoni këtë zoti Berisha?
Sigurisht, në qoftë se ti që nuk ke asnjë problem bilateral, madhor të pazgjidhur me Beogradin, përveç problemeve që ka Kosova, shkon dhe bëhesh protagonist dhe kapërcen mbi Prishtinën dhe paraqet udhëheqjen e Beogradit ashtu sikur nuk janë, ky është shërbimi i parë i madh moral që u bën, por nuk është vetëm kaq. Do t’u rrëfej një gjë interesante. Para nja 5 vitesh më vjen një mesazh nga Departamenti i Shtetit, direkt nga sekretarja e Shtetit dhe më kërkon: A mund të bësh një deklaratë, për të mbështetur – ishin bisedimet të nesërmen në Bruksel. A mund të bësh një deklaratë më thotë? Jo i thashë, nuk e bëj. I thuaj sekretares se unë deklaratën do ta bëj pasi ata të vendosin se unë vetëm kështu i ndihmoj ata. Në qoftë se u bëj deklaratë përpara dhe shqiptarët shohin se ata janë si punë shkopi i Tiranës, ata zhvleftësohen, Beogradi merr revansh. Nuk e pata të lehtë, por i qëndrova parimit tim. Ndodhi që të nesërmen ata firmosën dhe unë e quajta jetike a historike marrëveshjen me atë mbështetjen e madhe. Po kështu në çdo rast, sepse përpjekja e Beogradit ishte e jashtëzakonshme që Kosova të futej në axhendën e diskutimeve mes Tiranës dhe Beogradit. Ne e përjashtuam atë në mënyrë kategorike. Pse? Së pari, zotërit e shtëpisë janë udhëheqja politike. Së dyti, jemi në konflikt të hapur interesi, unë mbaj anën e Kosovës. S’ka diskutim ajo punë. Unë në çdo rast do të mbështes Kosovën. Ky duhet të ishte qëllimi, Edi Rama e përmbysi këtë qëllim. Ka ardhur, e kam theksuar dhe një herë Kiçi, a do ta presësh më tha mua? Por me një kusht që të mos përmendësh Kosovën në zyrën time. E respektoj, unë si mikpritës e prita, unë absolutisht nuk jam kundër vizitave, kam pasur ftuar presidenti Tadiç, por dihej hapur qëndrimi i Tiranës, që ne nuk diskutonim për Kosovën, ne mbështesnim Kosovën. Tani vijmë tek tjetra. E gjithë ajo që iu bë Kosovës për të treguar se nuk funksionon si shtet, ajo përbën një, – ky është defaktorizimi që i bëri Rama, – ai në vetvete përbën një lloj bllokimi të neveritshëm me të cilin Serbia paraqiti Kosovën para botës në mënyrën më të shëmtuar. Do të vijmë tek zhvillimi i fundit. Treni pa diskutim ishte përpjekje aneksioniste. Eci, eci aventurier. Nuk është vetëm atje. Shiko debatin në Prishtinë për shkëmbimin e territoreve. Kur, atë kohë të ka sulmuar tjetri, kur ai të sulmon, ti i jep kokën në tepsi atij dhe thuaj ti çfarë do të thotë kjo? Po pse pikërisht, unë iu them shqiptarëve, kërkesa për shkëmbime territori midis Kosovës dhe Serbisë, ka qenë kërkesa kryesore e Serbisë që paraqiste ndaj nesh dhe që ishin kategorikisht kundër dhe lobonin në SHBA për të qenë kundër. Dhe më thonin më herët pse jeni kaq kundër? Nuk kemi pse ndajmë territore, por këta verbalë, nuk e dinë. Ai synon Ibrin, ai synon Pejën.

– Zoti Berisha, Tirana zyrtare ka përgjegjësi?
Të jashtëzakonshme. Vetë qëndrimi ndaj trenit çfarë ishte? Më ka bërë të mendoj më shumë se kurrë për një marrëveshje Rama-Vuçiç.

– Heshtje…
Jo nuk ishte heshtje, më keq se heshtje. Unë merrem me Enverin dhe vazhdoj punën. Unë s’kam punë me ty, unë po merrem me këtë fansin tim që më shkruan pse fole e s’fole. Ça do të thuash ti? Ti je në rregull, kjo në gjuhë diplomatike është absolutisht Go Ahead. Nuk ishte heshtje, ishte miratim dhe hec përpara. Nuk foli 24 orë, kur foli, po si mund të qëndrojë në një mënyrë kaq indiferente ndaj një gjëje që mund të shpërthente një luftë, pasojat e të së cilës direkt më shumë se kush, përveç Prishtinës, do i vuante Tirana? Dëgjo ti Enver si Millosheviçi e turizmi do kohë të tilla. Ajo ishte Sandër, go ahead.

– Tirana zyrtare po, zëra publike dhe politikë dhe të rëndësishëm në Kosovë kanë përgjegjësi sepse menjëherë ofruan shkëmbime territori. Po Prishtina zyrtare a ka përgjegjësi?
Prishtina zyrtare në disa zhvillime duhet të jetë më e vendosur. Muri, ata që mendojnë ta ndajnë territorin e Kosovës me mure, ata duhet të përballen me forcën e ligjit. Historia ka dëshmuar se nëse shqiptarët mbeten në mëshirën serbe i pret vetëm zhdukja. Ku e ngre këtë mur ti? Muri dhe ndjej keqardhje kur dëgjoj, çdo gjë Bashkimi Europian. Po ti je shtet në radhë të parë, je i pavarur dhe si shtet i pavarur, nëse ti nuk je i zoti…

– Luftë me Kosovën apo edhe me Shqipërinë?
Me shqiptarët, kombi është vetëm një. Shqiptarët asgjë nuk i pengon për të luftuar me njëri-tjetrin…

– Zoti Berisha ju po thoni se aneksimi i Mitrovicës i fut automatikisht shqiptarët në luftë?
Absolutisht nëse shqiptarët do t’i thonë vetes një komb plotësisht…

– Edhe nëse rrezikojnë anëtarësimin në NATO?
Nëse sulmohet? S’mund të ketë kurrë rrezikim anëtarësimi në NATO, por nëse vriten shqiptarë ta harrojnë që s’do të ketë reagim tjetër. Ky reagim ishte evident në vitet ’98-’99, por tani do të jetë 10 herë më i madh. Shqiptarët kanë një motiv, do të reagojnë si komb i vetëm. Dhe për fat të keq të tyre, janë më të freskët në mësimet e tyre për luftën, do të detyrohen të luftojnë pas 50 vitesh.

– Zoti Berisha, një ndarje ose aneksim i Mitrovicës, a çon automatikisht në bashkimin e Shqipërisë me Kosovën?
Kjo është hilja, është një joshje serbe. Territoret midis Serbisë dhe Kosovës mund të shkëmbehen vetëm atëherë kur Serbia të ketë njohur plotësisht Kosovën, të ketë normalizuar çdo lloj marrëdhënie me të, të ketë vendosur fqinjësinë e mirë dhe të mos i shohë më shqiptarët si një rrezik, t’i shohë shqiptarët si fqinj me të cilët do të ndërtojë të ardhmen në shekuj. Unë e kam thënë, ideali i bashkimit është ideali më i fuqishëm, por bashkimi i Kosovës me Shqipërinë mund të ndodhë, në asnjë mënyrë ndryshe veçse si dy shtete të pavarura, funksionale, të lira, demokratike, bashkimi i të cilave nuk përbën asnjë kërcënim për asnjë vend tjetër. Kjo është rruga. Nëse ne përqafuam rrugën e lirisë ne duhet t’u besojmë këtyre vlerave, ne duhet t’i ndjekim këto. Por nëse mendojmë tani, ai na sulmon dhe ne t’ia servirim territorin dhe të bëjmë sikur po bashkohemi, ne bëjmë vetëm lojën e tyre dhe për fat të keq, dhe për fat të keq ithtarë të tyre ka jo pak në botën shqiptare.

– Të ktheheshim sërish tek politika jonë e brendshme. Menjëherë pas fitores së Trump, janë dy lëvizje që ka bërë qeveria shqiptare, një drejt Iranit dhe një drejt Kinës, sigurisht me motivacion bashkëpunimin ekonomik, por janë dy vendet që presidenca Trump ka shpallur si problemin kryesor të SHBA-së. A ju duket se zoti Rama tashmë është i qartë dhe po i vendos shqiptarët ndërmjet pyetjes: Me mua kundër Trump, miq me amerikanët, por jo me këtë president?
Dy janë momentet kryesore që duhen marrë parasysh. Begraundi i tyre familjar është fund e krye antiamerikan. Këtë Edi Rama nuk ka ngurruar ta tregojë edhe kur ka qenë në opozitë, edhe në raste të tjera, dhe me NATO-n, dhe me Bushin etj. Së dyti, Edi Rama me deklaratat e tij kundër kandidatit për president të SHBA-së, tregoi se është vetëm një mercenar apo halabak politik, ose një kone e George Soros. Po ndalem pak tek ky moment. Shqiptarët, por jo vetëm shqiptarët nuk e dinë dhe nuk e imagjinojnë dot fuqinë e jashtëzakonshme të George Soros.

– Zoti Berisha e besoni vërtet këtë apo është kthyer në legjendë?
Absolutisht, është realitet. Pse? Soros nuk është më i pasuri në botë…

– Por ka qenë një nga kundërshtarët tuaj…
Prit, është një nga miliarderët e pasur që krijon pasuri dhe spekulim duke mos prodhuar asgjë në një formë mëkatare sa më nuk bëhet. Soros është njëshi i botës për të vendosur miliardat e tij për qëllime politike. Kaq, qëndrojmë këtu. Për të kujtuar se cili është Soros, po të kujtoj një intervistë të tij në fushatën elektorale të dytë të George Bush. Ai mbështeste John Kenedy. I thotë gazetari: ke sponsorizuar fushatën? Po thotë i kam dhënë 20 milionë a nuk mbaj mend sa. Dhe i thotë: Do të ishte i gatshëm të jepje të gjithë pasurinë tënde? Me një kusht. Cili kusht i thotë gazetari: të jem i sigurtë që fiton Bushi. Ja, ky është Soros, si asnjë miliarder tjetër në botë. Vazhdojmë pak më tej. Ka shpërndarë, pa diskutim që është gjeni në financa, jashtë çdo lloj diskutimi, ka shpërndarë me dhjetëra, me qindra milionë në Europë dhe kudo për të krijuar rrjetin, netëorku i Soros është i Soros, nuk është i Amerikës apo është në njëfarë mënyre i lidhur në një krah me politikën amerikane. Po kjo nuk shkon. Soros me shumat që jep ka fuqinë më të madhe se kushdo tjetër, politike, qoftë në SHBA, tek demokratët siç faktohet, por qoftë në Bruksel, në Europë dhe kudo. Tani Edi Rama për koinçidencë ka qëlluar të jetë njeriu më i investuar nga Soros, në vendet ish-komuniste. U përdor egërsisht nga Soros, quajti turpin e qytetërimit Donald Trump, i cili po të shikosh në biografinë e tij ai më shumë është shoëman i kulturës. Pse më shumë? Se miliarderë ka plot. Po edhe miliarderë edhe shoëman, nuk ka. Dhe ky ishte një shoëman brilant dhe të thuash se ky qenka një turp i qytetërimit, atë mund ta thotë vetëm Soros dhe Rama që ia dha formulën. Pra, Edi Rama u përdor për të thënë atë që nuk e tha kush mbi tokë për Trump, për ta thënë në mediat e tij në “CNN”, në “Neë York Times” dhe në mediat e tjera kryesore. Çfarë tha tjetër Edi Rama? Ai e dinte se me këto, marrëdhëniet do të dëmtohen me Shtetet e Bashkuara.

– E tha se nuk e besonte se fitonte presidenti Trump apo se realisht nuk është i lirë nga Soros për të ndërtuar raporte me presidencën Trump?
Absolutisht është e dyta. Se nuk fiton presidenti Trump, unë që jam para teje kam thënë që nuk fiton, me mendjen time dhe janë shumica dërrmuese që kanë thënë se nuk fiton. Ka patur tek-tuk që ka thënë e fiton, por në përgjithësi, mendimi i përgjithshëm, i mediave, i poleve, parashikimet kanë qenë. Matteo Renzi shkoi 3 ditë përpara bëri fushatë kundra tij në SHBA, por nuk tha kush, s’mund të thuhet ajo fjalë sikundër nuk mund të krahasohet kurrë. Amerika është liri e ndërtuar në 200 vjet. Çfarë tha? I organizoi Soros protestën më të madhe në ditën e inaugurimit. Zëdhënësi i tij tha: Presidenti ka respekt të shëndetshëm për amendamentin e parë të Kushtetutës. Në këtë kontekst Rama u sul si një mercenar i Soros dhe njëlloj mercenari i përdorur si halabak politik.

– Pra, ju mendoni se është peng i George Soros?
Absolutisht është peng i Soros.

– Po nëse zoti Rama do t’i vendosë shqiptarët, që ka gjasa që të ndodhë siç po duket, do t’i vendosë shqiptarët ndërmjet dy zgjedhjeve, ndërmjet tij dhe aleancës me SHBA-në, a mendoni se shqiptarët do ta ndjekin zotin Rama?
Kurrë, shqiptarët janë të mençur dhe kurrë nuk do të sakrifikojnë. Nuk them që janë 100% pro amerikanë, por shumica dërrmuese pro amerikane dhe nuk do të sakrifikojnë kurrë miqësinë, mirënjohjen, por edhe sensin.

– Gjithmonë në qoftë se amerikanët nuk do të jenë indiferentë ndaj Shqipërisë.
Jo nuk janë, amerikanët nuk kanë qenë kurrë indiferentë ndaj Shqipërisë. Kjo është e gabuar. Po të shohim, s’mund t’ua thuash kurrë atë. Që në vitet ’18-’20 e me radhë, nuk është se Shqipëria ka qenë çështje kryesore në historinë e tyre, por aq sa e kanë mbajt në axhendë, në historinë e lirisë kanë qenë përcaktues ata.

– Zoti Berisha, kryetari i opozitës, zoti Basha vazhdon shtegtimin e tij ndërkombëtar. Ishte në SHBA, tashmë është në Bruksel dhe me sa di unë do të jetë edhe në Berlin. A keni një komunikim me të dhe a ka arritur opozita shqiptare të vendosë nëpërmjet zotit Basha raporte me administratën e Trump?
Të shkëlqyer…

– E keni dëshirë apo informacion?
Absolutisht informacion dhe të sigurtë. Raporte të shkëlqyera.

– Çfarë i sigurojnë opozitës raportet e shkëlqyera? Se raporte mund të kesh, por nëse nuk ka angazhime, nuk kanë vlerë përveç miqësisë.
Zoti Basha dhe Mediu që ishin këto ditë atje kanë zhvilluar takime me eksponentë shumë të rëndësishëm të Kongresit, të Senatit, por edhe të administratës dhe mund të them me siguri që kanë gjetur mirëkuptim për problemet shumë të drejta që kanë shtruar si kundër ka patur, në Bruksel. Ka patur një takim të veçantë me presidentin e Partive Popullore Evropiane. Ka gjetur mbështetje të plotë dhe rezoluta që u miratua është dëshmia më e saktë e saj. Miratoi një rezolutë Asambleja e PPE.

– Zoti Berisha, a ka arritur zoti Basha të marrë garanci, jo vetëm mirëkuptim, që zgjedhjet nuk do të preken?
Ka marrë garanci që zgjedhjet në Shqipëri do të jenë në lupë mikroskopike dhe ka arritur të marrë garanci të plota për një interes maksimal të tyre për zgjedhje dhe pa vështirësi.

– Meqenëse jemi në fund, të kalojmë pak tek politika e ditës. Qershoi po afron, duket se Rama-Meta do të shkojnë sërish bashkë në zgjedhje. A mund t’i mundë kjo opozitë?
Absolutisht.

– Jeni i bindur për këtë?
Absolutisht, jam i bindur sepse tani është kohë bilanci për çdo shqiptar. Dhe jam i bindur se sot, janë të paktë shqiptarët që nuk shohin katastrofën në zhvillim të shpejtë në vendin dhe në shoqërinë e tyre. Jam i bindur se shqiptarët me të drejtë thonë: mirë këta, po këta tjerët, për demokratët. Një gjë i them çdo shqiptari. PD ka qenë në pushtet, pa diskutim me një zinxhir problematikash, suksesesh, por kurrë në histori nuk është thënë për qeverinë e saj se nga ’12 e deri më sot, nuk ka patur qeveri të tillë të korruptuar si kjo, të lidhur me krimin si kjo. Pra, nuk i ka rreshtuar asnjë kundërshtar i saj rekordet e zeza që i rreshtojnë Ramës këto 4 vite, për të mos thënë largimin masiv të qytetarëve nga vrasja e shpresës. Për të mos thënë pastaj, politika e jashtme e kësaj qeverie është një politikë e rrezikshme dhe unë e kam denoncuar këtë edhe para se Rama të bënte deklaratat e marra për Trump. Këta dolën me doktrinën e zero problemeve me fqinjët, duke menduar se në këtë mënyrë paraqitesh si pëllumb i paqes. Ata nuk kuptuan se çfarë ishte kjo doktrinë për diplomacinë e Turqisë. Turqia ndihej superfuqi rajonale, duke e ndjerë veten superfuqi rajonale, Turqia thoshte pastaj që kam zero probleme me fqinjët. Në fakt i doli e kundërta. Pati probleme më shumë se kurrë në histori që nga themelimi deri më sot, kjo ka qenë periudha kur ka patur më shumë probleme me fqinjët.

– Kurrë në 25 vjet, opozita shqiptare qoftë e majtë apo e djathë, nuk ka ndodhur të futet në zgjedhje në këtë situatë të kapjes së mediave. Dje në këtë studio, gazetari i njohur Blendi Fevziu gati i revoltuar ndaj televizionit ku ai punon dhe që ka 20 vjet që bën emisionin e tij. Si mendoni se kjo opozitë mund të arrijë t’u shpalosë shqiptarëve platformën e saj me këtë situatë të mediave?
Unë mendoj se është detyrimi i saj ta arrijë.

– Donald Trump foli për Fake News në SHBA…
Ky është ligj i përditshëm…

– Kryetari i opozitë shqiptare nuk po arrin ta bëjë këtë gjë në Tiranë.
Këtu fake news apo news me tualet është sallata më e zakonshme. Do të të jap një shembull dhe uroj që mediat në momentin e tyre të fundit të ndalen, të kthehen, t’i thërrasin vetes dhe të mendojnë se janë një pushtet i lirisë, janë një shtyllë e lirisë. Po marrim shembullin e fundit të portalit “Shuplaka”, i një gazetari të nderuar investigativ, Artur Çani, na fakton që Erion Veliaj nga 31 ditë të muajit, vetëm 8 ditë ka qenë në Tiranë, të gjitha të tjerat jashtë shtetit dhe në avion, ndërkohë që këto media e kanë paraqitur në ekranet e tyre, duke mashtruar tiranasit dhe shqiptarët çdo ditë. Uroj që ky shkrim, kjo gjetje, t’ua prekë ndërgjegjen drejtuesve të mediave, redaktorëve, kryeredaktorëve. Në ç’kuptim? Kurrë të mos bien më në këtë mënyrë dhe pse? E kanë shumë thjesht, hanë llokumet, kasetat e Veliajt. S’do ti të më lësh të vij në aktivitet, s’të jap. Të bëhen përcjellës të një mashtrimi të tillë, të paskrupullt, amoral i një kryetari bashkie, i cili u thotë qytetarëve se jam tek rruga “Sabaudin Gabrani” dhe në një kohë që është në Singapor dhe ditën tjetër u thotë jam tek rruga “Halil Bega” dhe atë ditë është në Milano. Një kryetar bashkie i tillë është turpi i njeriut, por mediat janë më keq se ai kur pranojnë një praktikë të tillë. Uroj që leksioni i Atur Çanit t’u shërbejë sepse është leksioni i një kolegu të tyre.

– Sali Berisha nuk ka hezituar kurrë ta takojë median edhe kur ka menduar se ata kanë abuzuar. Lulzim Basha nuk po e bën.
Sali Berisha kurrë nuk u ka çuar mediave kaseta të parapërgatitura, por i ka patur dyert e hapura. Kush ka dashur kudo, përveç atyre orëve të punës në zyrë, ka ardhur tek ish-kryeministri, tek kryeministri apo ish-kryetari i opozitës. Në mënyrë absolute nuk kam zhvilluar kurrë aktivitete, vetëm kur ato s’kanë ardhur.

– Gjithsesi nuk keni hezituar kurrë të përplaseni me të. Ndërkohë që kryetari Basha, i cili gjendet në raporte shumë më të këqija se sa ju në aspektin mediatik, i cili nuk pasqyrohet, por refuzon të bëjë atë që bëri kryetari i vendit më të lirë në botë: të atakojë mediat që në fakt po e zhdukin nga ekrani. Nuk është se po zhdukin zotin Basha, po zhdukin opozitën.
Në fakt po e zhdukin opozitën. Qëllimi i tyre ndaj opozitës është më i paimagjinueshmi. Një moment është që kryetari i opozitës dhe lideri i opozitës, duhet të përdorin të gjitha mjetet ligjore për të përmbysur këtë situatë. Unë nuk jam, megjithëse thashë nuk kam ngurruar, ka edhe media të caktuara që i kam përjashtuar se i përjashtonte edhe mbretëresha e Anglisë. Kur unë përjashtova njërën, Mbretëresha e Anglisë kishte përjashtuar “BBC”. 3 muaj, pastaj u hapa prapë, por sinjalin e dhashë. Unë jam përpjekur të jem i hapur ndaj mediave, të krijoj hapësira. Nuk kam dejonizuar, natyrisht ka segmente mafioze nga më kriminalet në media. Kjo është e njohur. Kur unë sulmoja, po marr Bolinon, dilte që gazeta e tij ishte e lidhur me Sakra Korona Unita. Dilnin artikuj njëri pas tjetrit. Tani, a mund të lejoj unë që Bolino të përdorte imunitetin e gazetarit, që ishte dobësia më e madhe? Natyrisht do i thoja. Apo ringjallja e “Gazetës shqiptare” që e themeluan fashistët. “Gazeta shqiptare” me këtë titull i themelua nga fashistët. Ç’nevojë ka që të futej në treg një gazetë e fashizmit?

– Ishit ju kryetar shteti kur ndodhi kjo gjë zoti Berisha?
Unë e denoncova, por e respektova. Prapë se prapë nuk isha unë diktator, unë isha President i parë i një vendi demokratik, duhet të respektoja ligjet. Atë që bëra e denoncova.

– Zoti Berisha edhe një pyetje të fundit për shkak të kohës. A rrezikohet funksioni i kryetarit të PD pas zgjedhjeve 2017?
Pyetje shumë interesante. Në bindjen time, në vlerësimin tim, PD do i fitojë zgjedhjet, por për fatin e çdo njeriu në hierarkinë e kësaj partie është gjithçka në dorën e saj dhe Sali Berisha pas përfundimit të asaj fushate elektorale në parti që isha i detyruar ta mbikëqyrja në njëfarë mënyre, nuk përzihet më në zhvillimet e saj. Unë jam në mënyrë përfundimtare i tërhequr, mbështes në ato mënyrat e mia brenda mundësive, por kurrë nuk i përzihem asaj, as në fatin e tij, as në fatin e atij, as në fatin e kësaj, e as në fatin e asaj.

– Kjo lloj tërheqje, kemi një rast në Itali, një tërheqje pak a shumë të ngjashme të Silvio Berluskonit, por e djathta italiane sot është në kuota minimale. Tërheqja mund të jetë parimore, morale, por a është e efektshme? E thënë më shkurt: A jeni i kënaqur me Lulzim Bashën si pasues?
Absolutisht, mendoj se opozita ka realizuar gjëra jashtëzakonisht të vështira dhe të rëndësishme në vlerësimin tim. Për fat të keq kam qenë i bindur gjithnjë se janë të një rëndësie fondamentale për vendin, por nuk janë të një rëndësie po kaq të madhe elektorale në sjellje direkte. Mendoj se vlerësimi im pa diskutim që është pozitiv, sikundër duhet të them një gjë. As dhe një moment, për 1 të qindtën e sekondës, Sali Berishës nuk i ka shkuar në mendje se bëra gabim që dhashë dorëheqjen. Absolutisht, bëra shumë mirë. Sepse i qëndrova… në fund të fundit beteja e njeriut është betejë për dinjitet njerëzor dhe nuk kam asnjë lloj keqardhje, nuk mundem të kem. E vetmja gjë që shoh njerëz, që rri dhe mendoj ndonjëherë jo ky ndikon. Unë ndikoj në të gjithë jetën politike sepse shih Edi Ramën, ai fillon e i mbaron fjalimet me mua. Ai rrugës kur ecën, vetëm për faktin që janë ndërtuar gjatë qeverisjes së mëparshme, ai flet kundra meje dhe me mua.

– Kjo është e vërtetë që ndikoni në të gjithë jetën politike. A keni menduar që të mos ndikoni ndonjëherë?
Absolutisht, gjer minutën e fundit të jetës sime do të luftoj në mbrojtje të interesit publik, siç unë e gjykoj. Nuk them që unë kam monopolin e të vërtetës për këtë interes, por interesin kombëtar dhe publik unë do t’i mbroj në çdo lloj situate nëse fuqitë e mia mendore dhe fizike më lejojnë.

– A do të jetë Sali Berisha deputet në Parlamentin e ri të 2017?
E vendos udhëheqja e Partisë Demokratike.

– Po ju jeni i gatshëm?
Pa diskutim…

– Zoti Berisha, unë të falënderoj.
Faleminderit.

Intervistoi: Çim PEKA
“Syri.net”

Exit mobile version