Ndërrimi i pushtetit me pasoja për të ardhmen e Malit të Zi

Analistët vlerësojnë se qeveria e re, i cila premtoi integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian dhe frenimin e ndikimit rus, nuk arriti të përmbush asnjë nga synimet. Përkundrazi ata thonë se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat pro-serbe, të cilat në asnjë drejtim nuk e favorizojnë politikën zyrtare të Malit të Zi.

Analistët shprehen të zhgënjyer me qeverinë e Malit të Zi. Ata vlerësojnë se qeveria e re e cila premtoi integrimin e shpejtë në Bashkimin Evropian dhe frenimin e ndikimit rus, nuk arriti të përmbush asnjë nga synimet.

Analisti dhe publicisti, Gjokë Dukaj tha se shumicën parlamentare e përbëjnë strukturat pro-serbe, të cilat në asnjë drejtim nuk e favorizon politikën zyrtare të Malit të Zi.

“Duke marrë parasysh se shumicën parlamentare e përbejnë strukturat të cilat në vazhdimësi janë deklaruar si pro-serbe me orientim që nuk i shkon në favor politikës zyrtare të Malit të Zi, atherë duhet pranuar se kjo e dëmton imazhin e disa të arriturave, sidomos nga ekzekutivi në Malin e Zi,” tha zoti Dukaj

Analisti dhe ish-kryeredaktori i disa mediave malazeze, Xhevdet Pepiq ndërrrimin e pushtetit e sheh si diçka pozitive, por me rastin e Malit të Zi nuk funksionoi.

“Është më se e nevojshme që pushtetet të ndërrohen, por në rastin e Malit të Zi asgjë nuk ka ndryshuar. Me këtë ndryshim kemi arritur në një situatë ku vlerat etnonacionaliste dhe fetare çmohen më shumë se pikëpamjet qytetare. Me ndryshimin e pushtetit humbësit më të mëdhenjë janë qytetarët e këtij vendi”, tha Pepiq.

Si pasojë e këtyre ndryshimeve sot nuk respektohen as simbolet shtetërore nga disa zyrtarë të lartë malazezë. Analistët këtë veprim e shohin si një përpjekje për ta minuar pavarësinë e Malit të Zi.

“Ky veprim nuk është i sinqertë, sepse të jesh në një post të lartë shtetërorë dhe mos t’i respektosh simbolet e atij shteti është e pakuptueshme. Mirëpo, mendoj se kjo bëhet për qëllime populliste dhe për ta minimizuar shtetësinë e Malit të Zi”, tha zoti Pepiq.

Në këtë kuadër zoti Dukaj vlerëson se mos respektimi i simboleve shtetërore nga zyrtarë të lartë malazezë është në dëm të politikës aktuale në Malin e Zi.

“Disa zyrtarë që mbajnë funksioneve të larta shtetërore nuk i respektojnë përdorimin e simboleve shtetërore dhe mungesa e reagimit ndaj këtyre zyrtarëve nuk është optimiste për të ardhmen politike të Malit të Zi,” tha analisti Dukaj.

Analistët vlerësojnë se Mali i Zi, 4 vjetë pas ndërrimit të pushtetit, është i ndarë midis Lindjes dhe Perëndimit, gjë e cila po ndikon në ndërtimin e një demokracie të qartë dhe të qëndrueshme.

Exit mobile version