Ndërtohet banesa pa leje te vila e Ramës në Durrës

Një ndërtim 2-katësh ka hedhur shtat kohët e fundit në një nga zonat më të lakmuara të qytetit bregdetar të Durrësit. Ndërtimi pa leje po kryhet në Zonën A pranë vilës qeveritare, ku qëndron shpesh kryeministri Rama, ndërsa asnjë nga autoritetet që kanë për detyrë të ndalojnë ndërtimin pa leje nuk guxojnë të afrohen aty e jo më të ndalin këtë maskaradë.
Bëhet e ditur se për këtë ndërtim, Prokuroria e Rrethit Durrës ka nisur një hetim për shkak se punimet janë kryer pa leje. Burimet nga Bashkia e Durrësit bëjnë të ditur se, pas këtij ndërtimi qëndrojnë njerëz të fuqishëm që kanë lidhje me kryeministrin, ndaj policia nuk guxon t’i afohet ndërtesës që po hedh shtat dita-ditës.
Punimet vazhdojnë, megjithëse kontrolli i territorit është tashmë përgjegjësi e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake dhe Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit. Por nëse për ndërtimin e një gardhi, një avllije, një dritareje, një solete apo qoftë edhe të një kati pa leje janë të shumtë ata që kanë përfunduar në burg për shkak të “luftës ndaj informalitetit”, ky ndërtim pranë detit vijon punën i qetë përpara syve të kryeministrit të vendit, që betohet çdo ditë se “do të bëjë shtet”. Bëhet e ditur se Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për këtë ndërtim pa leje që po kryhet në Zonën A pranë vilës qeveritare ku qëndron Rama.
Po ashtu, Prokuroria ka nisur hetimet për betonizimin buzë detit në plazhin tek Ura e Dajlanit në Durrës. Në këtë zonë po ndërtohet buzë detit, duke hedhur sasi të mëdha betoni. Skandali këtë shkelje të rëndë të bërë nga kryebashkiaku Vangjush Dako u denoncua para disa ditësh nga ambientalisti i njohur Sazan Guri.
Guri argumenton se një ndërtim pa leje mjedisore dhe pa projekt po hedh beton në buzë të detit në plazhin e Durrësit, gjë e cila sipas tij, është në kundërshtim të plotë me të gjitha ligjet. Nëpërmjet një statusi në profilin e tij në Facebook, Guri shkruan: “Ore qytetarë, ore prokurorë, ore biznesmenë, ore pushtetarë, ku po ju çon mushka? Keni parë e dëgjuar të betonizosh ujin e detit, rërën e plazhit, pa leje ndërtimi, pa leje mjedisi, pa pyetur qytetarët, jo për qëllim publik, jashtë planit të territorit? Shihni dhe flisni vetë. Na thoni çfarë të mbrosh më parë në këtë vend, ku çdo ditë pillet një mostër më e tmerrshme se një ditë më parë!”.
Për këtë rast, Prokuroria e Durrësit ka filluar një hetim kryesisht për akuzën e ndërtimit të paligjshëm, pasi nga asnjë institucion nuk është bërë ndonjë referim pranë organit të hetimit. Sipas hetimeve të deritanishme, ky ndërtim po kryhet nga një biznes privat në këtë vijë bregdetare. Prokuroria thotë se do të nisë hetime edhe ndaj Bashkisë së Durrësit pse po ndërtohet buzë detit. Gjithashtu, informacion do të kërkohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit për të parë se kush institucion është përgjegjës për ndërtimin në këtë zonë.
Jo vetëm specialistët, po edhe banorët janë shprehur të sheqtësuar se plazhi i Durrësit pranë Urës së Dajlanit jo vetëm që po betonizohet nga Dako, por është mbushur me inerte. Punimet kanë nisur prej disa kohësh, ndërsa institucionet përkatëse nuk ndërhyjnë për të ndaluar këtë masakër që po kryehet në plazh në prag të sezonit turistik.
Rasti i ndërtimit të “Velierës” në Durrës, ku gjatë gërmimeve u ndeshën nën rrënoja të qytetërimit të vjetër, nxori edhe një herë në pah problemet me të cilat ndeshet trashëgimia kulturore në vend. Dako me urdhër të Ramës po betonizon edhe trashëgiminë kulturore vetëm për të mbushur xhepat e tyre.
Pasja e një vizioni dritëshkurtër si Gjushi që mendon vetëm për përfitime të shpejta, nuk ka asnjë të krahasuar dhe nuk ka asnjë interes për turistët në raport me vlerat arkeologjike dhe historike të këtij qyteti. Paradoksalisht, sot Durrësi është qyteti më pak i kërkuar dhe i frekuentuar nga turistët e kulturës.
Specialistët shprehen se, 6 milionë euro që po harxhohen për një projekt në Durrës, do të ishte më mirë që të shpenzoheshin për të prishur çdo ndërtim apo pallat në zonën A (të paktën) dhe të kompensoheshin ato familje që kanë marrë apartamente sesa të mbulohej me beton edhe një herë tjetër ajo zonë.

R.POLISI

Artikulli paraprakRama kërkon lirimin e Shukriut nga burgu
Artikulli tjetërKriza ekonomike, 106 mijë biznese kanë ulur qepenin