Ndërhyn qeveria

Qeveria kineze ka urdhëruar sot ndalimin e pagesave të çmendura për afrimin e futbollistëve të huaj, si për t’i blerë, ashtu edhe për rrogat e tyre. “Do të ndërmerren masa ndaj investimeve joracionale, ndërsa qeveria do të rregullojë dhe kufizojë blerjet me çmime të larta dhe të bëjë kufizime të ndjeshme rreth të ardhurave të futbollistëve”, u shpreh dje një zëdhënës i administratës shtetërore të sportit.
Klubet të cilat nuk do të përshtaten me rregulloret do të përjashtohen nga Superliga kineze, e cila në fakt ka shpenzuar më shumë se klubet angleze për t’u përforcuar para fillimit të sezonit të ri. Emra si Oskar dhe Tevez u transferuan përkatësisht te Shangai SIPG dhe Shangai Shenhua, duke u kthyer menjëherë ndër më të paguarit në rruzullin tokësor. Tevez është rekordmeni i ri, pasi do të përfitojë 38 milionë euro në sezon, ndërsa Oskar “vetëm” 24 milionë euro, gjithsesi më shumë se sa përfitojnë aktualisht si rrogë Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi.
Që nga momenti kur presidenti i Kinës, Xi Jinping, deklaroi se ëndërronte që një ditë të shihte Kinën duke organizuar e fituar një Botëror, ka filluar një fluks i ndjeshëm të ardhurash në futbollin kinez, që tashmë duket se ka dalë plotësisht jashtë kontrollit.
Pa dhënë shifra të sakta, zyrtari i agjencisë që kontrollonte sportin në këtë vend, tha sot se qeveria do të vendoste “tavan” si për shifrat me të cilat mund të bliheshin futbollistët, ashtu edhe rrogat e tyre.
“Objektivi ynë duhet të jetë ndërtimi i klubeve 100-vjeçare”, tha ai, duke shtuar se do të kishte kontrolle më të rrepta mbi situatën financiare të klubeve dhe duke përsëritur se çdokush që nuk do të përshtatej me këto rregulla të reja, do të përjashtohej nga kampionati.
Nëse mendoni se kinezët e kanë ekzagjeruar me transferimin e Oskar dhe Tevez në Kinë, duke u vënë rroga të çmendura, pritni derisa të dëgjoni se çfarë janë të gatshëm të bëjnë ata për të siguruar Uejn Runin. Oskar u transferua nga Çelsi te Shanghai Shinhua, ku do të përfitojë 417 mijë euro në javë. Por aziatikët tashmë kërkojnë Runin dhe janë gati t’i paguajnë dyfishin e kësaj shume.
Sipas “Mirror”, sulmuesi i Anglisë ka marrë dy oferta të njëpasnjëshme nga klubet kineze të Guangzhou Evergrande dhe Beijing Guoan. Nëse i thotë “po” cilitdo prej tyre, do të fitojë 800 mijë euro në javë, ose më shumë se 42 milionë euro në vit.
Transferimi i tij nga Mançester Junajtid do të ishte relativisht i thjeshtë, mjafton që të jetë dakord, pasi ai ka klauzolë largimi në kontratën që i përfundon në vitin 2019. Ajo kushton vetëm 12 milionë euro, shifër që mund ta paguajë vetë Runi pa problem pa mbaruar gjysmën e vitit të parë në kampionatin aziatik.

Artikulli paraprakUEFA publikon skuadrën më të mirë të vitit 2016
Artikulli tjetër14 sfidat që do të vendosin fatin e kampionatit