Ndërpriten kërkimet për 3 minatorët e bllokuar prej 5 ditësh në minierë

Kërkimet për tre minatorët kinezë të bllokuar prej pesë ditësh në minierën e Bulqizës janë ndërprerë. Bëhet e ditur se, kërkimi është ndërprerë për shkak të rrjedhjeve të gazit. Tre minatorët kanë mbetur të bllokuar në nivelin 21 të minierës që prej të shtunës dhe mundësia që ata të gjenden të gjallë është shumë e vogël. Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave punon në kushte jashtëzakonisht të vështira operacionin për kërkimin e tre minatorëve kinezë, pasi thellësia është shumë e madhe.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dy ditë më parë edhe ish-Kryeministri Berisha, duke dënuar heshtjen kriminale të qeverisë. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan: Qëndrim dhe çensurë raciste, çnjerëzore dhe e turpshme!
“Tre punonjës me origjinë kineze prej tre ditësh i kanë mbuluar toka dhe shkëmbinjtë në minierën e Bulqizës. Aksidentet janë fatkeqësi që ndodhin në miniera. Por kjo heshtje kriminale zyrtare dhe mediatike ndaj varrosjes për së gjalli të tre punonjësve në një minierë në Shqipëri nuk ka ndodhur kurrë.
Qeveria, në vend të njoftimit të përditshëm për gjendjen dhe masat, zbaton kodin e territ dhe heshtjes ndërsa mediat, në vend të raportimit direkt nga varreza e të gjallëve për çdo zhvillim, çdo përpjekje për shpëtimin e tyre, zbatojnë kodin e diktuar nga qeveria. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim racist, çnjerëzor dhe të turpshëm të zyrtarëve, por dhe mediave të vendit ndaj jetës, ka të ngjarë të humbur, të tre qytetarëve të huaj që punojnë në dheun tonë!”, shkruan Berisha.

Artikulli paraprakPlagoset rëndë me armë një 18-vjeçar në Dibër
Artikulli tjetër510 kg drogë nga Shqipëria sekuestrohen në Greqi