Nderimi i disidencës

Nga Halil RAMA

Universiteti amerikan për paqen globale ka nderuar Besim Ndregjonin me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa

Kryetari i PD, Lulzim Basha, mesazh urimi për presidentin e Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotin Besim Ndregjoni

Dhjetë vjet pas dekorimit nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “Mjeshtër i madh”, vjen një tjetër titull nderi për aktivistin e të drejtave dhe lirive të njeriut, Besim Ndregjoni.

Universiteti amerikan për paqen globale ka nderuar me titullin e lartë “Doctor Honoris Causa” për marrëdhënie ndërqeveritare dhe humanitet presidentin e Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotin Besim Ndregjoni duke i njohur shërbimin e tij të përkushtuar dhe vetëmohues ndaj proceseve të paqes dhe pajtimit në Shqipëri.

Parasëgjithash ky është nderimi që i bëhet disdencës shqiptare, Jo më kotë, në këtë event që u mbajt nën kujdesin e veçantë të Misionit diplomatik për paqe dhe Prosperitet me pjesëmarrjen e personaliteteve nga sfera publike, Besim Ndregjoni  u vlerësua si një legjendë e gjallë, i cili gjithë jetën ua ka dedikuar gjithë atyre që u persekutuan egërsisht nga rrëgjimi.

Ka të drejtën legjitime të ndjehet krenar Njeriu që që gjithë jetën e tij ia ka dedikuar zërave që nuk mundën kurrë të dëgjoheshin pasi u shtypën nën rrëgjimin e egër komunist . Ai e vlerëson këtë titull si nderimin më të madh që ju bëhet 4500 të zhdukurve të regjimit, 36 mijë burrave dhe grave që u burgosën për liri, si dhe  50.000 familjeve të persekutuara.

Por para së gjithash, ky titull i lartë është vlerësim për kontributin e rëndësishëm të zotit Ndregjoni si aktivist i mbrojtjes së të drejtave të njeriut, veçanërisht për integrimin dhe mbështetjen e shtresës së të përndjekurve politikë dhe për veprimtari të çmuar në evidentimin dhe demaskimin e krimeve të regjimit komunist. Në ceremoninë e dhënies së këtij titulli ishin të pranishëm ish-Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deputetët e zgjedhur të PD-së Dhurata Cupi, Xhelal Mziu, Tomor Alizoti, këshilltari  i Presidentit të Republikës, gjeneral Dedë Prenga, këshilltari i kryebashkiaut të Tiranës Veliaj, Z.Arjan Hamiti, si dhe dhjetra të përndjekur politikë të regjimit komunist nga Tirana, Dibra e Shkodra.

Shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta

Ndregjoni është shembulli i qëndrestarit, shembulli i njeriut që na tregon se si duhet jetuar jeta. Ai ka të drejtë të krenohet për udhën që ka përshkruar gjatë gjashtë dekadave. Si askush tjetër, ai ka ditur të lërë gjurmë të pa shlyera në udhën e jetës, gjurmë që duhet t`i ndjekin dhe pasardhësit e tij. Personaliteti i tij, kudo dhe në çdo rrethanë reflekton vlera, për të cilat është e etur shoqëria jonë. I rritur dhe edukuar në një mjedis atdhetarësh, në Lukanin e Katër Grykëve, rrëzë Runjës hijerëndë e kreshnike, ai u bë shembull frymëzimi për bashkëkohësit, si udhërrëfyes i progresit dhe dinjitetit njerëzor. Në gjithë jetën e tij Besim Ndregjoni njihet si një njeri mjaft serioz, shumë i dashur dhe me një humor, gjithmonë të shëndetshëm. Njeri i veçantë, energjik, në sjellje e qëndrime, me një mënyrë të foluri karakteristike, që të mbush mendjen për çdo gjë që mund të flasë. Një njeri tepër bujar, i thjeshtë si buka që ndante përnatë e përditë me miq nga më të ndryshmit në tryezën e vatrës së tij familjare. Është një ndihmëtar i pakursyer për të përcjellë nëpër shkolla dhe universitete të vendit, dhjetëra e dhjetëra djem dhe vajza të popullit, nga familje të burgosura e të persekutuara të regjimit komunist. Pikërisht këto vlera të tij i evidentuan gjatë fjalëve përshëndetëse,  dr. Shefki Hysa, kryetar i Misionit Diplomatik Paqe dhe Prosperitet, Ardian Elezi, Arjan Hamiti dhe vecanërisht koloneli amerikan në pension doktor Randell Torn. Ndërkohë të pranishmit u njohën dhe me msazhin e urimit që Kryetari i PD-së Lulzim Basha i dërgoi me këtë rast presidentit të Unionit të ish të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, zotit Besim Ndregjoni

Misionari vizionar u ka prirë zhvillimeve të rëndësishme

Emblema e disidencës shqiptare, Besim Ndregjoni, falë intuitës, inteligjencës dhe largpamësisë së tij ka ecur vrullshëm në jetën politike shqiptare të këtyre 25 viteve pluralizëm, duke u prirë zhvillimeve të rëndësishme. Ai i përket atij brezi të vuajtur të Shqipërisë së diktaturës së proletariatit, ku vlera e njeriut ishte e papërfillshme dhe ku konstitutohej nga Kushtetuta diktatura e pakicës mbi shumicën. Ndregjoni vjen nga një familje fisnike, e shquar në kontributet për shërbimet në drejtim të shoqërisë dhe kombit. Si familje fisnike u persekutua nga regjimi komunist; ai regjim i pushkatoi tre pjesëtarë të familjes, dy, të tjerë i mbyti në hetuesi. Babain e tij, Imer Ndregjoni e dënoi me 17 vjet burg politik dhe persekutimi vazhdoi edhe jashtë familjes, ku nga torturat i çmendi në hetuesi kunatin (1982). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, babai i tij luftoi me armë në dorë së bashku me Abaz Kupin kundra fashizmit në prill të vitit 1939. Ai ishte një nacionalist, antikomunist dhe humanist, i cili gjatë periudhës 1943-1945 shpëtoi një familje hebrejsh nga genocidi nazist. Me ardhjen e sistemit pluralist, për kontributet e dhëna në shërbim të kombit, babai i tij është shpallur “Qytetar Nderi i Selishtës, Dibër” (2003). Po ashtu, Presidenti i Republikës e ka dekoruar me “Medaljen e Artë të Shqiponjës”, si luftëtar antifashist dhe për qëndresën ndaj regjimit komunist. Këshilli Bashkiak i Tiranës me rastin e 60-vjetorit të genocidit nazist mbi Hebrejtë, ka emërtuar një rrugë në Tiranë, Rruga “Imer Ndregjoni” me motivacionin për shpëtimin që u bëri hebrejve gjatë okupacionit nazist. Gjatë kohës së regjimi komunist, Besimit iu privuan të drejtat dhe liritë themelore, ndër to e drejta e arsimimit, e punësimit. Gjatë atij regjimi, u caktua në bazë të një vendimi të pushtetit diktatorial, të punonte në punë të rënda në hapje tunelesh, dhe në vende të tjera, që sot konsiderohen si relike të diktaturës së komunizmit në vend, me detyrimin që të mos lëvizte, pa urdhër të pushtetit qendror. Por megjithë kalvarin e mundimshëm, dashuria për lirinë te ky njeri ka qenë e para, e përhershme dhe e përjetshme, i gatshëm për t`u flijuar dhe martirizuar edhe nën terrorin komunist.

Memoria historike e krimeve të komunizmit

Me përmbysjen e diktaturës komuniste, Besim Ndregjonin do ta shohim edhe një herë në vijën e parë të luftëtarit të lirisë. Gjatë viteve të pluralizmit, Besim Ndregjoni ka dhënë një kontribut të çmuar për dokumentimin dhe publikimin e krimeve të komunizmit. Mbrojtës i zjarrtë i kauzës së të përndjekurve politikë, duke qenë një oponent i vazhdueshëm ndaj pushtetit politik për integrimin dhe rehabilitimin e pasojave dhe traumave të kësaj pjese të shoqërisë shqiptare. Ndregjoni shfaqet edhe në shtypin e përditshëm si publicist, me artikuj të shumtë që pasqyrojnë kalvarin e mundimeve të një luftëtari të lirisë dhe nëpërmjet veprës së tij ne njohim kalvarin e vuajtjeve dhe mundimeve të shqiptarëve nën diktaturën komuniste. Dhe në këtë mënyrë, ai na shfaqet si shembulli i njeriut që ndjen detyrën ndaj atdheut dhe se si duhet ta bëjmë këtë detyrë, duke kapërcyer çdo vështirësi që na del përpara. Ai bën një paraqitje historike të fakteve të rënda të persekutimit komunist, botkuptimit dhe filozofisë së pakuptueshme që udhëhoqi Shqipërinë për katër dekada, duke nisur që prej viteve ’40 e deri në fillim të viteve ’90. Ndregjoni analizon në mënyrë të drejtpërdrejtë diktaturën shqiptare si një nga më të ashprat dhe pa asnjë element të përbashkët me pushtetet komuniste në Evropën Juglindore, duke mbajtur konstant genocidin mbi kundërshtarët e saj – të Përndjekurit Politikë shqiptarë, që kaluan një kalvar vuatjesh, traumash, përçmimesh, fyerjesh, degradimesh të pakrahasueshme në asnjë shoqëri të Evropës Juglindore. Në përditshmërinë e jetës zoti Besim Ndregjoni është një nga figurat më interesante, si përfaqësues i elitës intelektuale dibrane dhe mbarëshqiptare. Në miqësi me dijen, si simbol i mençurisë e diturisë, ai besoi dhe dëshmoi me vepra se njeriun në jetë e mban vetëm dija.

Pjesëmarrës dhe referues në dhjetra konferenca ndërkombëtare

Bashkëvuajtësit vlerësojnë aktin e z.Ndregjoni kur si ish Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Ish të Përndjekurve Politik të Shqipërisë, u larguat nga ky institucion në shenjë proteste ndaj Qeverisë për mos dhënien e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve politikë. Ata evidentojnë bashkëpunimin e kreut të tyre me institucionin e Avokatit të Popullit të Danimarkës dhe Qendrën Shqiptare për Rehabilitimin e Traumës dhe të Torturës për zbatimin e konventave ndërkombëtare për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Shqipëri. Por Besim Ndregjoni ka dhe një aktivitet intensiv në organizma prestigjiozë ndërkombëtarë. Më 25 janar 2008 ka referuar në Senatin Francez Paris, “Familjet fisnike Shqiptare në mbrojtje te Hebrenjve”. Tre ditë më pas ai referon ne selinë e OKB-së në Neë York “Fisnikëria e familjeve shqiptare dhe humanizmi i tyre për shpëtimin e jetëve të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Është pjesëtar dhe referues i delegacionit shqiptar në Konferencën ndërkombëtare organizuar në Berlin, Gjermani me temë: “Eksperienca gjermane domosdoshmëri, në dokumentimin e krimeve të komunizmit”. Nën devizën “Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi”, themeluesi dhe drejtuesi i Unionit Mbarëkombëtar të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, insiston në kërkesën që politika shqiptare të bëjë ndarjen nga e shkuara komuniste, të dënojë krimet e komunizmit. “Dënimi i krimeve të komunizmit është drejtësi dhe jo hakmarrje siç e përdor politika shqiptare, sepse vetëm kështu mund t’i japim vendit një të ardhme të sigurte demokratike dhe europiane”, -shprehet zoti Ndregjoni. Për këtë kalorës të fjalës së lirë, të përkushtuar maksimalisht në mbrojtje të lirive dhe të drejtave njerëzore, u organizua ceremonia e dhënies së titullit “Doctor Honoris Causa”, nga Misioni diplomatik për paqe dhe Prosperitet, ndërkohë që dhjetra pjesëmarrësit nga institucionet qëndrore e vendore ndoqën me interes të jashtëzakonshëm fjalët përshëndetëse të të ftuarit të veçantë në këtë ceremoni mbresëlënëse, kolonelit amerikan në pension doktor Randell Torn, i specializuar në fushën e sigurisë dhe paqes i cili bashkëpunon me strukturat e misioneve prestigjioz ndërkombëtare për të sjellë paqen dhe sigurinë kudo në botë.

Besim Ndregjoni mban gjithashtu titujt “Nderi i Qarkut Tiranë” dhe “Nderi i Qarkut Dibër”, dhëne nga këshillat e qarqeve përkatës.

2055921

Artikulli paraprakShteti tashmë ka rënë! Kryeministri duhet të dorëhiqet!
Artikulli tjetërReagimi i PD: Regjimi nuk mban përgjegjësi për gjunjëzimin para krimit!