Ndërroi jetë në moshën 75 vjeçare, përcillet drejt banesës së fundit aktori i njohur Mirush Kabashi

Aktori i njohur Mirush Kabashi u përcoll drejt banesës së fundit, pas homazheve nga miq të afërm e dashamirës të tij.

Në hollin e Muzeut Kombëtar janë mbajtur homazhet prej orës 10 të paradites deri në 13:00.

Ndërsa kolegë të tij e kanë kujtuar atë si një njeri mjaft të dashur, që rrezatonte mirësi dhe një aktor profesionist.

Luftar Paja: Do ta kujtoj për talentin e tij shumëdimensional. Do ta mbaj mend si një figurë shumëdimensionale, i papërsëritshëm. Si një njeri i qeshur dhe i miqësisë dhe do të më kujtohet nëpërmjet veprave që ka lënë. Siç kishte emrin ashtu rrezatonte dhe mirësi. Prehu në paqe!

Ylljet Aliçka: Mirushi ka bërë një pjesë teatrale me tregimet e mia, një film të gjatë me skenarin tim. Sokrati është më e veçanta. Ai të gjitha rolet i qante, Mirushi qe mjeshtër.

Zhani Ciko: Mirushi mendonte për rolet e tij, jetonte për to. I kam njohur vlerat e mëdha të Mirushit. Një ditë Mirushi më afrohet dhe më thotë; kam përgatituri rolin që do të jetë më i rëndësishmi në karrierën time. Unë i thash; ty nuk të thuhet jo se ti nderon skenën. Kur bëjmë ne koncertin, skena do të jetë e jotja. U habitëm se ishte veshur me një veshje të veçantë dhe doli e interpretoi ‘Sokratin’ e tij për herë të parë. Mua më ngjalli sadisfaksion.

Përgjatë disa orëve ndërsa zhvilloheshin homazhet në nderim të aktorit, kanë marrë pjesë, artistë të njohur, kolegë të Kabashit, të afërm, dashamirës dhe përfaqësues të politikës shqiptare.

Artisti i merituar do të prehet në varrezat e Sharrës.

Arti shqiptar u zgjua mëngjesin e djeshëm (e martë, 06 dhjetor) me një lajm tejet të hidhur. “Artisti i Kombit”, Mirush Kabashi, ndërroi jetë pasi prej kohësh vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Mirush Kabashi, një yll i papërsëritshëm i kinematografisë shqiptare, i njohur si “Sokrati shqiptar”, artisti shumëdimensional është cilësuar gjithashtu edhe si një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë shqipe, duke u identifikuar edhe për zërin e tij të veçantë. Gjatë karrierës së tij artistike, Kabashi është nderuar me titujt e lartë “Nderi i Kombit”, “Artist i Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Exit mobile version