Thirrjes për ndihmë të banorëve të Tropojës për ndalimin e ndërtimit të HEC-eve mbi Valbonë iu përgjigj të premten edhe organizata e njohur ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, Fondi Botëror për Natyrën, WWF.
WWF i tha “BIRN” se dënon planet e qeverisë shqiptare për ndërtimin e hidrocentraleve në Parkun Kombëtar të Valbonës, ndërsa paralajmëroi se ndërhyrja në një zonë të kategorisë së mbrojtur do të shkatërronte ekosistemin.
“Parqet kombëtare janë deklaruar të mbrojtura për të ruajtur zonat e tyre kulturore dhe proceset ekologjike; fakti që Valbona është caktuar në një prej kategorive më të larta të mbrojtjes (niveli i mbrojtjes II në Bashkimin Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës), tregon se sa i rëndësishëm është ky ekosistem”, tha për “BIRN” Petra Remeta, menaxhere programi e ujit të ëmbël pranë WWF Adria.
Sipas WWF ndërmarrja e një aktiviteti të madh ndërtimi, si ndërtimi i një hidrocentrali, pa diskutim do të rrezikonte proceset natyrore dhe do të shkatërronte sistemin, duke vënë në rrezik me kalimin e kohës edhe komunitetet vendase.
“WWF e nxit qeverinë shqiptare të rimarrë në konsideratë koncesionet e dhëna dhe të braktisë të gjitha hidrocentralet e planifikuara në Parkun Kombëtar të Valbonës”, shtoi Remeta për “BIRN”.
WWF, iu përgjigj interesimit të “BIRN” pas publikimit të një letre zyrtare të mërkurën nga ambientalistja amerikane Catherine Bohne, e cila lajmëroi mediat, ambasadat e huaja në Shqipëri dhe organizatat mjedisore në vend dhe ato ndërkombëtare për fillimin e punimeve për HEC-et në rajonin e Dragobisë dhe Maskollatës.
“Sot është një ditë shumë e zezë në Valbonë, një ditë shumë e zezë për Shqipërinë – pavarësisht qiejve blu dhe motit të mirë – sepse nëse kjo mund të ndodhë këtu, në shkelje të hapur me ligjin, atëherë e ardhmja është e zezë për Shqipërinë”, lexon letra e Bohne.
Fondi Botëror për Natyrën bëri gjithashtu thirrje për krijimin e një plani strategjik dhe të balancuar mes ruajtjes së natyrës dhe plotësimit të nevojave energjetike.
“Duhet krijuar një qasje të planifikimit strategjik që do të lejojë përcaktimin e zonave ku mund të shfrytëzohet hidroenergjia, ndërsa balancohet mbrojtja e natyrës, nevojat energjetike dhe zhvillimi socio-ekonomik. Përfitimet e kësaj qasjeje janë të shumëfishta dhe gjithashtu përfshijnë krijimin e një klime investimi të bazuar në transparencë dhe në vendimmarrje gjithpërfshirëse”, tha WWF për “BIRN”.
Një investigim i Rrjetit Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri zbuloi në qershor se 14 HEC-et e dhëna me koncesion nga qeveria shqiptare dekadën e fundit janë dhënë në mënyrë polemike, duke shkelur të drejtën e konsultimit të banorëve, kërcënojnë natyrën dhe rrezikojnë turizmin në një nga zonat më të frekuentuara të Alpeve të Shqipërisë.
Banorët e Tropojës kanë paralajmëruar protesta masive në kryeqytet javën e ardhshme.