Ndërlikohet dëmtimi i Reus, shtyhet rikthimi

Për të shijuar sërish klasin e Marco Reus në fushë tifozët e Borussias së Dortmundit dhe të kombëtares gjermane duhet të presin edhe disa muaj. Në fund të sezonit të kaluar, ylli i verdhezinjëve këputi ligamentin e kryqëzuar të gjurit të djathtë dhe fillimisht u përfol se do të rikthehej në fushë pas 6 muajsh, pra do të ishte gati në janar të 2018-ës. Por mesa duket, faza e rehabilimit ka patur disa komplikacione dhe rikuperimi i Reus kërkon më shumë kohë. Sipas raportimeve të mediave gjermane, gjasat janë që 28-vjeçari të kthehet në fushë në muajin mars të vitit të ardhshëm.
Dëmtimet e njëpashnjëshme kanë shkatërruar karrierën e Reus, gjatë këtyre viteve të fundit dhe sulmuesi i krahut nuk dëshiron të marrë përsipër asnjë rrezik, dhe nuk do të përshpejtojë etapat e rekuperimit. Ligamenti i dëmtuar ende është shumë i ndjeshëm dhe i shkakton dhimbje herë pas herë futbollistit. Në këtë mënyrë, Reus ka vendosur të rikthehet në fushë vetëm kur të jetë plotësisht i riaftësuar pra, jo përpara marsit të 2018-ës, pasi nuk dëshiron të humbasë një tjetër kompeticion madhor me kombëtaren gjermane siç është Botërori Rusi 2018.

Exit mobile version